ME SYTË E FËMIJËS / Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani

 

Resmi Osmani - 1

Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani

 

ME SYTË E FËMIJËS

Gjashtë

Gruri!
Bujku hodhi farën, toka e rriti, dielli e poqi, qershori e ngjeu me të artë, kallinjtë e rënduar presin drapërin dhe drapëri i korri.Buka e re që ushqen jetën do të ulet në sofra.
Daja i nënës sonë Veiz Beqiri, në Vlorë, para burrave të fisit qe zotuar ”Sa të bjerë drapri në grurë, mbesa ime me fëmijët do të jenë të mitë” Fjala, fjalë. Fjalë burri.
Ai erdhi paraditen e fund qershorit bashkë me karrocën.
Ngarkuam dhe u ndam me Tetenë që na përcolli e përlotur, me xhaxha Shefkiun,që aq shumë u kujdes për ne, me Xhevrien e dashur , Xhevitin fjalëmbël dhe kushërinjtë moshatarë me ne. U mësuam me ‘ta si të ishim një familje. Ndarjet, nga njerëzit e dashur, janë të dhimbshme, si të shkëputësh nga vetja një pjesë tënden, që të dhëmb e lë një zbrazëtirë , kur nuk e di nëse do ta shohësh sërish, apo do të mbetet një kujtim i vagullt që ndjell përmallim. Ja që ndarjet, qoftë për mirë,duke qeshur, qoftë për keq,duke qarë, qofshin të gëzuara apo të dëshpëruara, janë pjesë e jetës……
-Hyja Kuqo, hyja Dori- dhe vërshëllima e kamxhikut në erë.
“ Kërkëllima e rrotave dhe troshitja.Karroca mori udhën. Dajë Veizi është ulur përpara me karrocierin, që të bëjnë një dorë muhabet. Ne jemi rregulluar si kemi mundur më mirë. Përsri në rrugë, por këtë herë jo nga veriu por në jugë, mespërmes Myzeqesë. Është ky si një dënim i fatit. Heshtnim, si t’i kishim lënë fjalët andej nga u nisëm. Mendoheshim.Dhe kishim aq shumë gjëra për tu menduar.Ne, gur i rrokullisur nga vendlindja që s’gjente vënd. Këta ishim ne. Vetja mu duk si ato retë e vogla e të bardha që i shihja tek i shtynte era në hapësirën qiellore. E dinim ku shkonim, por për ne ajo ishte e panjohur. S’e dinim as kush na priste dhe as çfarë na priste për atje ku ishim nisur. As parë as njohur. Tjetër vend, të tjerë njerëz.”
E panjohura me pasigurinë e saj, është e frikshme. Kaqë gjë e kisha kuptuar: në sytë e miqve dhe të afërmve, i varfëri është si i huaj, atij i largohen si të sëmurit nga gërbula.
Të mjerët ne!

