Poezi nga Luan Rama
Mall…
Ky mall më rrjedh si një shi i ngrohtë
ardhur nga qiej të tjerë,
shi nga sytë e një gruaje
peizazhe të copëtuara në njëqind imazhe,
koshere të ngrohta pëshpërimash
në ditë rendjesh, pritjesh, ikjesh
puthjesh dhe vetmish
imazhe që tani më shkasin duarsh
bashkë me fjalë që më ikin, s’dihet ku
shtegtim krillash.
Qullem i tëri në mall
dhe një lumë i ngrohtë më merr njëherësh
dhe unë i jepem të më çojë larg
aty ku shpirti do
në vende pa kufij
ku perëndimi puth agimin.
Ky mall më është bërë një nanurisje e pafund
ku buka më është me tjetër shije
dehem me frymën e tjetërkujt
në livadhet e kuajve të marrë
livadheve të botës.
Herë-herë ky mall më merr frymën
pa mundur të klith,
atëhere mbyll sytë
thërras natën pa hënë dhe ciganë
dhe verbazi nisem në udhën e njohur
ku ajri ka frymën e saj.
Reblogged this on Aesthetic Dreams.