DASHURIA DHE EKZISTENCIALIZMI POETIK ( Albina Idrizi, “TROKITJE TË PRUSHTA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022, faqe 96. ISBN 978-9951-7600-64-5 ) / Nga: Shefqet DIBRANI

 
DASHURIA DHE EKZISTENCIALIZMI POETIK
 
( Albina Idrizi, “TROKITJE TË PRUSHTA”, poezi, botoi Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2022, faqe 96. ISBN 978-9951-7600-64-5 )
 
Poetesha Albina Idrizi, me vëllimin e ri poetik “TROKITJE TË PRUSHTA”, e ka bërë të qartë se është njëra nga krijueset më të profilizuara të poezisë së sotme shqipe, veçmas të asaj që krijohet në Kosovë. Guximi i saj poetik, shpeshherë shkon përtej të mundshmes, të asaj që quhet imagjinatë krijuese. Ajo “Është një grua / andej kopshtit, përballë./ Sa ka nisë të vjeshtojë/ floknajë e saj,/ se si më ngjan”,(faqe 12). Kjo mënyrë krahasuese e shprehjes dhe e mendimit poetik befason për thyerjen eliptike, jo aq të vargut se sa të mendimit, sidomos “vjeshta dhe mosha e poeteshës”, janë krahasimi fiziologjik -vetja dhe ai meditaiv -vjeshta, që në raport me dukuritë dhe fenomenet tjera krijon abstraksion i cili në aspektin figurativ është po aq i papritshëm sa shpeshherë na bëhet sikur ra ndonjë komet nga planieti.
 
NUK MË DUHET
 
Jam këtu,
gjithçkaja në gjithçka,
asgjë në asgjë,
unë me unë bosh,
unë pa unë përplot.
Dhe nuk më duhet
asnjë arsye
për të qenë e lumtur.
Faqe 16.
 
Përfundimi kaq eliptik (jo vetëm në këtë poezi), sikur bëhet për ta befasuar lexuesin, për t’ia ndal atij frymëmarrjen, dhe kjo mënyrë e shkrimit të poezisë bëhet më interesante dhe natyrish me e pranueshme. Si të themi: aftësi e rrallë krijuese. Sikur ky libër të ishte shkruar nga një autore tjetër duhej të konsiderohej befasi letrare e poetike, por jo edhe nga Albina, pasi ky libër është pjesë e hallkës zinxhirore të kualiteteve letrare që ka prodhuar poetesha, që nga fillimet e para. Ky libër sforcon botkuptimin pozitiv të të gjitha kritikave pozitive, lavdëruese e komplimentare që janë bërë rreth saj e artit të saj letrar, pasi kjo poezi dëshmon ato kualitete për të cilat autorja dhe krijimtaria e saj kanë marrë vlerësime të larta, jo si çmime letrare – para, por flasim për vlerësime rreth vlerës së saj krijuese, rreth artit të poezisë në këtë rast, dhe vlerave të tjera që i ka në fushën e prozës dhe angazhimeve tjera kulturore.
 
TË JESH FRYMË
 
Kaq gri në mua
që më bën ta dua të bardhën,
dhe të zezën, po aq.
Ç’do të ishte njëra pa tjetrën
në këtë mrekulli bashkdyzimesh
që zgjojnë nga gjumi neuronet
me çdo takim të ri.
Të jesh frymë,
lumë i ajërt që ledhaton njësoj
ferra e lule, në pafundësi.
Faqe 19.
 
