Poezi nga Sinan Vaka
LIRIKË PRANVERE
Pranvera gjithësine krejt në heshtje
me blertësi e ngjyra do mbulojë,
të tepërt do të falë buzëqeshjen ,
mbi lule dhe në shpirt kur te breroje .
Por s’di, por s’di , kjo ngjyrë e zefirit
që kaltërimen të hedh kolor mes syve,
më fut në jerm , kllapisë së të pirit,
a mos ky sens si sfinks na lodh të dyve ?
Mornicat marrin vrullin e pas heshtjes,
e ndjej gjithçka në turbullimin tënd,
paska një kohë që Ti ,ti falesh brejtjes,
prej shpirtit tim , që tëndin ëmbël çmend .
NJERIU
Halli i keq më ka pushtuar
Akrepi i kohës orën mban
O Zot me ty jam zemëruar
Kam shpirtin kthyer në kallkan.
” Ku je ” , prej ego – s ulëras
” Që me braktis çastin e keq “
Dhe nuk pushoj gjithnjë bërtas
Si mëkatar me shpirtin dreq .
Por ora ikën, fruti i ecjes
Më bën të qetë vetvetiu
Më çel instiktin e ndërgjegjes
Pra firaunin tek njeriu.
Në mbremje sedër përkedhelur
Të mirën jetes ja përflas,
Si nje shenjtor nga fati i velur
Për drejtësinë e Zotit flas.
HIJE QË PUTHEN
Hijet tona stërzgjateshin, përuleshin
drithmëronin nga flakët e zjarrit
i rrëmbente errësira dhe treteshin
në iluzionin e mistershëm të të parit.
Pse ndodheshim aty s’e kujtoj
sepse harresa është frut i viteve,
por, zjarri që loste me siluhetat, mendoj
formësonte dlirësinë e bukur të hijeve.
Kur zjarri sadopak fillonte të tretej
errësirës, ishim që të dy të ngutur,
kujtoj një pëshpërimë që ndërgjegjej
se kishte parë dy hije duke u puthur.
Reblogged this on Aesthetic Dreams.