ME SYTË E FËMIJËS / Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani

 
Fragment nga romani i autorit Resmi Osmani
 
 
ME SYTË E FËMIJËS
 
E ndërmjetme.
 
Ky ishte dimëri i mjerimeve tona.
Si të mos mjaftonin uria dhe sëmundjet që kishin pllakosur, dimri i atij viti do të mbetej i paharruar për prapësitë e tij .Nuk kishte qiell të hapur për ditë të tëra. Veçse re të përhinjta, të kërleshura, ulur rrafsh, shtjella mjegulle, bubullima dhe rrufe, erëra nga të katër horizontet që sillnin retë e shiut. Barku i reve të mbarsura, goditej e përgjakej nga rrufetë dhe, derdhnin pjellën e tyre, litarët e shiut për ditë të tëra pa pushuar. Rrëmet si në ditën e kiametit. Ujërat e verdha, që zbritën nga kodrat qorrazi e vrulltazi teptisën në fushë, Shesholli u mbulua një pëllëmbë nga uji.Kasollja e Ervehesë,mbeti si ishull në detin e ujrave. Kanalet u mbufatën, uji, si të nxirte inatin dhe zemërimin harbohej e shkumëzohej me flluska dhe lylaz. Para pragut, Erveheja me të bijtë, lartuan një pritë me plisa, që të mos u hynte uji brenda, por notia, uji që thithej nga toka, e zbrujti dyshemenë e dheut, dhe shtresat u notitën nga lagështia e ajërit dhe mbanin era myk. Ervehesë i filluan dhimbjet e kyçeve të këmbëve nga reumatizma. Ftohtë,lagështi, llucë e baltë. Dridheshin nga të ftohtët. Drutë e njoma mezi ndizeshin në vatër dhe bënin më shumë tym sa u digjnin sytë, se sa ngrohnin.
Delet mbetën të vathuara dhe blegërinin nga të pangrënët.
Pulat kakarisnin në qymez.
Fshati nën shi,me retë e ulura rrafsh, e mjegullën e përhinjtë, dukej i shkretë, si i vdekur.
Ditën e tretë shiu pushoi. Toka i piu ujërat sa u ngop, e që të çlirohej sish, tepricat i përcolli hendeqeve e kanaleve në rrugëtimin e tyre për në det. Qielli u hap, por frynte veriu i ftohtë që të thante dhe netëve nga ngrica pellgjet ngrinin kallkan.Të priste si brisk acari i ftohtë. Në qiellin e kthiellët u dukën lajmëtaret e dimrit të acartë: tufat e rosave dhe patave të egra që të rreshtuara në formën e shkronjës “V”fluturonin për në lagunat e bregdetit.
Fshati u ngjall. Njerëzia nxorën bagëtinë dhe, me lopata në duar shkuan në ara për të kulluar ujërat , që të mos kalbeshin të mbjellat.
 
***
“E mbaj mend mirë. Duhet të isha në moshën që ka Idrizi tani.Një vajzë që s’është më fëmijë, por edhe një fëmijë që s’është bërë ende vajzë. Luftërat që, kishin kaluar edhe në Çamëri, kishin shkretuar vendin, të mbjellat dhe të korrat.Të mëdhenjtë thoshin se kishte nisur zija e bukës.Në magjen e familjes sonë të madhe, nuk zihej më brumë e s’piqej bukë. Nuk e kuptoja se ç’ishte zija e bukës, por urija ishte ulur këmbëkryq, na grryenin zorrët dhe na dridhej buza për një kafshore bukë. Në darkë nëna, kur e pyesnim se “Ç’farë do të hamë sonte moj nënë,? Na thoshte shkoni e flini se po vjen Dexhalli , e ne të trembur shkonim e binim në shtresa. Përditë vdisnin njerëz, nga uria edhe nga kushërinjtë tanë.Pas urisë vjen vdekja, prandaj i thonë edhe zia e bukës. Nga uria nxijnë edhe trarët e shtëpisë!Të qarat,në përcjellje të mortit, nuk pushonin as ditë as natë.Të vdekurit mbeteshin dit pa u varrosur,në mes të shtëpisë, se të gjallët s’kishin fuqi të hapnin varret e ti varrosnin!Fshati u gjysmua.E kështu derisa erdhi shpëtimi: ra drapëri në elb që piqet më shpejt e më pas në grurë.
Qysh atëhere, nuk e kisha menduar, se në të gjallë të mi kur do të isha nënë me fëmijë, do të më pllakoste së dyti zija e bukës. Fëmijët janë hequr e dobësuar sa mezi mbahen në këmbë, sytë u feksin si në ethe. Zemra më bëhet copë, ngashërehem e më vjen të qaj, por e mbaj veten. Më vështrojnë me ca sy të veshur nga lotët të pikëlluar e lutës. Presin nga duart e mia. Por ç’tu jap shpirtin? Nënë qofsh, e nënë mos qofsh! Mbahemi gjall me lakra, një grusht miell( kur na gjëndet) që i ziejm me qumësht.
Po nesër? Zoti është i madh!
Ai na e ka dhënë, ai na e merr jetën!
 
