Kalendari poetik: Omar Khajam (18 maj 1048-1123) / Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

 
Kalendari poetik: Omar Khajam (18 maj 1048-1123)
 
Astronom, matematikan, filozof dhe poet i shquar persian, një nga shtyllat e qytetërimit islam. Ishte i pari që filloi zgjidhjen e ekuacioneve të shkallës së tretë në matematikë në një mënyrë që vetëm pas disa shekujsh do ta ndiqte edhe Dekarti. Mendimtar i lirè, antikonformist, shkencëtar dhe poet në një kohë kur Evropa ishte në terrin e mesjetës.
Mbaj mend, kemi patur një botim të hershëm në shtëpi me “Rubairat”, por që përfundoi, si dhjetra, qindra libra të tjerë, në bibliotekat e komshijve që, s’na i kthyen kurrë. Pas viteve ’90, pati një ribotim të “Rubairave”. Bleva dy kopje, njërën ia dhurova të ndjerit mikut tim Albert Koço, që e mësoi përmendësh; kopjen time nuk di kush e përlau në shtëpi. Pas ca vitesh, pati një ribotim të ca artistëve sqimatarë që e kishin ujdisur shqipen e lashtë të Nolit në një shqipe standart. E hodha në zjarr atë libër. Për fat, para ca vitesh, takova mikun tim Tanush Kaso. Tani kam kopjen “Rubairave” që u botuan nën kujdesin e tij.
Ja disa vargje nga “Rubairat”, sjellë mjeshtërisht në shqip nga Noli:
 
Kjo zemr’ e marr’ e mbytur në mjerime
Pa prerë vuan e lëshon rënkime:
Kur më dha Zoti Verë Dashurie,
Ma mbushi kupën gjak prej zemrës sime.
………………………………………..
Te rrug’ e Trëndafilit plot me gjëmba
Pikova gjak, u çora dhe u shëmba:
Pa qindra plag’ e çpojtje s’qepet krëhri
Në flokët e së Dashurës me dhëmba.
 
Zemrën me sy e dashura ma ndes,
Zemra qiri me flakën rron e vdes:
Te flak’ e bukur zemra flutur turret,
Kurban e tëra digjet pa kujdes.
 
Me syrin bukuri e dritë çpall,
Në zemrën Dashuri e zjarr më kall:
Ti s’më vë re aspak ose më tall,
Kur unë psherëtij për ty me mall.
………………………………………
Sa kohë munt, e Dashur, ngushëllomë,
Nga barr’ e vrerit zemrën lehtësomë;
Se bukuria jote s’rron për jetë;
Shpejt! Nesër zbresim që të dy në Llomë.
 
Me buzët gjak, Sirenë, dehm’ e mpimë,
Me dhëmbët e me thonjtë çirm’ e grimë:
Me krah’ e me gërshetë mbytm’ e shtrimë,
Me syt’ e tu të zjarrtë tretm’ e shkrimë!
 
Me Bukë sa për shpirt, me Hën’ e Zanë,
Me Ver’ e Harp’ e Vjersha dhe ty pranë
Në Pjergull të Gërmadhës jam m’i lumtur
Se në pallat a fron një qint Sulltanë.
………………………………………………………
Me Ver’ e Valle, me Huri – në pastë,
Te vija në lëndin’ u shtri – në pastë,
Dhe humbi fare Ferr’i zi – në pastë,
Dhe ja, Parajsa na u gdhi – në pastë.
 
Një kupë Verë, mor Saki – ta puth!
Vajzën e bukur si selvi – ta puth!
Atë gërshet si lak të zi ku kapet
I urti plak e djal’i ri – ta puth!
 
Nem kupën dhe këndo një melodi,
Me Engjëj dhe Bilbilë simfoni:
Se Vera qesh, këndon, kur rrjeth nga shishja
Dhe s’duhet pirë veç me brohori.
 
 
maks
 
Përgatiti materialin Maksim Rakipaj

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s