Trifon Xhagjika
Kalendari poetik: Trifon Xhagjika (13 maj 1932- 24 dhjetor 1963)
Poet shqiptar, i pushkatuar nga regjimi kriminal enverist. I përjetshëm kujtimi i tij!….ata janë ende në pushtet…Eshtrat e Tij nuk dihet ku janë, poeti që kërkoi një top të godiste regjimin, nuk ka varr.
Sivjet, më 13 maj do të mbushte 90 vjeç poeti që e vranë në moshën 31 vjeçare “ata që ishin në krahun e duhur të historisë”:
NDIHMOMËNI TË QESH!
Nuk mundem,
………………….. nuk mundem,
nuk mundem.
E pashë Atdheun lakuriq,
(vetëm pa miq e shokë)
mundohej të këpusë një degë dafinë
nga lavdia e shekujve.
Atdheun e dija të uritur!
Por sa i vogël qenka!
As një degë nuk e këpuste dot.
E mora për dore
ta rrit në zemrën time…
Vëllezër-
Po e kërkuat Atdheun,
e kam unë.
Ndihmomëni të qesh.
Ndihmomëni të gëzoj.
Atdheu është lakuriq!
1963
APOLOGJIA IME
(Jetës)
…Marrëzi, dhe
mëkate
për jetën e tërbuar
se kur më ndal, o gjeneratë,
që vuan rrugës ndonjë natë,
më merr për të dënuar
dhe, me një zë që vret,
ngahera më pyet:
-Ku linde, o i ri?
-O jetë, linda në shkreti!
-Ku rron dhe ku vete,
në ç’dhera e në ç’dete?!
-Çudi! Ç’kërkon prej meje ti
dhe si, o jetë, pyet,
kurse në varfëri
më hodhe kur më gjete
të lindur nga skelete
pa dritë, pa liri?
-Njeri!
Nga vete, as më thua?
-S’e di! Jo, Nuk e di!
Po lermë, o jetë, ç’ke më
mua?
-Dua ta di, po dua!
-Atëherë, jetë e krisur,
për mua mos pyet
se qysh në n’agim kam nisur
të shkel si skllav i shkretë
mbi gjurma shprese drite…

Përgatiti materialin Maksim Rakipaj
Reblogged this on Aesthetic Dreams.