Poezi nga Mirela Leka Xhava

 
Poezi nga Mirela Leka Xhava
 
 
Duke ndjekur xixëllonjat
(Gjyshërve të mi)
 
Më kujtohet shtëpia, oborri me pemë
dega që ra bashkë me mua
harruar thyerjes së lirë, që nga fëmijëria.
 
Xixëllonjat prisja të ndiznin dritat natën
fushës së pafund, horizontit imagjinatë,
kufijtë ishin lulëkuqet në arat me grurë
ullinjtë në kodrinë, bleruar çdo stinë,
ku shtrihesha dhe mbi kokë kisha yjësinë e qiellit
tek i numuroja, pse doja të kisha një numër
dhe zotave atje lart doja tu vija një emër.
Pse jo, të gjyshërve të mi të lashtë sa toka
rrënjët ngulur thellë, për të ushqyer të nesërmen
bijtë e tyre, shpërndarë nëpër degë e sythe
dashuri brezash, larg e afër tokës .
 
Lule manaferrës, ndanë përrenjve ku pinë ujë
kuajt hergjele në pritje pusish
luftrash, ku fustanella e bardhë qëndisej
nga dora e bareshës, ninullës këngërimë
mbi djepet e të vegjëlve, nanurisur aq ëmbël
shekujve, plagët për t’ia ripërtërirë.
 
Shtëpia nuk është më, as gjyshërit
por gjurmët e mia, kanë mbetur atje
mbase trazuar fëmijërisë time
shandanëve të ndezur, në kështjellë imagjinare;
ndërtuar me mure prej gurësh e balte
verë së nxehtë, gumëzhitje gjinkallash
dimrit, shkarpat që kërcasin oxhakut
thjeshtësi vatre pikturuar në mendje,
netëve të verës duke ndjekur xixëllonjat,
dritat i fikin e ndezin qiellin, më thonë;
Shpirtrat e gjyshërve mes zotash jetojnë.
 
 
Premtoj të të dua!
 
Vetja ime, nuk ta kam thënë kurrë
e ndoshta, kurrë më s’kam për të ta thënë.
Të dua për
Sytë, veshët dhe nuhatjen
për vështrimet e largëta dhe aromat e stinës,
për epokat ku shkela, e u ndjeva princeshë
për kohët ku rrëzohesha e ngrihesha përherë,
ku vdisja e ringjallesha, si një perëndi
kur qeshja e qaja, gjer në çmenduri.
 
Sa pak kërkova botës së pafund
sa shumë ndjeva për njerëzit mallëngjim,
T’i dua dhe rrudhat, thinjat gjithësesi
Të paskohës,gruas , por me shall plot ngjyrë.
 
Jam une vetja jote, që të flas,
pak durim, të lutem më degjo?!
Fort emrin tënd do thërras;
Premtoj të të dua dhe pse s’më ke dashtë!
 
 
***
 
Diku qielli gërvishtet, kriset e shqyhet
zhurmat e orbitës, si copëza mbetjesh hapsinore
vijnë rrotull, timpanët janë lodhur
nga tingujt sonorë aiguë, qindra thërmija kaotike.
Çuditërisht, molekulat shpërbëhen në ujë të kripur
tejngopin vrullshëm oqeanit
përpijnë globin në shtjellë dallgëmadhe
përmbytja e Atlantidës.
 
 
***
 
Era e rrëmbyer ngrihet lartësisë së qiellit
bie me meteorët e gushtit
djeg drurët e pyjeve,
shkrumbon vulat e letrat
frymën ia merr përfund luleve të brishta.
 
Guri kozmik me peshë graviteti,
rrit temperaturën frankenshtein,
shpejtësi sonike, goditje fatale,
Plumbi, arkaik…

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s