Poezi nga Arjola Zadrima

 
Poezi nga Arjola Zadrima
 
 
KORDELES
(bijës)
 
Sa vite kemi zgju bashkë?
Sa lulet i ke kputë
me mi prue,
e veç kunorë të kam thurë.
Sa andrra ke andrrue
i kam ndi në fshehti,
e jam lutë për ty.
Sa fort më ke rrokë
kur më ka therë gjoksi?!
Sa je rritë në dy , tri vjet,
sa një kala , që mban nanën
në kambë.
E kam frikë një lot me derdhë në sy tand,
se të rren nata,
e tash m’paqon ti mue,
dru me të kallxu sa të due
shkërmoqem.
Se ti je diell
bash në mes të jetës teme,
qiell pa re,
ama e qënies.
Je ti , veç ti më dëshmove
sa i butë asht shpirti,
sa e brishtë aroma jote,
Kordelja jeme.
Veç ti, më bane më kuptue
se dashnia merr forma të ndryshme
e bahet njiri…
 
 
***
 
…e ti
që të dridhet fryma
sytë të meken,
më thuej
sa andrra më lidhë për qafë
kur duert m’zbusin inatin
e buzët latojnë shtatin
nën afshin e tërbuem?
 
Më kallxo
mandej mu lut!
 
 
***
 
Ai puthë kambët
deri në Eden
e unë të mendoj.
Stuhitë më gjejnë
degë pemësh thehen,
duert hakmerren,
unë prapë të mendoj.
Asht stinë pa emër.
Ai puth brinjët
dhe dergjet mbi një
skulpturë të mermertë
që e gjet tuj kundrue
ngjyrat në një tabllo të Monet.
Tash po andrroj.
 
Ai pa u mendu m’shkund qënien.
 
 
***
 
Ti vjen gjithmonë
për me u kthye,
e unë copëza buzëqeshje
pikturoj në muzg,
një re e kuqërremtë
na e rren mendjen se gjithçka asht e bukur
rreth nesh.
Avitena me u puthë
e dora në qafë më rrënqeth
një çast…
 
Paskam andrrue
gjindem përballë liqenit
mbarsun me mall
ndërsa diellit i kam zanë pritë.
 
Kam mësue me heshtë
se gjithçka i ngjan një kange
që ndërmend
tash që ti ke ikë,
Shpirt!
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s