GREKET / Fragment nga romani “JACKPOT” i autorit Grigor Jovani

 
GREKET
 
(Fragmente nga “JACKPOT”)
 
Ishte njeri i ndershëm. Pronari im, zoti Filopullos. Familjar i mirë. I përkushtuar. Dhjetë herë në ditë i telefononte gruas në shtëpi. 100 kile dhe ajo, si ai. Ndryshimi ishte se ajo nuk punonte. Edhe nikoqirllëkun të huajat ia bënin. Me pagesë. Kishte probleme me mesin. Doemos, po të nguleshe gjithë ditën tek karrikja e “kum-kanit”, me gruan e xhaxhait tim dhe me të tjerat, do të të zihej. Vu pastaj masazhet. Doktorët e fizioterapisë. Vizitat në shtëpi, tek klinikat e posaçme të Vulës. Kurse Filopulos djersinte në punë gjithnjë e më shumë. E brente ankthi, si mola, ndonëse së jashtmi nuk i dukej. Me një frymë, t’i arrinte të gjitha. Hallet e punës, të shtëpisë. Gjente kohë ama, ndërmet rendjeve të tij të përditshme, për telefonatat rozë të dashurisë bashkëshortore:
– Ç’bën tani pëllumbesha ime? Ç’dëshiron t’i sjell burri i saj, kur do të kthehet?
Vasoja, kolegia jonë, “kryeshembellani” që kishte caktuar në punë, nxihej kur e dëgjonte. Nuk i duronte këto, pasi vetë nuk kishte patur fatin t’i shijonte kurrë. I shoqi e kishte lënë për një tjetër, me fëmijën në bark, një vajzë që tani e kishte me familjen e saj në Amerikë. Nganjëherë harronte dhe mendimet i shprehte me fjalë, natyrisht, me zë të ulët, sikur i fliste vetes:
– Përkëdhele, përkëdhele! Buldozën! Një ditë nuk do t’iu zë krevati… Kështu, si jeni bërë! Ajo nga plënci që i rritet përditë dhe ti nga budallallëqet…
E kisha paragjykuar Vason. Nuk ishte njeri i keq. E vuajtur ishte. Nuk e kishte problemin me mua, personalisht. Nuk besonte më tek asnjë burrë. Kishte problem me ta. Kështu shpjegohej dashuria e saj për Olën time, i kujtonte vajzën, që e shikonte një herë në vit, dy javë në verë, kur vinte për pushime. Mua gjithmonë në citë. Bëj këtë dhe bëj atë. Gjithë ditën në prizë. Olën gjithë përkujdesje. Ia kisha mësuar këtë huq. E merrja me shaka. Zbutej. Tangërllëkun e burrave nuk duronte. Shpirtin e kishte të mirë.
Prej Olës, dalëngadalë u afrua edhe me mua. Pa shumë-shumë. Vazhdoja të isha burrë. Pakësoi me kohë presionin. Më linte të merrja frymë në punë. Kur Ola gjeti punë tjetër, u mërzit. Ishte lidhur me të. Një herë m’u lut t’i thoja Olës të dilnin për kafe. Nuk kishim atëhere celularë. As tek shtëpia jonë kishim telefon. Përdornim telefonin lart, të zonjës Marie. Për çdo gjë. Portën hapur e kishim. Hynim pa trokitur. Edhe të trokisnim, nuk do të na e hapte kush. Për shkak të moshës së kaluar, nuk dëgjonin ose i zinte gjumi në karrike, duke parë televizor.
E ftova Vason të na vinte në shtëpi.
– Vërtet! – u habit.
– Pse jo? – i thashë unë. – Kaq kohë hamë bukë bashkë në punë. Ç’bëhet po ta hamë edhe tek shtëpia jonë? Pastaj, ç’frikë ke, se të bëj ndonjë korte?
– Na, pika ty! Do lësh Olën për mua plakën!
E pashë që ishte e kënaqur. E donte miqësinë tonë. Erdhi, një të djelë pasdite. U prek kur përqafoi Olën. E mbajtëm për darkë. Na tregoi historinë e saj. U preka dhe unë. Ia bëra hallall të gjitha mundimet e punës. Kur e përcollëm gjer tek stacioni i autobuzit, në Leoforën “Amfitheas”, bëri një përjashtim, më puthi edhe mua. Si Olën.
