Poezi nga Safet Xhani
I LUTEM DITËS
I dridhem moshës rreth e qark,
I mblodha netët në një natë,
Netët e dhimbjes, netët tërë plagë.
I lutem ditës mos u hap,
Sa t’i varros pak e nga pak
Të gjitha netët në një natë
PO TË RIMARR
Dikur e shkruaja poezinë.
Më vonë u ndamë , e lash jetim.
Kujtohem prapë në moshë të tretë,
Po jo më për t’u bërë poet.
Të shkruaj ca vargje si kujtim
Për krijimtarinë që lash jetim.
T’i mbledh si lule në një buqetë,
Nga pikë e lotit të marrin jetë.
Dhe me përulje të them më fal,
E imja je po të rimarr.
E DEHA POETIN
Një ditë e deha poetin me verë,
Me fjalët e tij krijova një perlë.
Vargjet që shkrova i botoj në gazetë,
Lexuesit më flisnin:” Ku je o poet?”
Drejt meje poeti nxiton si i marrë:
“Lexova gazetën poezi e paparë.”
E thashë me vete u deh shoku im,
Më parë me verë, tani me poezinë
TUNDIMI
Dhe pse në krah e kisha gruan,
Ca sy të bukur më tunduan.
Kur sytë e saj më panë nga larg,
Llogjika mbytet nëpër dallgë.
Një ndjenjë e zjarrte më përvëloi,
Ish zëri i gruas që më shpetoi.
-Kujdes, mor burrë, se do na biesh
-Kam rënë, moj grua, por do me ngresh.
-Kujdes të thashë se do rrëzohesh,
Se po re do të pendohesh!
SA RRUGË E GJATË…
Leviz mendimi nëpër rrëke
Dhe bëhet fjalë.
Vazhdon lëvizjen nëpër përrenj
Dhe bëhet varg.
Rrjedh mendimi nëpër lumenj
Dhe bëhet strofë.
Vërshon mendimi nëpër det
Kthjellon i tëri në poezi.
Në rrugë të gjatë kalon mendimi
Të nxjerrë në dritë një krijimtari.
MË PRANË TË JEMI
I nisa vajzës që e desha
Si një dhuratë një metaforë,
Por s’vonoi shumë, vjen përgjigja,
Ma kthen ajo me një simbol.
I nisa vajzës që e desha
Një hiperbolë për bukuritë,
Ma kthen ajo me epitete,
Më nxjerr në pah gjithë cilësitë.
I nisa vajzës një krahasim,
E bukur je si një Elenë.
Përcjell drejt meje një antitezë,
Shëmtimi çiftit nuk i vlen.
I nisa vajzës një similitudë,
Legjendë Tanushën- plot bukuri,
Ma kthen me shprehje të figurshme
Kreshnik legjende me besë e lavdi.
Dhe nisa, nise shumë figura
Nga legjenda në Antikitet,
Po për ta shprehur dashurinë,
Më pranë të jemi në realitet.
Shkëputur nga vëllimi poetik “Po të rimarr”