Poezi nga Mimoza Rexhvelaj
Epitaf për poezinë që krijoj
Në paretet e buzëve të poetit
Je mjaltë mështekne poezi,
Altari je, ku shpirtërat e pagjumë,
Flijohen e zgjohen, në pafundësi.
Etjen ma ndez me eshkë Jezerce
Mbi ballë një fanar ma saldon,
Me perçina ndjenjash të holla
Me një ngutje që shpesh më huton!
Flladi që frymon në vërri e në bjeshkë
Për mua je, e sall për këtë risi
Në yzengjitë e tua dua të var hovin
E qumështit tënd, të bekuar poezi.
MOS MË THONI…
Kot mburret qielli me yjet
E mbjellë kinsë në arën e vet,
Yjet janë të miat e pikë
Të miat tash dymijë vjet.
Në hënë nuk shkohet në këmbë
As me karro të blinduar nuk shkohet,
Mos më thoni se karakteri im
Në rrethana të tjera tjetërsohet!