Sado meditaive të jetë kjo poezi, si mënyrë e krijimit nuk ndryshon nga poezitë e mëhershme, janë finesat dhe nuancat e shumta që i japin përparësi kësaj poezie, janë motivet dhe mënyra – qasja si botkuptim poetik, që iu rreket poetesha dhe mbase janë disa etapa krijuese që duken thelluese, meditative, që japin më shumë siguri se mendimi artistik ka shënuar ngritje, e bashkë me të edhe pjekuri dhe stabilitet në vargun e saj. Këtë ngritje e shprehin vargjet:”Sonte putha armikun tim/ lehtë, butë, qetë…/ Më dhembi në shpirt shija e tij/ atij i dogj në buzë e imja/ pastaj çdo gjë e hekurt shkriu mes nesh.”, (faqe 24). Kjo dukuri lidhet me botëkuptimin metafiziktë tranzicionit të shoqërisë së traumatizuar, e përvuajtur, tejet e lënduar dhe mbase e poshtëruar, por historitë dhe konfliktet duhet të kalohen, plagët duhet të shërohen pasi “loti e bënte tjetër syrin e tij”, sidomos lumturia e poeteshës “se e ktheu në vete Njeriun?!”, qoftë ky Njeri i çmendur nga urrejtja patologjike, mirësjellja e poeteshës, (nuk e kuptoj si akt fizik), por si thirrje masive meditative për ta zbutur armiqësinë ballkanike dhe kudo në botën me konflikte e konfliktuoze. Pra, siç apelon poetesha, pse të mos e kthejm urrejtjen në dashuri: “Po, sot putha armikun tim,/ në paqe (gjatë) natës do të bëj gjumë, (të qetë)/ ai vetveten duke luftuar./ Nesër fitues, e di nga sytë e tij,/ do të zgjohet i dashuruar”, (po aty, poezia “SOT E PUTHA ARMIKUN TIM”, faqe 24). Kjo thirrje poetike për paqe e dashuri, plotësohet edhe me vargjet e një poezie tjetër: “Ne asnjëherë nuk ia dolëm/ të gjejmë mjaftueshëm fjalë/ sa t’i mbushim duart e njëri – tjetrit”, (poezia “LËSHOJMË ZË PËRMES HESHTJES”, faqe 27), e cila vjen si apel kundër “zhbirimeve” të njëri-tjetrit. Natyrisht poezia zhvillohet edhe më tej, sado që është e mbuluar ose e kamufluar me petkun lirik. Ky motiv, shpreh poezinë e angazhuar, dhe në anën tjetër mënyra e shprehjes publike, është kulturë dhe edukatë e humanizmit të arrirë.
Sipas kësaj që thashë, duket se e tëra: Albina dhe krijimtaria e saj e gjertanishme, janë jo vetëm një mozaik artistik, por është edhe poezi e angazhuar, pa dyshim vlerë e rrallë dhe e arrirë humane e letrare. Kësisoj, shpresoj se me këtë vazhdë të pjekurisë Albina do të paraqitet edhe në publikimet e saja të ardhshme duke e sforcuar edhe më tej vetëdijen poetike dhe njëkohësisht edhe për ta zgjeruar sfondin e krijimtarisë së saj.
Në vëllimin poetik “TROKITJE TË PRUSHTA” të Albinë Idrizit, lexojmë një varg motivesh tematike ku gërshetohen nuanca estetike të ekzistencës e cila lidhet me fatin e shoqërisë dhe të individit si krijues letrar. Pra, “çdo gjë që kthehet/ nuk është e njëjta që ka shkuar,/ dhe e kaluara/ nuk është asnjëherë/ aty ku është lënë”, (faqe 32). Në librin e fundit, Albina ka ardhur si individualitet që ka komunikuar me proceset jetësore, qofshin trazime shpirtërore të saja a të të tjerëve, të individit a kolektivitetit në përgjithësi, poezia ngërthen fatin e përgjithshëm njerëzor dhe përshkruan dramatikën e të gjitha zhvillimeve.
 
UJËVARË JETE
 
Fjalët me fjalë mbulohen,
të qeshurat me të qeshura këmbehen,
idhujt nga idhujt të tjerë rrëzohen,
rrugët janë po ato,
vetëm emrat u ndryshojnë.
Faqe 31.
 
Këto vargje na përplasin nëpër motive të ndryshme dhe na sjellin para përfundimeve estetike të pallogaritshme. Poetesha është vrojtuese e kujdesshme e fenomenit të cilin e prezanton artistikisht në vargun e saj poetik. Efektet e çastit dhe të rastit kanë rëndësi në mendësinë poetike, ato poeteshes nuk i shqiten nga mendja dhe nuk i rrëshqasin pa i evidentuar, prandaj vargu i poezisë ka këtë atraksion tematik dhe estetik njëkohësisht, sepse duke zbritur lehtas në rrafshin e përjetimit real, përmasat e ndijimit artistik sublimojnë përpjekjen e autorës për të ndertuar vargun e përkryer që njihet si vlerë artistike – letrare. Këtë mendim mjaftë të kompletuar e zbulojmë edhe në vargjet e saj: “Vetëm poetët/ kanë të drejtën e zhbirimit/ nëpër tejbotë”, (faqe 59).
 