– Je djalë i mirë! – më tha.
Na mallëngjeu të dyve, kur na propozoi:
– Kur të bëni fëmijë, dua ta pagëzoj unë!
Nga ajo ditë, sa kohë qëndrova në atë punë, nuk më ra kurrë në qafë. Përkundrazi. Merakosej për mua. E tregonte. E kishte vënë re edhe Filopulos dhe guxoi të bënte një shaka:
– Ngjet gjë me ju të dy?
Dinakërisht, por pa të keq. Ç’e donte! Ajo grua, që i bindeshe në punë si një profiti, u nxi e tëra në fytyrë dhe mori flakë:
– Burrat kanë vdekur për mua me kohë, zoti Filopulos! Janë të gjithë qelbësira! Këtë e kam si djalin tim! Nuk e di nëse e ke harruar: jam edhe unë nënë!
Filopulos u tremb. Vason e kishte krah të djathtë. Qen të tillë të bindur nuk gjeje askund. Nuk ishte për ta mërzitur. U mundua ta merrte me të mirë.
– Na, moj Vaso, – i tha. – një shaka bëra edhe unë… Pse, me alvanosët do të shkoje ti?!
– Shakatë me të tutë! – ia preu ajo, duke mos ia pranuar ndjesën e fshehur tek humori, pasi e kishte lënduar atje ku nuk mbante, tek burrat.
Burrë i ndershëm Filopulos, pa të keq. Vetëm se ishte nevrik. Por nuk bëhej të të hante hakun në pagesë. Asnjëherë. Gjithmonë shtonte diçka më shumë në rrogë. Në fund të javës, kur më paguante. Ishte i dhimbshur. Por të hante shpirtin me të tjerat. Me vogëlsira. Njeri meskin.
– Të kam thënë që kafenë të ma sjellësh në gotë të zakonshme uji, jo me plastike? As këtë nuk e bën dot!
Nxehej. Sikur i sillje helm, jo frapenë e tij me pak.
– Ç’të bëja unë, afendiko! E kishte bërë gati Andrea! Kështu ma dha, tek plastikja.
– Po të të jepte bombë, ai budallai, do ta sillje?
Ç’ishte më e keqja, shante. Kusuri i tij. Kur nxehej – zakonisht merrte zjarr për hiçmosgjë, të rëndësishmet i kalonte më qetë – shante ndyrë. Me nënë, me motër, me ç’kishe në shtëpi. Kisha vënë re që grekët nuk e çanin shumë për këtë. Shaheshin të gjithë. Me ç’t’u vinte. Nuk e kishin për gjë. Kështu shkarkoheshin. Në rrugë, për përparësinë e kalimit me makinë, në telefona me familjarët, në punë, për gjëra kot. Thua ti, nuk do të fliteshin më me njeri-tjetrin. Pas pak, sikur nuk kishte ndodhur asgjë. Të ishim ne, do të ishim vrarë. Ata e harronin minutit tjetër. Bënin mbrapsht, pasi ishin sharrë. Ndonjë kërcënim i lehtë, tek-tuk, për të ardhmen, nga më trimat. Asgjë tjetër. Këtë as e kuptoja, as e honepsja dot.
I kisha thënë një herë:
– Më mirë më mbaj paratë nga rroga, se sa të më shash. Ne andej lart nuk durojmë të na shajnë.
– Po Hoxhën, si e duruat pesëdhjetë vjet, t’iu pallonte nënat dhe gratë? Ik, or pirdhu këtej, më thua mua…
Ç’t’i bëje! Të ishte dikush tjetër do t’ia kishte futur me grusht turinjve. Mut do ta bënte. Unë nuk isha i këtij sporti. Le që e njihja, dreqin, e kishte pa të keq. Por mërzitesha shumë. Dukej kjo.
Vasoja mundohej të më përmbante:
– Rri urtë, kështu është ai. Po t’ia vija re unë, do të më kishte lënë me barrë! Prej kohësh!
Më zbuste menjëherë. Vetëm kjo nuk mund të ndodhte. Ai nuk e tradhtonte kurrë buldozën e tij. Dhe të vdiste. Kurse Vasoja kishte ndot nga burrat. Asnjë grua në botë nuk kishte mbetur shtatzënë me fjalë.
 
 
grigor
 
Grigor Jovani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s