Poezi nga Sahit F. Osmani

 
Poezi nga Sahit F. Osmani
 
 
DRITA TË BËHET MBUROJA IME
 
Më zgjoi dita me një shtrëngim drite
të më çlironte shpirtin nga terri i natës
t’i flakte ëndrrat që më kallinin datën
si bar shërues qetësonte mendimet
 
S’ka gjë më të mërzitshme se robërimi
është natë mynxyre me plot trishtime
hije mashtruese vazhdimisht të sfilitin
dhe mbetesh i burgosur që pret lirinë
 
Një dorë rrezesh noton drejt meje
kapërcen të pamundurën mes dallgësh
që errësira të shndërrohet në rreze
dhe drita të bëhet mburoja ime
 
 
PAS TEJE NË RRUGËTIM PRANVEROR
 
Gjethnajë e re, e ka veshur natyrën
qielli pëlhurën e errët e ka grisur
yjve u ndizen gjinjtë e trëndafilave
toka me blerim trupin e ka qëndisur
 
Dhe dashuritë përqafohen me mirësi
ngjyrat e buzëqeshjes përhapin aromë
shpërndajnë dhe farëra që të mbijnë
zogjtë gjithandej gëzueshëm këndojnë
 
Dhe flokët e tu’ të arta dallgëzojnë
gishtave të mi si nëpër rreze diellore
natyrën në lulëzim e zbukurojnë
unë pas teje në rrugëtim pranveror
 
 
TE NJERIU I MIRË
 
Te njeriu i mirë sheh veten si në pasqyrë
çastin e papërsëritshëm do ta përjetosh
atëhere kur dhimbja në zemër të ther
do t’arrish që vështirësitë t’i përballosh
 
Edhe nëse asgjë nuk do të mbetet
më e dhimbshmja më shumë se dashuria
zemër e njeriut të mirë i ndez dritat e jetës
çdo gjë e humbur, sërish do të kthehet
 
 
VËSHTRIMI I FUNDIT
 
As, si kujtim s’më mbeti vështrimi yt
Ndonëse ishe veshur me pëlhurë qiellore
Dhe sytë të shkëndijonin sikur yjtë
Ai vështrim i fundit shpirtin më trazonte
 
Më vinte si shkreptimë që vret çdo shpresë
Si rrëke e egërsuar që të merrë me vete
Për të lënë në jetë përherë të dëshpëruar
Në të errët që pret hënën të mjaltojë dritë
 
 
ME FYTYRËN E DASHURISË
 
Një veshje harrimi më ka mbuluar
heshtja më ka lënë në vetmi
atë ndarje të egër për ta kaluar
rrugëtoj brenda vetes me ty
 
Sikur të piqeshim me njëri-tjetrin
të flisnim me fytyrën e dashurisë
dhe zënkat, pajtesa do t’i mundte
do t’i kuptonim gabimet të gjithë
 
As një sinjal, as një mesazh
ka ngrirë koha, i ka ndaluar
çast për çast, pres të të shoh
si dikur lumturinë për ta shijuar
 
 
NË UJVARË
 
Në ujvarë sikur po derdhej universi
ishin zhveshur ngjyrat trupi kishte plot dritë
tek po përpiqesha të pikturoja buzëqeshjen
magji e flakës më digjte vështrimin
 
Era valëzonte furçën në pëlhurën e trupit
doja që t’i tejkaloja kufijtë e dritës
ajo pamje të ndizte përbrenda shpirtin
dhe furçën në dorë e bënte që të ndizej
 
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s