Poezi nga Petraq Risto
LUFTA
Ushtari i vrarë. Përmbys.
Helmeta: zhguall breshke
koka fshehur prej frikës.
Gjaku ende rrjedhë
dhe lule rradhiqes
i merren mendtë
shtrihet, i bie të fikët.
Tutje – një flamur i bardhë:
tjetër lule e trishtë.
Një vogëlush i vrarë
me koren e bukës në buzë:
buka si saze ka ngrirë
Dikush qan
me lotë të nxirë nga baroti
një tjetër pyet përçart:
a mban helmetë Zoti?
a mban helmetë Zoti?…
***
Rrugëve të New York-ut ka kohë që lëviz vetëm
Hartat mesjetare të Parajsës – në xhepin e brendshëm të xhaketës.
S’i pëlqej idetë e ngjashme si pëllumbat e të barabartë si pëllumbat
Në një shesh cinizmi t’i ushqej me thërrime iluzionesh
Pastaj t’i tremb duke përplasur duart.
I them vetes: Pa nisur Luftën nis mendo për Paqen
Paqja më sheh turpshëm si vajza e fshehur pas dritares.
S’i pëlqej idetë e ngjashme si pëllumbat. Salamandra jam.
Me gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë
Kjo kodër me gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë, me epruveta rrezesh kthen vesën në ar
Thithka ka 37 rubinë si kjo kodër me gjëagjëza lulesh e tërfila magjistarë
Dhe si këto rreze që me vesën bëjnë flori, me gjinjtë për dy njerëz ndez një zjarr.
Mbledh gjëagjëza lulesh, tërfila magjistarë, ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!
Ngjitemi në kodër gjithë butësi: gishtërinj mbi gjinj, ç’gjëagjëza lulesh, ç’tërfila magjistarë!
Moj, margaritë e vogël që lutesh në kishë vese, mbi ty “më do s’më do” lozin mëngjeset
Mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë që shpirtin njerëzor e kthejnë në ar
Moj, margaritë e vogël me fatin në petale pse dridhesh kaq me frikë si mollëza në kitarë
Të gjeta margaritë tek merrje frymë në bar, mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë
Ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!
Po ngjitemi në kodër ku Hëna po hap pajën e margaritë e vogël nis të qaj, të qaj
këto lotë margarite njomin pajën mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë
mbi kodër shtrihesh ti: ç’magji e bardhë mes gjëagjëza lulesh, tërfilash magjistarë
zbërtheni gjëagjëzat tërfila magjistarë: diçka thonë për mëzat që rendin nëpër bar
diçka për xixëllonjën habitur përmbi gji, xixëllonja tjetër mburret se është zjarr
a e di moj ti, a e di moj ti se dhe xixëllonjat bëkan dashuri…
Ç’alkimist i marrë! Ç’alkimist i marrë!
Të dy shtrirë mbi kodër mes lulesh, xixëllonjash, nën Hënën që botës i shpall pajën
tërfilat magjistarë të dyve na mbajnë hopa : ne puthemi në ajër, ne puthemi në ajër!