***
Na ishte mos na ishte!
“E bukura e dheut”, do të thoni ju, se kështu fillojnë përrallat.
Jo. Nuk e keni gjetur.
Na ishte mos na ishte, një djalë i vogël që e quanin Idriz, bashkë me nënën, vëllezërit dhe motrat, që i sollën për të jetuar në një fshat me emër të çuditshëm:Havaleas!Pse kishte këtë emër? Kujt apo kush i kishte rënë në qafë? Askush s’e dinte. Vetë emri ishte si një ogur i mbrapshtë.
Jeta e tyre në vite, do të ishte si një përrallë e keqe, pa bukuri e gëzim.
“ Po bëhet muaji që kemi ardhur në fshat te njerëzit e nënës: dy dajllarë dhe tezja, me një vatër djem e vajza të rritura. Shtëpitë janë në kodër.Kemi ardhur me nënën te teze Selimeja.Dal në një vend të lartë. Më duket se po ngjitem drejt qiellit, që është i kthiellët dhe i ndritur. Nga të katër anët e horizontit, nga lind e perëndon, nga jugu në veri, hapet bota e panjohur për mua, ajo hapësirë që do të jetë pjesa e përrallës së jetës sime. Hedh sytë nga jugu, vargu i kodrave të ulta, Shënmaria, Apollonia, më tej një shtyllë e gurtë që i ka dhënë emrin Shtyllas atij vendi. Thonë se atje ka qënë shtrati i vjetër i Vjosës, deri sa asaj iu mërzit e iu duk i ngushtë dhe një ditë zëmërimi rrebeshi ujëshumë, gjeti një shtrat tjetër. Në perëndim shquhet deti që pasqylon nga dielli dhe një brez i zbërdhylët mjegulle. Midis tij dhe nesh fshatrat, këneta dhe pylli i pishave. Nga veriu sa të ha syri fusha e madhe e Myzeqesë që mua më duket e pafund dhe fshatrat e shpërndara, hedhur si të ketë qëlluar, nga një dorë e pakujdesëshme. Në lindje, si nja një orë larg më këmbë, është qyteti i Fierit”
Në këtë botë të madhe,Idrizit vetja iu duk i vogël si një grimcë rëre, por edhe i madh, për derisa arrinte të rrokte me shikim gjithë këtë hapësirë në të cilën mëndja e tij mund të fluturonte anë e kënd, për të njohur të panjohurat, të fshehtat e misteret, e për të parë çuditë që nuk duhet të ishin të pakta. I dukej se kjo botë ishte e gjitha e tij dhe ai ishte i saj. Do të donte të kishte krahë shqiponje dhe të fluturonte mbi të, të merrte gjithë ç’i mungonte. Por, nga qielli zbriste në tokë. Ishte e dhimbshme. Vërtet ai ishte i saj, pjesë e asaj bote, por ajo nuk ishte e tij. S’kishte pjesë në të, dhe s’i jepte asgjë veç vuajtjeve.

***
“Havaleas, ku na re në hise? Një ditë, bashkë me tim vëlla , Sadiun, i ram pash më pash fshatit. Në fushë ishin dy lagje me shtëpi përdhese, mbuluar me kashtë kënete, të fiseve Gjoni Gjini,Dhima, Tushe dhe ca menjanë shtëpitë e kosovarëve. Mes një kopshti me pemë, konaku i beut, me oxhak dhe i mbuluar me tjegulla, ku s’banonte njeri. Dera ishte e mbyllur me kyç.Thoshin që beu kishte marrë arratinë. Në qëndër të fshatit një fushë bosh që i thoshin Shesholl, tokë belik, ku kulloste bagëtia dhe luanin me top djemuria e fshatit. Në krye të tij ishte pusi me çikrik, ku mbushnin ujë të dy lagjet. Rruga e fshatit për në xhade kalonte mes pyllit të Tafil beut. Me drurë të dëndur, të lartë, lisi dhe frashëri. “
Këtu i hodhën për të jetuar vullnetet e mbrapshta dhe era e fatit të mynxyrshëm. Nga Mazreku i bukur e i begatë i Çamërisë, në Havaleas të Myzeqesë! Kjo do të ishte bota e madhe dhe e vogël për vitet e fëminisë së Idrizit, për jetën e nënës, motrve dhe vëllezërve, që do të rridhte në vite e që me lodrat e gjeratoreve të fatit, do të ngjante si përrallë, e pabesueshme për ata që do t’a dëgjonin kur t’ua tregonin.

