Poezi nga Shazim Mehmeti
IDIL I ZI…
Janë violinat e ditës
që luajnë
simfoninë e pafajsisë.
Janë kuajt e erës,
që vithet tundin,
dhe përepshshëm përqafohen
me ujëvarat e dritës.
Është
lugina shurdhmemece,
dhe kaçurreli gëzim,
që për çudi,
rrugën humb,
si beqar i përgjumur.
Është
dhe ai mëz,
i jargët, i zi,
që jetën prek
duke ngordhur t’ëmën!
JE TI REBARDHI I RRUGËTIMIT…
Qiejsh,
je Ti rebardhi i rrugëtimit –
unë jam thera në breg të pikëllimit!,
je Ti fara që qiejt mbars me hir –
unë jam lecka që e bart era!,
je Ti vegimi që mrekullon e fal mëngjeset –
unë jam muzgu që këngën qan!,
je Ti dita në sqep bilbili –
unë jam pendël, e këputur, e rënë!,
je Ti thelb i grimcës ku ujë pik zgjimi –
unë jam grimcë e thelbit në zemër t’asgjësë!,
je Ti ujitja mbi luleborë Tejane –
unë jam dora që veten këput n’Anë!,
je Ti ikja që ik drejt Pikënisjes –
unë jam ardhja në Pikëmbarim!!!
HINGËLLOI NJË KALË ERE…
Hingëlloi
një kalë ere,
dhe porta u hap.
Qiejt,
u mblodhën,
grusht,
mbi muzg.
Kush hyri me kalë mbi shpinë
qesh unë.
Kush doli, me shalë mbi kalë,
qe pikëllimi im!
ATDHEU DHE UNË…
Në sfondin e pafund
të mendimeve të mia,
Atdhéu mbështet kokën
mbi gjirin e Mesdheut,
unë mbështes kokën
mbi gjirin tënd.
I pakërkuar,
si trupi im më vjen:
ai është dhembja, në zemrën e tokës.
Orë e çast,
gjindje e zogj i ikin pa kthim,
si mendtë e lëna, prej trurit tim.
Gjithë lumenjtë në pellgdet i derdhen,
si dejtë e mi në barkpellgun tënd.
Përmbi i ndrit, pandalur,
hënë e gjithësisë,
si hëna jote, netësh,
mbi trupin tim.
Atdheu im është plagë
me plagë në zemër!
Atdheu im është unë!
Kundrejt perëndimit,
ai është lindja.
Kundrejt lindjes,
perëndimi është.
MBRËMË E LEXOJA RICOS- in…
Mbrëmë e lexoja Ricos- in,
sot meditoj për largësinë e botëve.
Edhe ai i këndonte një gruaje.
Edhe ai atdheun e kish patur plagë.
Por, Ricos-i është Ricos,
dhe unë as nuk arrija të kuptoj,
me ç’magji
bënte të puthen,
plagë e atdheut
dhe plagë e zemrës.
Veçse, më dukej disi,
se digjej si unë ai,
në flakët e vetvetes.
Këputur djegiesh,
veç buzëqeshte
dhe kokën mbështeste
mbi plagën e hënës.
Mbrëmë, teksa e lexoja Ricos-in,
ti hënë e përqielltë
më shikoje si digjem,
me kokë mbështetur
mbi zemrën tënde…
PESOA QE NJË UJITËS VOGËL…
Pesoa, qe,
një ujitës i vogël.
Pesoa,
një lule mendimi
dashuronte.
Atë e tradhtoi vetja,
dhe miqtë e tradhtuan.
Kur vdiq Pesoa,
mezi pat kufomë.
Mezi u gjetën dy tre miq,
ta shpiejnë ku nuk duhej.
Por,
Pesoa, qe aq fatkeq,
sa e tradhtoi dhe vdekja:
Netësh, pandalur,
ai del nga varri,
dhe me lotë hëne,
lulet e një ballkoni gruaje,
i ujit…
MËNGJES MARSI
Vringëllojnë e ngulen,
pykat e diellit.
Shpërthen e derdhet
bark i natës.
Me thonj tmerri,
faqet çjerrin
ëndrrat e rreme.
Retë,
fustanet e bardhë
heqin,
e mbyten në lumë…
SYTH I KARAFILIT TË KUQ…
Syth
i karafilit të kuq,
ngul sytë e ndezur,
mbi barkun
e shpluar
të vesës,
mbi mëngjes.
Dhe…,
aty
e gjen,
o Zot,
misterin e bukur
të vdekjes
mbi dritë!