Poezi nga Sadik Bejko
Je krijimi
Ti që më pranon siç jam, me plagët, me acarin,
ti, syri im i mbyllur tek humnerën mbart nën këmbë,
ti, që je krijimi: me një sy, me një hap ngjiz jetën,
eja, pajtomë me veten, me botën, me marrinë-
botë ku guxim, fisnikëri s’duhen, nuk marrin shpagim.
Ti më je jeta, jeta që kurrë, kund nuk të jepet falas,
Ti – syri imi mbyllur në aventurën ecje mbi greminë,
Ecje në fije të hollë, edhe fare pa fije përmbi hon,
në marrinë e bukur, ku jemi më të plotë, të vërtetë:
pse rrojmë kur s’rrezikojmë, kur të mos kemi krahë, fletë?
Sa të plas, t’më marrë dreqi, merrmë ti, të paktën,
prekmë ku s’lejoj askënd, mu në zemër. Dhe shegën
e gjakut, frut të pjekur merre, ta fal edhe vdekjen time:
dhe ec, me një sy, me një hap, shko e ngjize jetën prapë.