Poezi nga Elida Rusta
***
E njoha Ajkunën përmes vajit te guri i bjeshkës.
Në vetull “Ura e Shenjtë” mbi dy kroje të pashterrun,
hije i ban Rozafës.
Në çdo cep udhe çika ka nënkresë një gur.
Flokët e shprishun i bahen flatra t’bardha.
Vaji i saj asht kanga e shpisë në Itakë.
Pikë guri n’tamël…
***
Në vjeshtë ata vrisnin zogj,
zogj e drerë.
Çdo gjë të bukur e vrisnin
e ne me sy çelë
s’ na bënte asgjë përshtypje.
Neve që na kishin vrarë
më parë se të vriteshin zogjtë e drerët.
Na kishin vrarë
që mos të pikëllohemi
për këtë vjeshtë të bukur
pa zogj, pa pëllumba, pa drerë…