Poezi nga Linda Hogan
Dy
Pesha e një burri mbi një grua
është si të biesh në një lumë pa u mbytur.
Përsipër, bota është duke u djegur dhe luftuar.
Botë të humbura bashkohen me botë të tjera.
Por poshtë këtu nën cipën e ujit,
është shtrati i lumit, rëra,
çdo gjë është duke pluskuar, duke u përkundur.
Uji shkërmoqet në duart tona, ne shkërmoqemi në të.
Kur një grua dhe një burrë dalin nga uji
ata qëndrojnë në kufirin bazë të ndryshimit.
Të pasqyruar në syprinën e ujit,
ata janë argjilë e pjekur, ujë i avulluar në ajër.
Ata janë aty ku uji ikën nga toka
dhe kthehet prapë në detin e madh.
Një burrë e një grua janë si lumenjtë,
që derdhen në detin e madh
më të madh sesa prurja e të gjitha rrjedhave të tij.

Përktheu në shqip Kujtim Morina