***
Uria, Zija e bukës! S’ka bukë, por buka është palca e jetës. Pyetja “E çdo të hamë moj nënë?, Ska përgjigje. Nëna s’ka ç’të na jape veç dhimbjes dhe dashurisë, por ato s’na e shuajnë dot urinë.Më dhimbset, ështe hequr në fytyrë dhe i janë shtuar rrudhat, kaq vuajtje në sytë e saj, vuajtje nëne për fëmijët, që janë jeta e saj. M e se do të ushqehemi? S’kemi ç’të përtypim veç dhimbjes sonë dhe do t’a kapërdijmë me lotët tanë. Fantazma e vdekjes, ashtu si e kam pare në figurat e librave, me atë kafkën e neveritshme dhe kosë në dorë, vërtitet rreth kasolles sonë. Prêt që ne të shuhemi nga të pangrënët dhe të na marrë në mbnretërinë e saj të nëndheut.
E ka kot, ne nuk dorzohemi,si thotë xha Nexhipi ”Sa kemi frymë ka edhe shpresë.”
Pse ndodhi? E nga mund ta di? Nga ato që dëgjojmë, thonë që u mboll pak misër e grurë, se arat u zunë me luledielli, pambuk dhe recin se i donte Jugosllavia. Pa sa për grurë e misër, ajo i kishte hambaret dinga, për vete dhe për ne. Po atë verë bëri thatësirë e madhe dhe misri nuk ra në kalli. Miqësia me Jugosllavinë u prish.Andej gruri dhe misri i premtuar nuk vjen më.
Dajë Loni, më thotë ca fjalë të urta, që t’i di dhe mbaj mend:
“ Kali i botës të lë në udhë!”
“Nuk mbahet shtëpia me miell hua!”
Dajë Loni, thotë se nuk janë të gjithë në një hall. Zija e bukës është për ca e ca. Rrapi Dimua dhe ca të tjerë që i ujitën arat, i kanë grazhdaret plot me misër. Në hall tonë janë edhe dajët dhe tezja e nënës. Vijnë na shohin,na japin zemër, por nuk na ndihin dot. Me se do të mbahemi gjall?
Bashkë me motrën, Gjylen, marrim thikat dhe një trastë e dalim fushave për lakra të egra. Nevoja na bëri t’i njohim ato që janë të ngrënshme: llapsanat, që këtu u thonë rrapicë, sinapin e zi e të bardhë, lëpjetat, lulkuqet,gjuhëdelet, radhiqet, marain, hithrat, orsholli, qumështoret. Nëna i lan e pastron, i grin dhe i zien me qumësht e një grusht miell, me kripë dhe djathë të njomë nga qumshti I deleve tona. Kjo është gjella që mbledhim vaktet. Erdhi një kohë që edhe lakrat u mbaruan, , për t’i gjetur shkonim larg e më larg, se s’ishim vetëm ne që i mblidhnim.
Në kodrat midis Shënmarinës dhe Pojanit, kishte ullastra, që ne u themi arglidhe. I kisha parë kur shkoja me dele. Atë vit ishin plot kokrra. Shkova tre dit radhazi dhe vola sa munda, nga ato që i kishin kokrrat pak më të mëdhaja. Sido që kokrrat ishin të vogla e me pak tul, i çam me gur, nëna ua hoqi hidhësirën me finjë, i kripi dhe ne i hëngrëm me shije si gjënë e mirë.
Uria ha dhe gurin!
Nga ndihmat për të vobektit, na dhanë disa kuti kartoni. Shkruanin “Fava” dhe kishin të stampuar një flamur me vija kuq e bardhë dhe sipër, majtas, një katror blu me yje të bardhë dhe më posht tri shkronja të mëdha “USA”. Ishin me bathe te bluara dhe perime të thata, që bëheshin supë e shijshme.Shumë e shijshme. Edhe ato mbaruan. Po halli, si i bëhet? Duhen shitur apo këmbyer me drith, sende që na gjënden. Një qilim i madh i leshtë, i kuq me zbukurime, që kishte shpëtuar nga plaçkat e çamërisë, u këmbye te Rrapi Dimo me tri karroqe misër. ”Nuk është pak?- “Po deshët, asnjë kokërr më shumë!”-tha neqezi. Më pas i erdhi radha vidhit. E bleu një qerrepunues.Thoshin se druri i tij ishte më i miri për bucelat e rrotave të qerreve.
Vidhi madhështor, me trung që se zaptonin dot dy burra, që zinte fill nga toka dhe me degët në qiell, ishte shoku im.Sa halle kisha qarë me të sa të fshehta i kisha thënë! Më dëgjonte dhe përgjigjej me gjuhën e tij të fshehtë, frushullimën e gjetheve,që vetëm unë e kuptoja, më përshëndeste dhe më dlirte me këngën e bukur të zogjve që strehonte, më flladiste verës me hijen e kurorës. Mbështesja shpatullat në trungun e tij, mbyllja sytë dhe ëndërroja gjëra të bukura. Besoja se natën, prralltari plak, kuvëndonte me hënën dhe yjet.Ja kisha zili.
Erdhën dy druvarë, me sharrë e sopata.I sëlluan sa u hante krahu, e ndjeva sesi rënkoi kur bujashkat u shkëputën nga trungu, si mishi nga eshtrat, pastaj e sharruan, dhëmbët mizorë të hekurt po i kafshonin zemrën, filloi të dridhej e pastaj jetëprerë u vidhis me rrapëllimë, toka që e kishte ushqyer e rritur, u trand dhe psherëtiu. Më erdhi për të qarë. Pastaj trupin e sharruan kondur-kondurë dhe e ngarkuan në qerren që e tërhiqnin dy buaj të zez. E zezë dita, të zez buajt. I ndoqa me sy sa u larguan, mu duk se përcillja një xhenaze.Si të kishin vrarë një njeri! Në shesh mbetën dgët si ca gjymtyrë të trupit të pajetë.
Vidhi im i dashur. Ti vdiqe trimërisht. E prite vdekjen në këmbë.Ty që s’të kishin rrëzuar shqotat shtrëngatat dhe stuhitë, të rrëzoi sëpata e druvarit.
Falna! Ti vdiqe që të jetojmë ne!
Damani shkoi në tregun e Fierit dhe bleu një thes me grurë. Nuk e bloi në mulli se të mbanin ujem. Haxhibeja, e dule Bacit na dha hua mokrën e saj të gurtë dhe ne e bluam në të grurin nga pak përditë. Mielli dilte pak i ashpër, po kjo s’na prishte ndonjë punë.
E shtym deri në buzë të pranverës. Një javë para Pashkës, erdhi një xhambaz dhe bleu qingjat. E padurueshme! I kisha rritur vetë, ishin dashuria ime, dhe ata do ti shkonin në thikë! Oh, ç’tmerr,kur e mendoja! Ai u lidhi këmbët dhe i ngarkoi në karrocë si të hidhte ca gurë. Ata blegërinin,be-be-be, si ta parandjenin se ç’i priste.Më therte shpirti. U turra dhe rrëmbeva Rudën”Këtë jo”- bërtita- është ogiçi im- nuk ta jap! Me Rudën në duar ja thera vrapit. Ruda ishte e veçantë, e racës “Rude” e kishte pjellë Bejka. Kërcinjtë të gjatë, turiçkën të bukur, pak krrute, leshin të butë e të dredhur dy rrezhda si vathë nën gushë dhe ca sy të bukur. Ishte femër. E kisha mësuar manare dhe më ndiqte pas.Ishte shoqja ime!
-Zonjë, do ta mbani atë qingj që mori djali?-Pyeti xhambazi.
Nëna pohoi me kokë.
Disa dit delet blegërinin, kërkonin qingjat.Ishin nëna, u kishin marrë bijtë!
Po ç’ti bënim? Nuk thonë kot, që gjëja e gjallë të mban gjall.
S’kishte mbetur më asgjë për të shitur. Do ta shtynim edhe ca kohë.
 
