Poezi nga Rudina Muharremi Beja
***
Mjaftuan cicërimat e zogjve
dhe kënga e bukur e tyre,
për të trazuar qiejt këtë pragdite,
duke gërvishtur cipën e hollë të kujtimeve
rishfaqjes për një çast të vetëm
për të zgjuar një tjetër dhimbje.
Do të jem…
Ndoshta unë s’do të jem flladi që të përkëdhel,
por as shpërfillësja ndaj plagëve të shpirtit,
s’do jem as era që psherëtimat t’i përzhit
por as heshtja që fjalët gëlltit…
Unë do të jem aty, dhe nesër
si një lule në kopshtin e trëndafilave,
që përherë të ndjesh aromën
e të mahnitesh flladit të pranverës.
***
Të ëndërrosh është si të udhëtosh e frikësuar përmbi një re
vetëm për të mbrritur atje,
për të përkëdhelur flokët e tu
për t’i prekur brazdat e ballit tënd ,
dhe rrudhat thelluar netëve të pagjuma.
***
Për sytë,
s’ kanë mbetur shumë gjëra për të thënë
përveçse;
pasqyrim i qiellit,
toka,
deti…!
Aty ndizen yjtë…!
Çast
Për një çast
vështrimi im kapërcen horizontet,
ndalet në një arnë qielli
ku retë vizatojnë mozaikë
e kaherë hëna pasqyron ëndrrat,
mbi kreshtën e një mali që ende zbardh
tretur ujëvarave të borës së shkrirë.
***
Mbrëmja përmbys vizionet.
Dhe vetëm për një çast
vesh një palë flatra, e fluturoj… !
Reblogged this on Aesthetic Dreams.