Poezi nga Mihal Gjergji
M E D I T I M
Askush s’e blen trishtimin e poetit
As thinjat, si gjëndisma me argjend
Shikojeni zgalemin sipër detit
Mbi dallgën e trazuar kërkon vend!
KISHTE HËNË ATË NATË
Prilli qau…
Një burrë,
dha shpirt në duar xhahilësh
Gjymat e shiut mbytën lumë e përrua
U ngjethën njerëzit,
nga floku në thua!
Zbathur ecte frika…
Hëna,
numronte vrasësit fytyrë meiti
Agun e grisi një ulërimë e thatë
Hon më hon bënte kuje
Kishte hënë atë natë!
U shemb një burrë, si lisi
Ç’pa e ç’dëgjoi,
ia tregoi dhogës së varrit
Hija e tij u bë statujë
E mua,
ma tremb gjumin Qafa e Qarrit
Qau prilli, qau..!
Gjaku mbeti atje,
i pagojë
As shirat, as koha s’e lau!
L I T A R I
Popull i leshtë,
mbete nën hije xhamish
E kush nuk të futi në shtrungë (!)
Flij populli im,
një shekull në gjumë
Ndërsa unë gjurmoj një fantazmë,
që pi me gotën e djallit
Në pemën e mëshirës tundet një litar
Kam kohë që pres…
Asnjë sulltan të varur s’kam parë!
H O M A ZH
(Cane Çakos, shokut tim të gjimnazit)
S’të erdha dot në çastin tënd të mbramë
Asnjë grusht dheu s’munda të ta hedh
Më kot në horizontin e paanë
Kërkoj për shpirtin tënd, që s’di ku bredh
Ta ngjyej pak penelin e trishtimit
Te gri-ja jote derdhur thellë në sy
Sa rrallë, sa rrallë në prangat e mohimit
Provuam qeshje, ëndrra, lumturi…
Të rëndë e kishte hijen Bohotina
Katili fat s’këmbehet, as ndryshon
S’u plake dot, s’u mbushe dot me thinja
Po nuk më thua, prehesh a lëngon?!
Te cilat mure fryma jote mbeti
Në ç’prag e ç’portë u shfaqe buzagaz?
Pa merr dy meridiane nga planeti
Ndërto një urë dhe ktheu për një çast
Harliset prilli, tufat bëjnë tutje
E ndjen pranverën, dimrit i bën gjyq
Ne s’dinim cilit Krisht t’i bënim lutje
Se ishim vetë mbërthyer mbi një kryq!