***
“ Ah, po s’ishte vetëm uria. Na u shpifën morrat.Sikur i pillte dheu, që të na pinin edhe atë pikë gjak që na kishte mbetur. Në kokë, fshehur midis flokëve, në trup nëpër palat e rrobave.Mizëri! I përvëloja teshat dhe i vija në finjë, por me t’i veshur, po ajo gjë. Djemve ua qetha kokat, por vajzave ç’tu bëja? I krihja me krehër dhembëdendur, por pa dobi. Na hante trupi dhe kruheshim sa na dilte gjak! Si për t’u bashkuar me ushtrinë e së keqes, u shfaq zgjebja, midis gishtave, në rrëzë të kofshëve, në sqetulla e kudo në trup ku ishin mishrat e buta. Po kësaj ç’ti bëja? Thirra infermier Demirin.” Është zgjebe –tha ai- një lloj merimange e vogël që s’shihet me sy, hyn nën lëkurë dhe bren mishin në vëndet e buta.Shtohet e bie në kohë urie. Ka ilaç, por unë nuk kam t’ua jap! Edhe në farmacitë e Fierit nuk e di kanë apo jo. Mbase është mbaruar se zgjebja ka rënë gjithandej.
Iku siç erdhi.
O zot, mëshirona, mos na jep gjithë sa ke!
Teze Selimeja për të keqen që na kishte pllakosur, i dërgoi lajm të nipit që ishte oficer në Vlorë. Ai nuk vonoi. Erdhi dhe pruri ilaçe.Për zgjeben, pomadë të verdhë, që binte erë të rëndë squfuri, për morrat një pluhur të bardhë edhe ai me erë që të shponte hundët (Më von msova që i thoshin DDT) dhe ca kallëpë sapun,ngyrë mjalti, që kishim kohë që se shihnim me sy e laheshim me baltë kreri.
Pas disa ditësh, që u lyem me pomadë dhe pluhurosëm rrobet dhe shtresat me atë pluhurin e bardhë, u pastruam, na shpëtoi nga morri që po na hante sytë dhe zgjebja që po na brente mishin.
Ju bëftë dita njëmijë!
 
