Poezi nga Rami Kamberi
KAH NA ÇOJNË, MOTET…
S’di pse lumi i ikjeve, sot
Po lundron, më shpejtë se lumi nëpër dhe
S’do të kemi, nesër, as lot
Për pritje e përcjellje, tek kufiri ynë atdhe
Kah na çojnë motet, më pyesin, varret pa nishan
Mbetur, nëpër odat e kullave, që po i pinë, sytë harresë
Kah na çojnë motet, më pyesin, dasmorët me nam
Mbetur, shtatore të ngrira, si sy atdheu, pa liri e shpresë
Kah na çojnë motet, ku jeta duket, akull në xham
Mbetur, pikturë tradhtie, si nure ilire, nën hirin shpresë
S’di pse lumi i ikjeve, sot
Më shpejtë, se lumi nëpër atdhe, po lundron
S’do të kemi, nesër, as lot
Më shumë, se lumi i dashurisë, që na harron
KA CA MUAJ, E CA DITË…
Ca hije, si dredharake
Si stuhitë, kur po ndalojnë në ballë
Më thonë, seç u plake
Si malet e Sharrit, rrahura me fjalë
I dëgjoj ca fjalë, shikimet, tej Vardarit i ndaloj
Motet e ikura i lidhi nyje e jetën, nëpër kohë e kërkoj
I shkruaj faqet tokë, sy dhe bebëza i pikturoj
Me ngjyrë të qiellit, për ditën me diell, që më kafshoj
I harlisur pas bardhokes, që zemrën ma kërkoj
Ca hije, si dredharake
Si xhindet e dala, nga gjol i harresës
Më thonë, seç u plake
Si babëloku i maleve, para shpresës
TE KULLAT, E BABAPLAKUT…
Sot dita ishte dredharake
Me diell, si në motet kur na kafshonte
Sonte nata, a’dhelparake
Me hanë, si moteve kur yjet i trazonte
Thua se djajtë, janë zgjuar përsëri, për hak
M’i kërkojnë ëndrrat, që i ruaj, për dashurinë
Xhindet, ma trazojnë gjumin, thonë je plak
M’i kërkojnë, ditët e jetës, sikur robëria lirinë
Sot dita ishte dredharake
Ogurzezë, si korbat kur krrokatin, s’koti
Sonte nata, a’dhelparake
Ogurzi duket qielli, si sytë, kur t’i pi loti
DO TË VIJ, BARDHOKE…
Si ati Bardhok, do të vij, Bardhoke
Nga gurra e lumit tim, nëpër valët e detit
Vetëm, për sytë tu, me ngjyrë toke
Si flamurtari i parë, që t’i dha nam qytetit
Shtatin e veshur, me bukuritë e Sharrit, plak
Plis e shall rënduar, nga bardhësi e fisnikërisë
Shekujt lidhur për brezi, me lot, plagë e gjak
Para agut të njëzetetetës, sikur diell i Labërisë
Si ati Bardhok, do të vij, Bardhoke
Për borxhin e mbetur e duvakun e nusërisë
Vetëm, për sytë tu, me ngjyrë toke
Si flamurtari i parë, që t’i dha, liri Arbërisë