Poezi nga Mihal Gjergji

 
Poezi nga Mihal Gjergji
 
 
M E D I T I M
 
Askush s’e blen trishtimin e poetit
As thinjat, si gjëndisma me argjend
Shikojeni zgalemin sipër detit
Mbi dallgën e trazuar kërkon vend!
 
 
BASTUNI I BABAIT
 
Diku u dashka një mbështetje
(Te druri po, jo te njeriu!)
I strukur thellë në drama jete
Zhgënjimin pi dhe hesht fatziu!
 
Mbështetur rri si shkop profeti
I bëhet krah një ëndërr udhe
Përndjekur keq nga Nazareti
Thellon mbi ball’ një brazdë rrudhe
 
Në kënd të dhomës pret një dorë
Se s’mund të thinjet në dremitje
Të shkelë një shteg a një sinor
Të ndjehet gjallë, vetëm në ikje
 
Ç’sopatë e shtriu vallë përtokë
Kur s’kishte gjethe, s’bënte hije?
Besoj në vjeshtë, me hënë të plotë
Një dru prej thane në korije…
 
Trazova sot një grusht kujtime
M’i zgjon papritur kjo relike
E heshtur flet me heshtjen time
E ndjej në shpirt, më jep trokitje!
 
 
JEHONË E LARGËT
 
S’di nga vjen një jehonë ulërime
Kot më thonë, se ti qënke tretur
Pret një yll dhe nga pritja u thinje
Një copë nate te balli ka mbetur
 
Dhe ky lum’ që vërtitet pa rreshtur
Si një bushtër kafshon rreth shtëpisë
Sipër lisit është zverdhur një pjergull
Pret të ngrihet furtunë e dollisë..!
 
Si nuk gjeta njeri kaq të shtrenjtë
Kaq të dashur sa ti, s’gjeta dot
Brenda syrit ku shkrepnin rrufetë
Shihja nënën kur mbytej në lot!
 
P.S: Një kujtim i largët, para 40 vitesh, me vëllain dhe motrën e nënës time. Tezja ime e mirë u nda nga jeta në 24 shkurt 1999.
 
 
GJ U R M Ë T
 
Ndaloj një çast te prag i vjetër
Të gjej ca gjurmë të fëmijërisë
Hëna më zbret nga lart si skeptër
Hedh dritë mbi plagët e shtëpisë
 
Violin’ e erës ma gris shpirtin
Më shtyn me brryla në sokak
Pastaj nxiton të puth kandilin
Që rri dremitur mbi oxhak
 
Dikur im At’ trazonte shpuzën
Menduar rrinte, si profet
Çibukut nuk ia ndante buzën
E ne rreth vatrës merrnim jetë
 
Nën plojë të kohës fle shkretimi
As zogj nuk ka, e heshtur udha
Ca pika loti derdh burimi
Tek më shikon mbushur me rudha
 
Befas një zë: “U ktheve bir!”
Më verbon terri, ndjej lëngatë
“Ku je, moj nënë, në ç’humbëtirë,
Apo ke zbritur që nga lart?”
 
Atje ku njerëzit hanë vetveten
Dhe perënditë i zënë me gurë
Një grusht kujtimesh pas do mbeten
Dhe gjysma ime me aq nur!
 
Më tremb ky qiell pamjenxirë
Ky dimër lufte plot acar
Askush s’më fton si mysafir
Mes malesh mbeta vetmitar
 
Pas gjurmve rend, si pelegrini
Dhe brenda meje s’di se ç’ngjet
E hapa sot një fletë kujtimi
Që asnjë çast s’më lë të qetë!
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s