***
U sëmura. Gjunjët mu prenë, s’kish takat të ecja dhe më hipën ethet. Një zjarrmi e brëndshme që më bënte për çudi të dridhesha nga të ftohtët. Nëna më shtriu në shtresa. Dridhesha dhe më kërkëllinin dhëmbët që s’i ndaloja dot. Sido që nëna më hodhi mbulesa të tjera, s’po gjeja të ngrohtë. Pas një tropari, më pushonin të dridhurat dhe më ikte zjarrmia, po isha i pafuqishëm për t’u ngritur. Gjylua më rrinte mbi kokë, më vinte pece me ujë të ftohtë kur kisha të nxehtë dhe më fshinte djersët. Më jepte zemër: “Xhan i motrës, vdeksha unë për ty. Mos bëj kështu se nuk duroj dot.Ke për të parë do shërohesh shpejt se ti je i forte” – po e zuri frika kur më pa që isha zverdhur. Sadiu shkoi dhe thirri infermier Demirin, por ai u vonua se kishte të sëmurë të tjerë. Kur erdhi, më ngriti kapakët e syve, më vuri dorën në ballë dhe nën sqetull termometrin, që e shihja për herë të parë. Pataj me një vegël që i futi dy fundet në vesh, teksa pjesën e sheshtë e të rrumbullakët ma vuri në gjoks mbi zemër dhe më tha të merrja frymë fort.Bëra si më tha
-Këtë temperaturë dhe ethet me të dridhura të trupit i jep malarja, që shkaktohet nga mushkonjat anofele- tha ai me sigurinë e një njeriu që i di të gjitha.
Nxori nga çanta një shishkë qelqi ngjyrë mjalti, me kapak metalik, që ishte e mbushur me hape të verdha.
-Ky është ilaçi, i thonë kininë, jepiani t’i pijë dy herë në ditë, mëngjes –darkë, pas buke. Është dorë me një. Në krye të javës do të bëhet qiqër! Do kujdesur edhe me ushqim sa të marrë veten.
I piva kininat, ishin helm të hidhura.
Nëna theri një pulë dhe pasi e zjeu, më dha të pija lëngun e mishit.
Nuk kisha merakun e sëmundjes, po atë të shkollës që, po bëhej java me mungesa dhe, do të mbetesha prapa në mësime.
Mësues Koçi, që e kishte marrë vesh nga Hajdëri arsyen e mungesës, erdhi të më shihte. Pashë që nëna u ndje ligsht se s’kishte ku ta ulte, por edhe nga varfëria jonë. Mësues Koçi nuk bëri të habiturin.Kishte parë dhe më keq. Pa sqimë,u ul buzë shtratit. Ata sytë e tij të rreptë që dukeshin se e përshkonin tjetrin tej përtej, u qeshën e dritësuan me dhimbsuri dhe dashuri, teksa fytyra etij kishte atë mirësi që ai dinte të na e jipte kur duhej. Më vuri dorën mbi ballë.
-Nga se? –pyeti nënën.
-Infermier Demiri tha se është malarje dhe na dha edhe ilaçin.
-I kemi afër kënetat- tha- moçalet janë shtëpia e mushkonjave të malarjes dhe, pa u tharë ato nuk shpëtojmë dot nga kjo e keqe. Puna për tharjen e tyre ka nisur.
Nëna se nga nxori një pjatancë me karamele dhe e qersi. Kafe nuk na ndodhej.
-Të shkuara, besoj se do të bëhet mirë. Sa për shkollën mos bëni merak, Idrizi është djalë i zgjuar dhe do t’i arrijë shokët.
Ndjeva se gjaku mu mblodh në fytyrë dhe u skuqa nga lavdërimi.
Kishte sjellë një kuti me qumësht pluhur dhe një paketë që shkruante sipër “Kakao”.
-Hidhi nga një lugë në qumësht të ngrohtë. Jepja në mëngjes.Do t’i bëjë mire,është e shijshme dhe e ushqyeshme.
Nëna e falnderoi.
Më uroj shërim të shpejtë dhe u largua duke lënë prapa mirësi dhe dhimbsuri si mësues edhe si prind që, i donte fëmijët si t’i kishte të tijtë.
Në krye të javës u ngrita dhe gjëja e parë ishte të vija në shkollë.
 
