SHKRIMTARI / Tregim nga Odise Kote

 
Tregim nga Odise Kote
 
 
SHKRIMTARI
 
Ulur në karrekllën mitike në krye të bashtinës, babazoti im, më shumë fliste me zotat se sa me njerëzit. Si një shpend i stërmadh, plagosur kushedi në ç’hone a kreshta mali, mezi përqëndrohej në faqet e një libri kapaktrashë. Libri rrinte skiç në një lexhio të vjetër druri dhe mëmëzonja kohë pas kohe i kthente faqet. Kur ajo bënte punët e guzhinës në odëjashtë, më thërriste mua ta zevëndësoja. Babazoti nuk lexonte dot vetë, pasi duart e tij të holla, purteka – blu, lëkundeshin si degët e thata të qershisë kur I frynte era. Dridhej prej parkesonit. Në të vërtetë dridhej më shumë prej fatit. Prej pazotësisë.
Babazoti ishte agër. Nuk donte ti shkonte kot asnjë sekondë.
Atje përballë diellit, nën pullazin e ngrehinës trikatëshe që e shihte luginën në pëllëmbë të dorës, lexonte me mundim historitë e çuditshme të botës, nga disa libra që unë si miturak e kisha të ndaluar ti shikoja e jo më t’I lexoja.
Ke shkruar ndonjë libër ti babazot – e pyeta gjithë zemërim ditën që më mbajti dy orë të mira për ti kthyer faqet e një libri që me sa dukej e kishte fort për zemër.
Unë shkruaja kur isha i nevrikosur – më ktheu një përgjigje që në vend të sqarimit, më shastisi krejt.
Si shkruaka njeriu kur është i nevrikosur belbëzoja me vete. Mos tallet me mua babazoti? Kur njeriu është i nevrikosur shumë – shumë shan me zë të lartë, gjuan me pëllëmbë apo thyen ndonjë pjatë.
Kur isha i nevrikosur të shkruarit më bënte të fluturoja – vijoi babazoti, duke më shastisur edhe më tepër me thagmën e tij. Po ç’e do, nuk u bëra dot shkrimtar. Isha i prerë vetëm për punë ndërtimi e tregëtie!
Unë do të bëhem shkrimtar? – ia plasa gjithë zemërim hakmarrjen time.
Vërtet do të bëhesh shkrimtar – më cyti qetësisht dhe picërroi sytë e kaltër si dy puse të thellë.
Po. Do të bëhem shkrimtar, – iu krekosa.
Do të bëj vetëm një pyetje – ngriti kokën e bardhë drejt qiellit, si të merrte atje bekimin e zotave. Një pyetje të thjeshtë: A do jesh i gatshëm të shkruash historitë e tua gjithë jetën edhe nëse të refuzojnë dhe nuk do të shpërblejnë?
Si s’do të jem – iu kapardisa duke ngritur supet përpjetë.
Atëherë po. Atëherë ti do të bëhesh një shkrimtar.
Dhe isha vetëm tetë vjeç.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s