Poezi nga Kolec P. Traboini

 
Poezi nga Kolec P. Traboini
 
 
SHQIPËRIA
 
Jo miqtë e mi, ikja nuk është tragjedia
e hedhjes së trastës në kurriz pesë shekuj
me një shkop për të zbuar qentë, kurrsesi.
Tragjedi është mosdija e ikjes
moskuptimi e harrimi i piknisjes
miklimi që jeta na afron nëpër troje
të largëta e me bukuri të mahnitshme.
 
Jo miqtë e mi, joshja s’është e fajshme
kemi të drejtë ta jetojmë epshin tonë
për gra e vajza aziatike, për qejfe e pasuri
por lëshimi i vetvetes në pasione të liga
duke harruar vendin tim e vendin tënd
duke harruar se e bukura magjike
është edhe tek lulja mbi shkëmb.
 
Jo miqtë e mi, fajin nuk e ka Amerika
anipse më farfuritës Las Vegasi është
Bostoni, Detroiti, New Yorku,
San Françisko a Florida
se sa fshati yt a fshati im në Jug a Veri
sepse edhe këtu gjithçka është ngjizur
me mundime, me lotë, me dashuri.
 
Fajin kurrsesi nuk ta ka ikja
trokitja nëpër dyert e botës
ku mësove shijen e bukës me djersë
por vetmashtrimi, harrimi se
Shqipëria e varfër nuk mundi të jepte
më shumë se qumështin e gjirit e dhimbjen
më shumë a më tepër se në sepete kish.
 
Prandaj ti u bëre më i pasur e më i ditur
shumë më shumë se ata që s’dinin të iknin
– siç mençurisht ta thotë dhe Kavafis-
pikërisht se të mungonte Shqipëria
dhe dëshira për ta bërë të pasur atë,
pikërisht.
 
I humbur do të jesh vetëm atëherë
kur të ikësh – e më të kthehesh prapë,
s’do të dish.
 
 
H I R U S H J A
 
Hirushe me flokë të zinj e shpirt të brishtë
frut i pjekur çukitur prej cicërimave
flok dëbore që shkrin në buzën e nxehtë
a nuk ke frikë që troket në dritaren e poetit
këtë mëngjes, tek yjet shuhen e ëndrrat
marrin krahë tutje Kashtës së Kumtrit
ku koha ka ngecur pendulin e vet të artë
ndërsa në rrëpirat e qiellit
aty ku horizonti puthet me detin
një shportëz e artë me zemrën tënde
varet tek Ylli Mëngjesit.
 
Hirushe, o ëndërr e zjarrtë e përjetshme rinie
në natën e verës së gushtit të rreshkur
mos e mbaj frymën varur tek kajsia e oborrit
se poeti kur shkruan ka fuqinë e demonit
çan qiejt e natës e poçet errësirës ia thyen
Hënën e shtrydh si limon
tej e përtej galaktikash e vërtit diskun e diellit.
 
Hirushe, këngë Mjelme ardhur kaltërsive të detit
mos shkel me këmbën tënde të vogël
tek pragu ku poeti
si grackë ka vënë këpucën e artë
sa kur porta të hapet, zhytur në metafora poetike
në prehrin e fantazisë tek e ndjen veten kryezot
në karrigen prej lisi të moçëm do të shohësh
veç një bard plak.
 
Hapsirave të planetëve tek i vijnë tinguj të largët
e këndon i frymëzuar si një Kupid i hazdisur
me harpë tek i bën serenatë Safos së bukur
poeteshës së ishujve të Egjeut
do të thotë ty – kinse asaj do t’i thotë:
Hirushja ime – Safoja ime e ëndërrimeve
shpirti e mban njeriun:
 
si qielli i mban retë,
si dielli e mban tokën,
si trungu i mban gjethet
si lulet i mban pema
si farat i mban fruti
si lumin e mban shtrati
si këngën e mban gjoksi
 
ashtu dhe unë mbaj shpirtin tënd
në pëllëmbën eshkë të dorës së përvëluar.
 
Nga libri “POETICA” Pantheon Books 2022

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s