***
Në mbrëmje, pa rënë mirë muzgu, kur drita tërhiqet me plogështi për t’i lënë vendin mbulesës së natës, por jo aq sa për të mos shquar njerëz e kafshë, po kthehesha me delet për t’i vathuar. Më zuri syri një qeraxhi, me tre mushka.Hipur mbi të parën, teksa dy të tjerat lidhur njera pas tjetrës i vinin prapa. I shquhej festja e bardhë dhe bruca e zezë që i mbulonte trupin.Në muzgun mbrëmësor, ngjanin si tri hije që vozisnin si t’I shtynte era. E ndoqa me sy. Shkoi te shtëpia e Tafil beut, ku rrinte infermier Demiri.Thanë më pas se ishte i vjehrri .
Të nesërmen teptisi policia e lokalitetit.
Kishin hapur koçekun e Rrapi Dimos dhe kishin marrë tërë misrin! Policët panë vendin, pyetën Rrapin, por si dhanë dot dum.
Pasdite, në shesholl ishim vetëm unë dhe daj Loni me tufën e tij të dhënve. Ju afrova dhe e përshendeta. Çapi që më njihte, u fërkua pas këmbëve të mija dhe tundi bishtin miqësisht.E përgëzova duke e fërkuar midis veshëve.
Dajë Loni, i dha fytyrës atë pamje të njeriut që di një të fshehtë, por tjetri duhet t’i lutet që t’ja rrëfejë.
-Lere, lere, se ç’ka bërë vaki në fshatin tonë!
I thashë që e kisha marrë vesh, por e pyeta si kishte ngjarë. Më tha se Rrapi, e pa kur u ngrit në mëngjes. Ja dha të bërtiturës, shkuli flokët e kokës dhe u bë si i shkalluar.Thonë se ka zënë dyshekun.
Grabitësi kishte ikur që menatë. Paskësh qënë usta i madh. Duket që kishte zgjedhur atë orë të natës kur njerëzit janë në gjumë të thellë. Se kishin dëgjuar as njerëzit as qentë. Kishte bërë hajninë dhe kishte avulluar. Nga mënyra si ma rrëfeu dhe ajo buzëqeshja shpotitëse, kuptova se dajë Lonit nuk i vinte aspak keq për atë që kishte ndodhur, për të mos thënë që i vinte mirë. Ai s’e donte Rrapin neqez e koprac, që e shiste misrin kokërr e lek! Nuk më erdhi mirë, jo se Rrapi ishte kushedi se ç’farë burri, porse nëna gjithmonë na porosiste: ”Mos e merrni gjënë e tjetrit, mos e prekni atë që s’është juaja. Janë harram!”
Djemtë e Rrapit, Llazi me Pilon, ndoqën gjurmët që i çuan deri në Kryegjatë e Shtyllas, pastaj humbisnin në urën e Mifolit.Qeraxhiu e kishte prerë rrugën shkurt.
Rrapi bëri fajtor Demirin, por s’ia bënte dot përsipër. Demikri u zëmërua dhe bëri potere të madhe. Ai tha se i vjehrri ishte njeri puntor e i ndershëm, që rronte me djersën e ballit.Erdhi të çmallej me të bijën dhe kishte ikur që menatë në Fier ku do të merrte një ngarkesë për në Vlorë.
E çfarë nuk bën uria!
 
Tiranë, prill 2022
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s