***
Të dy dajllarët e nënës, Veizi dhe Rustemi, i dhanë karar që e mbesa me fëmijët të kishin një çati mbi krye, strehën e tyre për të jetuar më vete. Do ti ndihmonin për të shtyrë ditët, por nuk mund t’I mbanin në shtëpitë e tyre. Ata ishin pleq. U thanë djemve të tyre që ta ngrinin. Vendi u gjet në sheshin e fshatit , Shesholl, që ishte tokë e askujt, pranë një familjeje çame të Dule Bacit që ishte vendosur aty një vit më parë.E shoqja e Dules, binte kushërirë e largët me Ervehenë.
“U shkulëm të gjithë dhe e mbajtëm frymën në Shesholl. Shtëpi? Jo, nuk bëhej fjalë. As kasolle as shtëpi. Merresi yta marrësh dhe quaje si të duash! Strehë sa për të futur kokën! Drurët, furkat, trarët dhe qeprat,na i dha pylli i Tafil beut,Kallamat për thurjen e mureve, për sadaka Bani Gjini, zhukat e zhulatura Llazi Dhima, Për kashtën e mbulesës, që i thoshin truskë, kushërinjtë shkuan me qerre për ta korrur në kënetën e Shënpjetrës. Gozhdët shkoi e i bleu Damani në dyqanin e Dërmënasit. Në krye të ditës së parë, mbi truall u ngrit skeleti.
Mu dukën si ca eshtra të zhveshura fantazme që kishin mbirë nga hiçi e në vend që të na strehonin, do të na gllabëronin.”
Pas dy ditësh kasollja u përfundua. Ishte një dhomë e vetme. Muret u thurën me kallama dhe u mbushën me baltë që e perzien me kashtë.Damani dhe Sadiu sillnin ujë nga pusi.Për ndihmë erdhën dhe kushërirat e Ervehesë, vajza në moshë. Kishin sjellë edhe ushqimet për drekë. Muret dhe Truallin pasi e ngjeshën i lyen me përzjerje bajga lope dhe baltë. Se ku gjetën dy copa xhama dhe i ngallmuan nga lindja dhe jugu e i karfosën në muret e baltës, ishin sytë e dritës.Për derën s’kishte dërrasa, u sajua me një fletë çadër ushtrie. Çatia u qepros dhe u mbulua me kashtë kënete. Muret u lyen me sherbet gëlqereje. Në vend të shtreteve, dy trina me purteka , mbi këmbë druri të ngulura mbëdhe. Mbi to shtruan dyshekët.Në njerin krah do të flinte Erveheja me të dy të bijat, në tjetrin të tre djemtë. Erveheja , me tjegulla të shtypura dhe gëlqere, gatiti horosanin dhe i dha formë vatrës ku do të ndizej zjarri.Për oxhakun gatitën me një kallëp drrase, tulla balte, që i shtruan mbi truall që ti thante dielli. Do prisnin sa të thaheshin.
Nw mur sajuan një si sergjen pë të vendosur ato pak enë.
Asnjë orendi, veç një sofre.
Kjo ishte shtëpia përrallore e ëndërrave! Mos qesh e mos qaj po deshe!
-E po, të rrini me shëndet!-Vjen urimi.
-Faleminderit dhe u lumshin duart!

