Poezi nga Iliaz Bobaj

 
Poezi nga Iliaz Bobaj
 
 
BLETA
 
Bleta e priti armikun
tek porta e kështjellës së kosheres,
i nguli heshtën e thumbit në çast,
pa marrë urdhër nga askush,
as nga Mbretëresha,
as nga ndonjë komandant.
Pastaj iu dorëzua vdekjes,
ashtu siç i qe dorëzuar jetës.
Krahët i ngrinë si krahë avioni,
këmbët i mbetën,
si segmente rrugësh të lëna në mes.
Vendi i armatimit, pa heshtën e thumbit.
Bletët nuk i bënë ceremoni varrimi,
nuk e vajtuan, nuk u ranë tam-tameve,
Mbretëresha nuk e shpalli heroinë
me ndonjë dekret.
Bleta veproi natyrshëm si një bletë.
 
 
TEK VARRI I MOTRËS SË VOGËL
 
Motrës së vogël nuk ia gjetëm dot varrin,
t’jua shpinim prindërve pranë.
Gërrmuam gjatë, së bashku me vëllanë,
si arkeologët,
që kërkojnë historinë e vdekur,
si deti valëzën,
motrën tonë të brishtë, koha e kish tretur.
Format e varrit të vogël qenë shuar,
si format e ëndrrave.
Të dy u larguam pa fjalë,
se mos e zgjonim nga gjumi.
Një zog i bardhë, me cicërima,
i bënte nina- nana,
mbi një gur të murrmë.
Tani, tek varret e prindërve,
do shkojmë me një dhimbje më shumë.
 
 
MAKINA E SHKRIMIT
 
Rri në tryezën e punës,
e lodhur nga papunësia.
Tastet e shkronjave,
me një napë të hollë harrimi përsipër,
ngjajnë si vula të një kohe të shkuar,
të cilat, pasi kanë humbur pushtetin,
mbeten jashtë përdorimit.
Me përdëllim,
ndjejnë nostalgjinë e prekjes së gishtave,
ku lind muzika e shkronjave,
shfaqet bukuria e fjalëve,
gdhendet madhështia e mendimit,
mbi faqen e bardhë të letrës.
Tani gjithçka ka mbetur pas,
është futur në dhimbje.
Po prapë i mjaftojnë,
pamjet e muzeut të saj të kujtesës,
për të jetuar,
pjesën e heshtur të jetës.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s