Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik  “Apologji marrëzive”  të autorit (Hamdi) Erjon Muça

 
Shtëpia Botuese “ADA” publikon vëllimin poetik  “Apologji marrëzive”  të autorit (Hamdi) Erjon Muça
 
Apologji marrëzive – poezi
Autori: (Hamdi ) Erjon Muça
Redaktor: ANTON NIKË BERISHA
Ballina, Exodus 2022- Pikturë nga Ilir Berhami
ISBN: 978-9928-326-39-1
Përgatiti për botim: Roland Lushi
Formati : 14×20 cm
Të gjitha të drejtat i takojnë autorit
 
Shtëpia botuese “ADA”
Adresa: Mihal Grameno Pall.32 Ap.7 Tiranë
Cel: 068 22 190 16
 
Tiranë, prill 2022
CIP Katalogimi në botim BK Tiranë
Muça, Erjon
Apologji marrëzive : poezi / (Hamdi)
Erjon Muça ; red. Anton Nikë Berisha.
– Tiranë : Ada, 2022
80 f. ; 20 cm.
ISBN 978-9928-362-39-1
1.Letërsia shqipe 2.Poezia
821.18 -1
 
 
POEZI QË SHQIPTON VETËDIJEN E PËRGJUMUR DHE GJAKIMIN E PËRMBYSUR TË NJERIUT
 
Në vend të parathënies
 
Nëse lexohet me vëmendje poezia e (Hamdi) Erjon Muçës, përfshirë në përmbledhjen “Apologji e marrëzisë”, vërehet shpejt se ajo nuk të shkakton atë kënaqësinë që rëndom e pret dhe e përjeton lexuesi kur komunikon me tekste të kësaj natyre, sidomos të poezisë tradicionale. Në qenësinë e vet kjo poezi shqipton vetëdijen e përgjumur dhe gjakimin e përmbysur të njeriut të sotëm, absurdin e veprimeve e të sjelljeve të tij; ngrihet kundër rrënimit shpirtëror të krijesës njerëzore, e cila nuk mësoi nga pësimet që i ndodhën në të kaluarën. Ajo njëherit përligj dallgëzimin e brendshëm të poetit, po edhe tundimin e tjetrit, qoftë atij të botës sonë, qoftë të botës së fqinjit ose edhe të atij më të largët; shqipton ligësinë dhe shprishjen mendore; të keqen dhe djallëzinë, që njeriu i ka brenda dhe nuk mundi të lirohet prej tyre si dje si sot; këmbimin e virtyteve me vese, të mirën të ngjizur me indet e së keqes; ndershmërinë të këmbyer me dredhinë, me mashtrimin, me shpifjen e me smirën; gërmon në lakminë e pafre, në mburrjen e shpifur, në pafytyrësinë e fshehur, në tragjiken e mospërfilljes, të padurimin etj. Gjithë kjo t’i kujton vargjet e poetit arbëresh, Vorea Ujkos (Domeniko Bellicit) për pësimet që njeriu ia sjell vetes sa edhe sorrat kanë marrë sëmurjen e njeriut, gjë që e bën atë të klithë thuajse papërmbajtshëm: Ju lutem ta mbroni vdekjen (Situatë e dytë).
“Apologji e marrëzisë” nuk është poezi e ndjenjësimit dhe e fjalëve të mëdha, retorikë e zbrazët; është shtjellim i menduar i tekstit, i përftuar me përkushtim, po në një gjendje “akulli” (siç do të thoshte shkrimtari i shquar rus, Çehovi). Pikërisht si e tillë ajo bëhet e vlefshme, si kundërvënie dh prapësim, dhe të depërton pashmangshëm në mendje dhe pastaj në damarë dhe në thellësinë e palcës. Pra, në vend të kënaqësisë që do të duhej të nxiste poezia, autori i jep jetë kumtit dhe pamjeve rrëqethëse, mendimit shpesh tronditës, që del nga teksti, synon që rrëfimi i tij poetik të jetë sa më bindës dhe ndikues.
Poeti i kundërvihet thellësisht absurdit që e cilëson veprimin e njeriut nga se “Mbi tokë gjithçka trishtërisht vyshkohet”, nga se “Lotët e virgjër të qiellit / mbushin pellgjet me llum!” (Fatësi) ose “Mes heroit dhe tradhtarit / qëndron ngrehur si apostrof, / një detaj fare i rëndomtë […] / ka të bëjë me fatin, / me fitimtarin dhe me humbësin” (Apologji e marrëzisë).
Poezia me këto tipare, përkatësisht shqiptimi i këtillë poetik të kujton mendimin e Th. Elioti: “Kritika është po aq e pashmangshme sa edhe frymëmarrja…” dhe “Unë jam i mendimit se kritika e përdorur nga një shkrimtar i ushtruar e i shkathët në veprën e vet është më qenësorja, është lloji më i lartë i kritikës dhe disa shkrimtarë kreativë janë superiorë ndaj të tjerëve, vetëm ngase aftësia e tyre kritike është superiore”.
Edhe ndërtimi – shtjellimi i tekstit të poezive të kësaj përmbledhje të Erjonit është i mëvetësishëm; autori synon t’u shmanget rregullsive të ndërtimit të vargut të zakonshëm në mënyrë që ta shqiptojë, sa natyrshëm, aq dhe thellësisht të keqen dhe kaosin e veprimit të njeriut në kohën tonë.
Poezia e (Hamdi) Erjon Muçës në “Apologji e marrëzisë” të godet në vetëdije dhe vetvetiu të kujton atë që thoshte Bajroni (Byron), që Fishta e pati sjellë në fillim të veprës së tij të njohur “Anzat e parnasit” (botimi i tretë Shkodër 1942): “Qeshem me punë të njerzvet veç pse s’mûj me kjá”.
 
 
anton-berisha-840x420
 
ANTON NIKË BERISHA
Prishtinë, mes mars 2022

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s