Fabula nga Iliaz Bobaj
KANDIDATURAT
Demokrcia jonë shkëlqeu,
rend fjala gojë më gojë:
-Kandidaturë për President,
le të vetshpallet kush të dojë.
Në një çmendinë, kur u dëgjua,
ky lajm të çmendurit i çmendi:
të gjithë vetshpallën kandidat,
për President të vendit.
Një burrë i urtë, kur pa ç’po ndodhte,
kapak i vuri fjalët:
-O zot, kur është fjala për post,
nuk mbahen as të marrët…!
BISEDA ME KOMEDIOGRAFIN
Thosh komediografi:- Komeditë,
i shkruajnë komediografët,
i luajnë aktorët, duke marrë nga një rol.
Ndërhyra me takt:- Ka dhe përjashtime:
tek ne komeditë i shkruajnë politikanët
dhe populli luan komeditë e tyre.
GJËJA MË E SHTRENJTË
Diskutimi kish marrë zjarr:
”Cila gjë është më e shtrenjtë?”.
-Lekët, diamantet, floriri,-
tha tregtari shpejt e shpejt.
Dhe ata që ishin pranë,
në heshtje e miratuan,
vetëm koha rrudhi ballin
dhe po rrinte e menduar.
Si dëgjoi të gjithë me radhë,
foli kur ia deshi puna:
-I pari është shëndeti,
pas shëndetit, vjen kultura…
PAS VETSHPALLJES ”KANDIDAT PËR PRESIDENT”
Pasi vala e vetshpalljes kaloi,
kafshari i fshatit rrëmbeu një fletë,
në biografinë e tij shtoi:
-Ka qenë kandidat për President.
PESHKU I DETIT DHE ZHABA E KËNETËS
Një peshk që jetonte në det,
ngatërroi udhën,
hyri aty ngjitur në një kënetë.
-Nga vjen?- e pyeti zhaba, kur i doli përballë.
-Nga deti,- i tha peshku.
-Si është deti, ma thuaj me dy fjalë.
-I thellë, i gjerë, pa fund e anë,
me ujë të pastër, me valë, me dallgë…
-E besoj,- i tha zhaba,- që aty është ndryshe
dhe mund ta jetosh ndryshe jetën,
po ne jemi mësuar në llumin tonë,
nuk bëjmë dot pa kënetën…