QIELLI IM – ATI (Pjesa e parë) / Fragment nga poema e autorit Ilirian Zhupa

 
Fragment nga poema e autorit Ilirian Zhupa
 
 
QIELLI IM
 
ATI
 
Pjesa e parë
 
1.
Në emër të Atit,
Që e kërkoj dhe s’e shoh asgjëkund,
Po thonë se banon diku
Në qiejt e lartë, të pafund.
Në hapësirën që mblidhet dhe shtillet
Përjetësisht pa cak e pa anë,
Shfaqet një çast e prapë fshihet
Nga sytë dhe veshët tanë.
Sipër nesh, brenda nesh, përbrenda,
Poshtë edhe lart
E parrokshme në prekje si ëndrra,
Po e ndjeshme në gjak.
Dhe thonë na mban gjallë
E na mbron e na sheh,
Gatuan në magjen e rrallë
Dritë, terr e rrufe.
Na dërgon dashuri e urejtje,
Paqe, lindje e luftë,
Nginjie, pasione dhe etje,
Uri njerëzore dhe bukë.
 
Për mëkatet që bëmë dhe do bëjmë
S’ndëshkon ne, po birin e vet…
 
..Dhe na ruan siç ruajmë gjërat
Në këtë enë qielli të qelqtë.
 
 
2.
Qielli im,
Mos je vallë cipa e vezës brenda së cilës gjallon jeta ime,
Lëvozhga që sigurisht do e thyej
Kur të vendos të dal hapësirave?
 
 
3.
Nëse je vërtet zhgualli i gjallesës sime të brishtë,
Lëkura e tokës që fsheh ethe dhe plagë të gjakta,
Lëkura e maleve, mbuluar në majat e zhveshura me borë e me ngricë,
Si me bandazhe të pastra.
 
Nëse je pelte e kaltër, që mban pezull në ajër diellin dhe shpendët,
Gjer në perëndim të ditës e pastaj i lëshon përdhe,
Siç lëshojmë përdhe jo sendet, po vezët dhe dashurinë tonë që çmendet,
Të ngrohen e të çelen atje.
 
Nëse je ankth gjumi që fryma të bëhet vesë çdo ag mbi fijet e barit,
Dhe qumështin e ditës e derdh dalëngadalë mbi gjendjen përqark,
Duke na sjellë rizgjimin , ndijimin, të prekurit, të parit,
Ke hak.
 
 
4.
Bëhu tejqyrë të shoh larg dhe jashtë,
Mos më verbo me ditën tënde
Që më shfaq vetëm blunë, të cilën s’e përshkon dot shikimi,
Me një diell verbues,
A me një lëvozhgë të mbetur hëne,
 
Me pak re të shprishura pendimi.
Me pak erë fëshfëritëse,
Kur ti merr frymë e dihat angështie,
Me ca gjëmime e litarë vetëtimash,
Ku varen vetëm breshëri dhe shiu,
Dhe s’ngjiten e zbresin dot, pavarësisht prej tundimeve,
As Ati, as Njeriu.
 
 
5.
Në vend të syve
Unë pashë te ajo dy copa deti e qielli të kaltër,
Kur rashë në dashuri.
Duke dashur atë, o qielli im i ajërt,
Më shumë të desha ty.
 
 
6.
Ti je mitra e butë delikate,
Që i mban brenda të gjitha,
Magja ku gatuhen dhe nata dhe dita.
 
Arka biblike e Noes
Në mes të vrimave të zeza,
Gjeli dhe pula, fara dhe veza.
 
Ti je mëma e ujërave
Që bëhen kroje e lumenj të pastër,
Dete dhe oqeane, që gëlojnë nga jeta e kripur e kaltër.
 
Lëmesa e bimës,
Cipa e lëngëzuar e syrit,
Që mbrojnë në emër të Atit dhe Birit.
 
Ti je një djep që përkundet
Si nga një dorë amësie,
Që na ushqen me heshtje, dritë dhe hije.
 
Që na lind e na vdes,
Me një dashuri të rrallë,
Vetëm nga urdhëresa të na mbash gjallë.
 
Ti je kujtimi po dhe kuptimi,
Në këtë botë mohim-krijimi.
 
 
7.
Burri është farëhedhësi
Që mbjell gjithësinë,
Gruaja është toka
Që lind frymë dhe bimë.
 
 
8.
Piktura ime në qiell, s’ngjan me pikturën time në tokë, është ndryshe,
Atje prej avujsh dhe drite, këtu prej mishi, uji dhe kocke të mprehtë,
Atje një pikture futuriste,
Këtu një statujë e zënë në rrjetën e hijes së vet.
 
Atje është e lirë të shkojë në dhera dhe dete të tjera, pra ku të dojë
Pa kartë identiteti me shenja gishtash dhe pa pasaportë për udhëtime jashtë,
Pa patur frikë se s’do e kuptojnë, do i’a zënë fjalën në gojë,
Dhe do e kthejnë mbrapsh.
 
Gjithmonë e kam patur zili, pikturën time qiellore, lëvizëse,
Të lirë nga kanonet, kafazi i lëkurës dhe trupit, ekzistencë njeriu,
Që ngjitet në ajër me lehtësinë e avujve të ujit,
Për t’u rikthyer në formën e shiut.
 
Që ngrihet në këmbë si një pemë e hajthme, si një flakë e shpejtë zjarri,
Pa u drojtur nga tymi, era dhe terri i frikshëm i trishtë,
Që bëhet dhe prishet gjithmonë për së pari,
Sërish.
 
Vazhdon

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s