Martha Canfield
Kalendari poetik: Martha Canfield 28 maj 1949
Poete, eseiste, përkthyese dhe akademike uruguajane, me shtetësi italiane, emri i plotë i saj: Martha Luana Canfield Malvino. I ati i saj, oficer marine me prejardhje irlandeze, e ëma me prejardhje italiane, nga Bazilikata, ndaj qysh në moshë të njomë fliste jo vetëm spanjisht, por edhe anglisht dhe italisht. Disa vite ka punuar si pedagoge në Universitetin e Firences. Ja një poezi e saj:
PËRHUMBUR
Vështrimi yt i penduar
buzëqeshja jote e përhumbur
sytë e tu të kaltër
në thellësinë e errët të mungesës
që më le pa ty
kur s’mundem të tthith ajrin që është pa ty
as të kundroj tokën që të shpërfill
s’mundem ta dua
këtë jetë jo-jetë të ditëve të mia pa ty
pa vështrimin sy më sy me ty
pa buzëqeshjen tënde në shpirtin tim
jeta jote shkuar pas shpresës së verbër
të rrugës që bëj
ditë pas dite pa ty
mbështjellë me ngrohtësinë e sigurt të hijes sate
e njëjtë dhe pa ty
e njëjtë gjithmonë me ty
në ëndrrën zhgjëndërr
të dashurisë tënde për mua.

© shqipëroi Maksim Rakipaj