MOSMËJA / Shkëputur nga libri “Dhimbje mërgimi” të autorit Bajram Karabolli

 
Shkëputur nga libri “Dhimbje mërgimi” të autorit Bajram Karabolli
 
 
MOSMËJA
 
Isha pajtuar tashmë edhe me të keqen më të madhe: me tradhtinë e miqve. Thellë, së brendshmi, ndjeja një plagosje që më ishte bërë e pranueshme e madje e afërme. Po ato që ndodhën më mbrapa, atë vit të zi, ishin më se tronditëse edhe për një gjendje shpirtërore të mpitë si ajo imja.
Nëntëdhjeteshtatë! Vit i ububushëm. Rrugët, pyjet, lumenjtë, ajri, tërë vendi, u mbyt në urrejtje, mllef, tërbim. Mllef pushtet-humbësish, tërbim fanatikësh të indoktrinuar. Nuk ishte parë më që, nga tribunat e politikanëve dhe faqet e gazetave, të hidhej aq shumë baltë dhe urrejtje mbi vëllain. Urrejtja, shpifjet, thashethemet, abelofobia dhe histeria dolën jashtë kontrollit dhe bënë batërdinë. Politikanë, të cilët duke tundur kërcënueshëm gishtin tregues dhe duke shfryrë bulçitë, me zell e kënaqësi, bashkë me copat e pështymës hidhnin mbi popullin e tyre virusin e tërbimit. Ku paskëshin qenë tërë ata gazetarë, të cilët, djallëzisht dhe qëllimisht, i spërkatnin fjalët me vrer për të helmuar lexuesit e tyre?! Dhe sa të lumtur ndjeheshin, të dy palët, kur shikonin se efekti i veprës të tyre mynxyrëmadhe qe i plotë! I vunë zjarrin atdheut të tyre “të dashur” e pastaj ngroheshin në atë flakadanë, duke fërkuar duart e buta e “të pastra”…
…Një nënë në autobus, duke përshkuar qytetin përcëllimë të Beratit, e entuziazmuar, duke i treguar godinat e bëra shkrumb nga tërbimi i kuq, i thoshte së bijës dhjetë-dymbëdhjetë vjeçe: «Shiko, shiko si i kanë përvëluar. Oh, sa mirë ua kanë bërë! Po këtë këtu pse nuk e kanë djegur?» Dhe ajo që fliste kështu ishte një nënë. Një qenie, të cilën Zoti e ka bërë për të krijuar jetë. O Zot, e shikon dhe e duron këtë gjë, për të cilën nuk gjej dot fjalë që ta emëroj?! Në Vlorë, tjetër kulm mizorie: oficerin e plagosur të Shikut e kapin të gjallë dhe ua shpien për kurban demonstruesve, shumica e të cilëve qenë femra, pra, nëna. Aty e linçojnë, derisa jep shpirt. Një femër, një prej krerëve të demonstruesve, gjerb dy-tri gllënjka gjak prej trupit të coptuar të viktimës. Kulmi i urrejtjes komuniste kundër armikut të klasës. Kjo militante partie, për “merita” të veçanta, pas disa muajsh hyri në Parlament me mandatin e deputetit të majtë. Vini re: përsëri një nënë…
Po në Vlorë, masakrohet prej “djemve të Vlorës” (kështu i quante atëherë bandat e kmerëve të kuq një gazetar i njohur) një i sëmurë psikik. Kjo ndodhi vetëm pse çmenduria e mëson fatkeqin t’u përgjigjej: po, jam i Shikut…
Kërdive barbare të Atilës, Çingis Khanit dhe Pol Potit iu shtua edhe vandalizmi shqiptar i 97-ës. Gostì gjaku në prag të shekullit 21. Një sofër e përçudur kanibalësh me emrin e njohur: “Komitetet e Shpëtimit Publik”. Komitet. Komitet i Partisë. Komiteti Ekzekutiv… o Zot, prapë na kthyet tek ato? Nuk hoqët dorë prej tyre?!… S’kishte emër më të gjetur për të kryer e justifikuar vrasje vëllezërish. A s’ishin këta të famshëm komitete, të cilët më se dyqind vjet më parë shpikën gijotinën, mjetin më makabër për të prerë koka njerëzish? Komunizmi shqiptar, i mbaruar, kthehet dy shekuj pas për të rigjetur vetveten, për t’u karikuar me urrejtje dhe tërbim, për të grabitur pushtetin me dhunë, siç i udhëzon “Manifesti i Partisë Komuniste”. Teori dhe praktikë terroriste.
Dhe sa vite të tjera mbrapa do t’i kushtojë atdheut kjo hata? Kjo s’ka fare rëndësi për ata. Për ata ka rëndësi vetëm karrigia.
Urrejtje e kuqe. Terror i kuq. Morr i kuq. Flamë e kuqe…
Perëndi e madhe, nga na erdhën këto gjëma?!…
Nëma më e rëndë për shqiptarin është: «Të humbtë varri!» Këtë nëmë e realizoi vetëm komunizmi. Mijëra shqiptarë mbetën pa varre. Gjyshes time, ndjesë pastë, komunistët i vranë tre vëllezër dhe nuk dinte ku i kishin eshtrat. E dëgjoja që hiqte në zemër dhe lutej: «O Zot, ku t’i qaj?» Shpirtplagosura, tërë merak, na porosiste: «Aman djemó, ruajuni se ka ardhur mosmëja!» Po të ishte gjallë e mira gjyshe, do thoshte: «Ç’mëkat kemi bërë, o Zot?! Prapë na i dërgove mosmënë?!»
Komitete të Shpëtimit Publik në një vend demokratik. Ç’ironi! Me lista të zeza ekzekutimi të kuq. Me kallashgijotinë në dorë për hakmarrje primitive. Në krye të një komiteti të tillë famëkeq edhe një i njohuri im, me të cilin kisha pirë disa herë kafe. Më thonë se e kishte shënuar edhe emrin tim në ato lista. Në fillim s’doja të besoja. Sigurisht ishte naiviteti im, sepse kush di për revolucionarët dhe terrorin e tyre, s’do ta vinte në dyshim…
Ky ishte realiteti. Kjo ishte mosmëja. Atëherë, i dëshpëruar e me zemrën copë, thashë: do të vdes sa më larg këtij vendi që quhet atdhe. Tradhtar! Po kujt nuk i vunë këtë damkë komunistët? A s’u thanë tradhtarë kryepatriotëve si Gjergj Fishta, Faik Konica, Mitat Frashri, Ismail Kadare, etj.? Frikacak! A s’i quajtën kështu edhe më trimat si Hysni Lepenica, Abaz Ermenji, Safet Butka, Qemal Burimi, Isuf Luzi, etj.?
Dhe ika shpirtvrarë. Po të ktheja kokën pas, ç’do të shikoja? Politikanë histerikë që bëjnë thirrje për vëllavrasje dhe që, fatkeqësisht, janë më të votuarit; gazetarë që në vend të penës kanë marrë në dorë urën e zjarrit dhe që, fatkeqësisht, janë më të lexuarit. Dhe për pasojë vijnë komitmerret barbare me furçën ngjyer në gjak, për t’i lyer kokën atdheut. Sepse boja e kuqe e tyre, tani është mbaruar.
Dhe ika buzëplasur.
 
DEL VISO (GRAND BUENOS AIRES), 28 nëntor 1997
Marrë nga libri “Dhimbje mërgimi” Shtëpia Botuese UEGEN, Tiranë, 2021.
 
 
bajram Karabolli
 
Autori: Bajram Karabolli

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s