Poezi nga Sahit F. Osmani

 
Poezi nga Sahit F. Osmani
 
 
KOSOVA NË MARSIN E 1999-tës
 
Dridhej toka si në një tërmet shkatrrues
lulet e sapoçelura vyshkeshin si nën brymë
Marsi i 1999-tês zezoi në Kosovë.
 
Pranvera lulëzoi me ajër të përflakur
zogjtë e uritur nga dega në degë
shikonin çerdhet, kur digjeshin pamëshirshëm,
Përpëliteshin dhe binin përtokë.
 
Njerëzit e Kosovës në sy të botës
vdisnin trimërisht për truallin e atit
vdisnin trimërisht për dheun e mëmës
duke i ndaluar plumbat me trupin e tyre
të mos ua vrisnin fëmijët
bota s’kishte fytyrë të merrte pjesë
në dhimbjen e tyre.
 
Zemërimi e humbi durimin
filloi të bubullojë qiellit të turbullt
rrufeshëm t’i këpuste prangat e robërisë
për të aguar ditët e pavdekshme
për të shkëlqyer gjaku i lirisë.
 
 
DASHURI E PËRJETËSUAR
 
E shkrova emrin tënd në pergamen të zemrës
letër e bardhë se duronte ngjyrën e gjakut
dikur e pata shkruar emrin tënd në këtë lis
– pellazgjik, që ka lindur e u rrit në këtë truall
 
Udhë e gjatë është jeta për kohën e shkurtër
degëve të saj rrufetë hapnin plagë
të paudhët ditenatë prita të zinin
që ti të mos rriteshe e bukur djepin donin
                                                të ta vrisnin
 
Sot mes degëve të zemrës që i ka rrënjët
                                                     në dritë
zgjas dorën t’i prek sythat, lulet, gjethet, frytet
ndonëse ti je lartësuar kurora jote i prek yjet
në pergamen të zemrës sime s’je vetëm emër,
                                 por dashuri e përjetësuar
 
 
GJUHA E HESHTJES
 
Kush e kupton gjuhën e heshtjes
e mund çnjerëzoren dhe të keqen
i bën ballë kohës për t’i ikur vdekjes
 
E gjen lumturinë në udhët e jetës
harmonizon mendimet me mrekullinë
e heshtur
me fije të padukshme e lidh shpresën
 
Në hapësirën ku veprohet
perlat e heshtjes rrezatojnë mbi durimin
ballë për ballë për ta ndryshuar të ligun
 
 
E DUA GURIN
 
E dua gurin që peshon në vend të vet
njeriun që s’gjunjëzohet e ngadhënjen
lisin kurorëlart me rrënjë në shkëmbinj
që asnjë stuhi nuk mund ta shemb dot
 
Sa herë marr udhën dhe nisem për larg
forcë më jep guri qysh në hapin e parë
ai më mban peng zemrën e dashurisë
pesha e tij më tërheq s’më le të tretem
 
Guri m’i peshon fjalët me heshtjen e tij
si i ngrirë që është s’më le të robërohem
për një gabim të vetëm , e nëse përulem
në greminë do t’më hudh nga çdo lartësi
 
 
“ÇOHU BIR ,SE TY VARRIN TA RUAN NANA”
 
Në kujtesën e kalendarit historik të jetës
Kaloi dhe një ditë e dhimbjes së madhe
Pranë varrimeve e zhvarrimeve të eshtrave
Koha dhe gjaku si harron më të dashurit
 
Ata ecin drejt thellësive të zemrave tona
Ku gjaku na bashkon dhe me dashuri troket
Një nyjë lidhëse e lotit që i lëkund dhe malet
“Çohu bir, se ty varrin ta ruen nana!”
 
*Varg nga eposi popullor
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s