***
Vjeshta e parë ishte në të hyrë, po bënte ende vapë, dielli ndrinte dhe qielli ishte pa një re. Erveheja, duhet të gatiste vaktin. Pa që po soseshin të gjitha. Mori një dorë fasule dhe i hodhi në poçe. Në thesin e miellit kishte mbetur vetëm një grusht, ndërsa në shishe një gisht vaj. E vuri në zjarr poçen me fasule dhe zuri brumët për bukë. Mjaftonin sa për të shuar urine sot për sot, po për nesër, me se do ta mbanin shpirtin?
Ishte vetëm. E theu djersa. Seç e zuri një angështi e sikletshme, si parandjenjë e një kobi që sillej e përsillej rrotull në erë.Varfëria kishte pllakosur si hije e zezë. Mërzi e zymtësi, asnjë gëzim, të qeshurit ishte harruar, kishte marrë arratinë dhe, fytyra e ftohtë dhe e ngurtësuar si e një statuje druri. Ditët vinin e iknin, varavingo, më keq njera se tjetra, zi e më zi. Asnjë lajm i mirë, asnjë shpresë. Asnjë dritë në terrin e mjerimit. Ah, kjo jetë mizore. Vdekja ishte lule, por e mbante gjall dhe e lidhte me këtë botë vetëm shpresa për t’u kujdesur dhe rritur fëmijët. Po si?, Ishin ende të parritur, e të pazotë për punë. Me lëmoshë e bamirësi për varanjakë dhe nevojtarë, që tok me mëshirën e bujarinë kishte dhe poshtërimin e padurueshëm?
Pyetje pa përgjigje.
Idrizi me të motrën e vogël, Sanon, kishin dalë për të luajtur. Vajza tjetër,Gjylua, kishte shkuar te komshinjtë. Dy djemtë e mëdhenj ishin pajtuar hysmeqarë, për bukën e gojës, për një palë rroba e këpucë. Damani, në fshat te një pasunar që i thoshin Subash e që e quanin Todi Gjini, lor me lopë, mbrëmanet vinte në shtëpi. Sillte me vete edhe një çyrek me një thelë djathë nape, që ia jepte e zonja e asaj shtëpie.Me të mblidhnin darkën. Sadiu, i vogli i nënës, ishte më larg, në fshatin që quhej Kryegjatë, te Longarët, bari me dele. Tërë javën i rrinte mëndja atje. Mos ishte sëmurë? Kush i shtronte dhe mbulonte, kush i vinte në ballë një pece me ujë të ftohtë që t’i zbriste të nxehtët e etheve? Qetësohej kur ai vinte në fund javë për t’u larë e ndërruar. Edhe atë nuk e nisnin bosh.
Vapa po shtërngonte e po bëhej e padurueshme.
Erveheja,që të flladitej, bëri për nga vidhi i madh që e kishin në oborr, u ul në tokën e thatë të ngrohur nga dielli që binte era pluhur dhe hodhi shpatullat pas trungut.Në kurorën e vidhit, zogjtë cicërinin me hare, asaj zemra i plaste në gji. Mbylli sytë dhe përfytyrimi nuk mënoi të shfaqte mirazhin e vegimeve :
Shtëpia me dy kate në kodrën e Dobratit, muret që feksnin nga bardhësia, çatia që kuqëlonte nga qeramidhet, dyshemetë e shtruara me qilima, qoshet me shilte e jastëkë të qëndisur, xhamat e dritareve me ngjyra të sjella nga Korfusi, buhari i mermetë i oxhakut dhe dy llamba me qelqe që e bënin natën ditë. Ovoroi qarkuar me avllinë e gurtë dhe portën e lartë me qemer. Postatet me manxuran e borzilok dhe erëzat që u jepnin shijen gatimeve. Nën ballkon portokallja kurorëmadhe, ngarkuar me kokrrat e arta që s’mbaronin deri sa çelnin lulet e reja, fiqtë buhav me atë sumbullën e mjaltit te syri dhe çapellat që tereshin në degë, migladhetë cipëholla që çheshin me dorë . Anës avllisë çubet e mjalcave , që nanë Memeja në qershor u mirrte hojet me mjaltin. Rëposh në fushë Mahalea, lagjia ku ishte rritur dhe shtëpia nga kishte dalë nuse. Pastaj, iu shfaq një kalorës, i hijshëm, shtat’hedhur, fytyrëqeshur, mbi pelën yllbardhë, që kthehej nga pazari i Pargës, me nga një peshqesh për secilin. Ishte i shoqi, burri i shtëpisë, gëzimi dhe dashuria e saj, ati i fëmijëve. Lerna Zot të rrojmë!
I erdhën pranë Idrizi me Sanon, që të lodhur nga lodrimet iu ulën pranë. Sanua në pwqi dhe Idrizi anash në brinjë. U ledhatoi flokët, i përqafoi dhe i puthi.
Eh! Ai vatani ku ajo kish jetuar mes dritës gëzimit dhe kamjes u davarit. Hodhi sytë nga kasollja dhe oborri i xhveshur. Ishte si dita me natën. Pamja i vriste sytë dhe s’i premtonte asgjë veç varfërisë që sjell vuajtje pa fund.
O Zot, pse, pse…….?
Klithje shpirti. Përgjigje nuk kishte.

Tiranë, mars 2022.

Ovoro-oborri
Bajame, në dialektin çam
Çube-zgjojet e bletëve, në dialekt
Mjalca- bletët.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s