albina
 
Albina Idrizi
 
Ky afinitet krijues, ka bërë të mundshme për të tërhequr qasjen meditative nga njëra kohë në tjetrën, nga një moshë emocinalisht ekspresive në një moshë të pjekur meditative, e kjo nuancë e dukshme që e karakterizon poezinë e tashme nga ajo më e përparshme, më shumë se sa moshë, ka të bëjë me përvojën e arrirë. Edhe përvoja është shije, ajo nuk ka arsye dy herë të përsëritet dhe këtë e di vet poetesha, andaj ka sjell këtë varg kaq të menduar e të kondenzuar nga përsëritjet e panevojshme. Thjeshtë, mospërsëritja është art, është vlerë, sidomos kur ka brum poetik për të sjellë diçka të re, si risi meditative, ekspresive a figurative, tamam si në vëllimin,”TROKITJE TË PRUSHTA”, pasi,pas saj qenka, “lodhur fjala/ në kërkim të oratorit të ri”, (faqe 58).
Përvoja jetësore dhe ngjarjet sociale e politike që kanë ndodhur në përditshmërinë e pa stabilizuar janë shndërruar në përvojë poetike, dramaciteti i vargut dhe thellësia meditative e të menduarit artistik janë produkt i ngjarjeve të mëdha, i tragjedive të shumta, i pësimeve që ka përjetuar shoqëria njerëzore. Këtë e shpreh nëpër vargjet e saj Albina Idrizi, sidomos në poezinë, “Është lodhur fjala”, në të cilën është shprehur: “Zot, me çfarë do ta/ ngushëllojë veten njerëzimi/ në mungesë të një rrëfimi të ri/ nga treva ime e lashtë,/ për gruan e vetmuar/ që lufta e la pas/ e deshi veç me dashtë”, (faqe 58). Ngjarjet dhe zhvillimet e shkuara, e të perjetuara nga autorja, tashmë kanë edhe eksperiencën dhe përvojën e poeteshës, andaj kundrohen e shikohen në këtë formë kaq eliptike, kaq meditative dhe me nuanca të shumta filozofike e psikologjike. Kështu si duken e përjetohen, këto poezi janë vlerë e shtuar kulturore në opusin e poeteshës, sado që edhe në shpirtin e saj kanë lënë gjurmë dhe shkaktojnë trysni e dhembje, përsëri poezia shpreh të përgjithshmen dhe univerzalen e procesit poetik, e të menduarit dhe të qasjes si elemente estetike të këtij vargu artistik.
 
HESHTJA FLET BRENDA NESH
 
Mes nesh
janë vështrimet
që mbajnë
peshën e njëri tjetrit.
Në këngëtimin tonë
heshtja flet brenda nesh.
Faqe 35.
 
Dahuria dhe ekzistencializmi filozofik, parë në kontekstin e motiveve poetike, është synimi parësor i Albina Idrizit e cila në mënyrë poetike sjell mendim progresiv e pozitiv për artin poetik, e pastaj nëse kjo vlerë absorbohet edhe nga lexuesi dhe shoqëria, synimi i saj është mbase i realizuar. Vet fakti se ky libër ka zgjuar interesimin e kritikës, jep sinjalin pozitiv, se mbase poezia, vlera e saj mund të ushtrojë ndikim për ndryshime substanciale, fillimisht të të menduarit, pastaj të vepruarit në sjellje, në fillim të fillimeve do të duhej vet intelektuali të dëshmohej e pastaj shoqëria si kategori më e avnacuar qytetare. Kjo hierarki e ndryshimit, qoftë si imagjinatë, është e përshkallëzuar si vlerë brenda librit të Albinës, e cila duket se tërë poezinë e ka të konceptuar si projekt global, dhe më pas e ka sëndertuar mozaikun e brendshëm estetik e artistik. Ky mendim mu shfaq për shkak të rrjedhës – fluiditetit që ka poezia e librit “Trokitje të prushta”, si tërësi më e kompletuar, që emiton peizazhin e një ujvare, të një katarakti që rrjedhshëm rrjedh në rrjedhën e vet rrjedhuese. Kjo poezi është empiriestetike dhe shpreh efektin ekzistencial të veprimit emancipues si evolucion i evoluar estetik e tematik i dukurive, pse jo edhe i shoqërisë si pjesë e revolucionit evolutiv në kohë ndryshimi e tranzcioni kulturor e politik.
 
SOT JAM NJËSUAR
 
Sot jam njësuar
me pikën e shiut
vetëm për të ndjerë
ç’plim fshehtësish
u përplasën brenda saj.
Ç’fuqi titanësh
në të u shkrinë
për të qenë kaq e bukur
në rënien e saj të lirë.
Faqe 41.
 
E tëra, poezia është reflektim artistik, mundësi e kthyer në rrafshin poetik të cilat poetesha i ka realizuar nëpërmes shprehjeve estetike dhe gjuhës artistike. Albina Idrizi, kurdoherë gjenë mënyrën shprehëse duke bërë shkarkim emocional, veçmas kur sendërton kontekste motivore të cilat si shprehje poetike na vijnë si rafinim i pastër artistik, dhe kjo ka ndodhur si vetëdije e arritjes krijuese që na është prezantuar në vëllimin “TROKITJE TË PRUSHTA”, poezi këto me të cilat të nesërmen do të zgjohemi me motive lirikash në gojë.
 
( St. Gallen, 03.04.2022 ).
 
 
Shefqet Dibrani
 
Nga: Shefqet Dibrani

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s