Miklòs Radnóti
Kalendari poetik: Miklòs Radnóti (1909-1944)
Miklosh Radnóti, poet hungarez, u lind më 5 maj 1909. Pasi mbaroi studimet për filozofi, nuk mundi të bëhej mësues sepse qe hebre, sado që ishte kthyer në katolik që në fëmini, kur mbeti jetim nga të dy prindët. I burgosur disa herë nga nazistët, punoi nëpër kampet e përqëndrimit në Hungari dhe Serbi deri sa e pushkatuan më 10 nëntor 1944; nazistët dhe komunistët janë njësoj kriminalë. Ja shqipërimi i një poezie që iu gjet në xhepat teshave të tij në një varr të përbashkët, po sjell vetëm dy-tri strofa, që s’janë pak, nga ajo poezi:
FRAGMENT…(Töredék)
Kur jetova në këtë botë,
vetëm poshtërsia vlerësohej,
vjedhës, vrasës, spiunë qenë heronj,
kush s’duartrokiste, rrinte mënjanë,
të gjithë e urrenin, si murtajën.
Kur jetova në këtë botë,
fshehtaz mund ta thoshe të vërtetën
gjithë frikë se të ikte koka,
s’dinin ç’i priste, të gjithë të çmendur,
të marrë, për tmerre dhe gjak të etur.
Kur jetova në këtë botë,
mallkim qe për gruan shtatzania,
lumturim për atë që dështonte,
lum kush iku, thoshin gjithmonë,
të gjallët me kupë helmi në dorë.

© shqipëroi Maksim Rakipaj