Poezi nga Josif Brondsky
Dashnorët Gushtianë
“Të dashuruarit e Gushtit,
luleplot, mbushur prehëri, vijnë
thirrje të padukshme, oboresh i ftojnë,
të dashuruarit e Gushtit, këmishkuq, gojëhapur
drithnuar humbasin, udhëkryqeve,
sokakëve zhduken,
shesheve vrapojnë.
Të dashuruarit e Gushtit
atmosferës së mbrëmjes, në okër ndritojnë
rozëbardhave konture, luleve qëndisur
mbi këmishat e tyre
ndrisin dritaret çelur, të errëtave obore,
dhe ata, drejt një thirrjeje të re, vrapojnë.
Ja dhe friknaja e jetës, që brinjas qytetin përshkon,
ja tek është, pemët tek ngjyron
tek, shuan llampën,
tek, makinat pastron…
Sokakëve të ngushtë gjëmojnë zëra,
kthehu pas, flak pallton, dil në ballkon.
Shikon, dashnorët gushtianë, pëqimbushur me lule, vrapojnë.
Refleksione reklamash rrëshqasin pullazesh
dhe ti, vështron poshtë, pa kurrë dhe me askënd, vendin të ndërosh
me vetveten tek flet.
Ja lulet dhe hyrjet me dashuritë e reja,
me kamzhikun e ri, në tjetër dimension,
dorëzuar vetveten, me klithmë të re, me gjakun e ri
dorëzuar vetveten, lënë lulet, t’i bien nga duart.
Friknaja e re, dëgjoje, zhurmon,
kërkush s’do t’i kthehet, kësaj jete të re
kërkush s’do të kalojë poshtë ballkonit, të vijë t’ju shikoj
kërkush nuk do t’ju gjendet
kërkush s’do t’ju qëndroj,
më afër, nga sa i rri ti, vetvetes,
nga lulet,
nga ç’je ti, për veten.”

Shqipëroi: Vasil Çuklla