Në pritje / Tregim  nga Lumo Kolleshi

 
Tregim  nga Lumo Kolleshi
 
 
Në pritje
 
Kishte bërë rrugë të gjatë me autobuz një ditë më parë.Hera-herëës e zinte edhe gjumi dhe,kur zgjohej,i dukej vetja si një zog i trembur me fluturim të çmendur drejt qiellit,pas një krisme të egër.Vetëm shikonte orën.Duhej të arrinte sa më shpejt.Për fatin e tij të zi (akuzonte shpesh vetveten dhe fatin e tij pas çdo ndalese të autobuzit të linjës) krahu i autostradës ishte bllokuar nga përplasja e dy makinave.U ndje paksa i lehtësuar kur trafiku u hap në rrugë.dhe shqiptoi vtëm pak fjalë:fatmirësisht që është pa viktima.Por që të arrinte deri te kjo frazë,iu desh gati një orë udhëtim breshke.
Nuk e mendoi gjatë në terminal dhe as e shkoi ndër mend pagesën e taksistit të parë që i doli në ptaformë.Hipi menjëherë në taksi dhe i tregoi emrin e hotelit.Gjatë asaj pak rruge,iu desh të dëgjonte dhe qarjet e taksistit për çmimin e naftës dhe për trafikun e rënduar apo dhe të sharat e këtij të fundit:Pagoi sa i tha i zoti i makinës,megjithsëe ai u duk i pakënaqur duke futur paratë në xhep,të mbledhura shuk.Shpejtoi këmbët drejt recesepsionit të hotelit.Dhomën e kishte rezervuar para se të nisej.Mori vetëm një pagur me ujë dhe ngjiti shkallët drejt dhomës.U mjaftua vetëm me një dush dhe e zuri gjumi si një i rrahur.
Në mëngjes u ngrit herët dhe i zbriti shkallët me ngutje.I pihej një kafe,por hoteli dhe lokali i tij ishin ende në gjumë.E pa të udhës që ta pinte afër zyrës së avokates.As zyrën nuk e dinte ku ishte,as avokaten nuk e njihte.Mbante në celular vetëm dy numra telefoni.Personi që e kishte adresuar për aty,i pati dhënë një informacion të përgjithshëm për vendndodhjen.Doli në vendqëndrimin më të afërt të urbanit.Edhe pse dita sapo kishte filluar,brenda urbanit kishte dyndje e shtyrje.Qëndroi në këmbë gati si i varur.Ndër mend i vetiu një synopsë:Është heroizëm të udhëtosh me urbanë që vetëm presin në çdo stacion vetëm të mbushen e të mbushen.Zbriti në qendër të kryeqytetit dhe nuk këmbënguli të merrte urban tjetër.Pranoi të ecte më këmbë.E la pas krahëve godinën e parlamentit.Edhe tempulli i sherrit,siç i pëlqeu ta quante,ishte plotësisht në gjumë,pa llogaritur ca gardistë që kryenin shërbimin.U hodh në krahun e poliklinikës së vjetër për të dalë te Ura e Tabakëve.Nga këtu do të niste të pyeste kalimtarët për një objekt të njohur.Sytë i mbante vetëm te mbishkrimet sipër qepenave.Një ecje e tillë po i shkaktonte bezdi dhe jo vetëm atij,madje dhe kalimtarëve të tjerë në ata trotuar të ngushtë.Më në fund mori frymë thellë.Ishte pikërisht përballë zyrës avokatore.I lehtësuar që mundimi nuk do të zgjastë më shumë,nxori nga xhepi paketën dhe e ndezi një cigar.E piu deri në fund,sa ndjeu dhe sëmbimin e gishtit tregues nga nxehtësia.Cigarë i kishin mbetur pak në paketë dhe kërkoi aty rrotull ndonjë kioskë.Një djalë i shkathët dhe i qeshur i zgjati paketën dhe një mentos.E pyeti nëse avokatja vonohej për në zyrë dhe u sigurua që rreth orës nëntë do të ishte aty.Falenderoi për shërbimin dhe u kthye mbrapsht.Bëri dhe një copë rruge në të kundërt dhe gjeti një bar-kafe.Preferoi te qëndronte në zonën e duhanpirjes.Kafen e parapagoi dhe e rrufiti sa hap e mbyll sytë.Ndezi dhe një cigar tjetër dhe u kthye përballë zyrës.Ora e kapërceu nëntën dhe nëpër trup filluan ca ethe,ethet e pritjes.Vendosi që t’i telefononte avokates,por zilja mbaroi pa përgjigje.Ndoshta numri im është i panjohur për të,e mendoi.Veç ora po kalonte dhe ai kërkonte të kapte sërish orarin e fundit të autobuzit,për të t’u kthyer në punë të nesërmen.
Provoi edhe numrin e dytë,të atij që e kishte autorizuar.I erdhi vetëm një mesazh:Flasim pas pak minutash.Edhe këtu minutat u bënë për te berberi.Ankthi filloi në çdo pjesë të trupit.Bënte ecejake kot më kot lart e poshtë.Lëvizja e njerëzve u shtua dhe e ngushtoi më tepër trotuarin.E ndjente dhe vet që po bëhej pengesë për kalimtarët dhe u spostua diku në një cep.Vetëm shikonte gratë,sikur të gjente mes tyre avokaten që priste.Burrave as që u hidhte sytë fare,sikur nuk ekzistonin në atë pjesë bote.
-Jo,nuk mund të jetë kjo avokatja,-foli me vete për një grua të mbajtur e të veshur mirë që parkoi makinën para zyrës.Dhe ashtu i doli.Kalonin para tij orar e pa orar edhe gjimnaziste,por i anashkalonte të gjitha.
-A,kjo mundet të jetë,-tha për një grua me çantë të zezë.U zhgënjye edhe prej saj.Ky lloj paramendimi zuri të kthehej në një rit më vete.
Për një çast iu duk vetja si në skenën e Samuel Beëketit.Priste dhe ai Godonë e vet.Megjithatë nuk vendoste dot në ishte Estragoni apo Vladimiri.Një gjë e thoshte me siguri:Nuk mund të jem as Laki,as Poco.Kështu i ishte dukur vetja dhe një javë më parë në një veprimtari.Edhe atje priste të fliste,por fjalën nuk ia dhanë.Duhej të flisnin citatembledhësit,mediokrit dhe jo profesionistët. Por atje shpërtheu si bombë.U përlesh me të gjithë parinë e dioqezëës së thashethemeve.Madje këta të fundit e quajtën të pirë,për t’i vënë vulën maskarallëkut të tyre.I harroi kolltukofagët e qytetit të tij provincial dhe mendjen e çoi sërish te avokatja që nuk po vinte ende.Këtu vetëm të përballej vetëm me muret,qepenat dhe kalimtarët që ndiqnin hallin e tyre.
-Më në fund,erdhi,-kaq tha,por gruaja hipi sërish në makinë dhe iku.
Ora e kapërceu akrepin nga dhjeta dhe numri që i dërgoi mesazh , nuk po bëhej ende i gjallë.
Nuk donte t’u besonte syve.Një burrë ngjiti shkallet metalike që të çonin përpara derës dhe e ngriti qepenin.Pas tij u ngjit dhe vet avokatja.
 
Tiranë-Përmet, 29.04-02.05.2022
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s