Poezi nga Petraq Risto / Shkëputur nga vëllimi poetik “Unë quhem Dje”

 
Poezi nga Petraq Risto
 
 
Gruaja që po plaket
 
Bëra skufe natën
zbukuruar me karfica e diamantë
për të joshur ëndrrat…
 
Burrat kanë harruar të më joshin.
 
Karficat e bizhutë e ditës i vë në shtrat: me to fle
dhurata të burrave të humbur
të përgjumur në një tjetër fole.
 
Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…
 
Me bastunin tim kërcënoj sendet
Dhe sendet s’ma vënë veshin
Më torturojnë me kujtimet e tyre.
 
Gjithë inatin e kam me pasqyrën…
 
Te dritaret shkoj shpesh
Tek tre dritaret ngaqë janë harraqe
Ata s’ma shfaqin atë tjetrën në qelqe
Nuk janë si pasqyra: budallaqe…
 
…Veç ajo më njeh…
 
Edhe rruga nuk më jep të njohur
Fundja kaq e ka kujtesë e saj
Ndonjëherë unë i ngre dorën
Dhe pres: rruga të filloj të qaj.
 
Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…
 
Qëllon shpesh një luleshitës
Shpërndan trëndafila derë më derë
Po unë diku mes natës dhe klithmës
Nxihem: diamant pa vlerë…
 
Gjithë inatin e kam me pasqyrën…
Nga dritaret mund të fluturoj
Nga pasqyra, jo…
 
 
Sebastian Bach: Oboe e dashurisë
 
Duke të kërkuar humba udhën
Këmbësorë nuk ka
përveç të vdekurve që ecin poshtë meje
duke më mbledhur gjurmët.
 
…udha e ngushtë ngjan me një oboe.
 
Kaq orë që të kërkoj nëpër udhë të humbura
madje të kërkoj dhe brenda orës
Ku rri fshehur xhelati me karamanjollën e kohës.
 
Dy oboe: akrepat e orës.
 
S’është mirë kur të vdekurit mbledhin gjurmët
Nën hënën e argjendtë të hollë si oboe.
 
Shfaqesh me shikim të huazuar mjegulle
Trishtimi vjel vile lotësh
Ku ishe që je kaq e ftohtë…
 
Një oboe taste ka lotët.
 
“Nga vdekja kthehem në mbëmje
Më shoqëron veç hija ime
Në një udhë ku gjurmët ngatërrohen me gjethet
E ku zogjtë u ikin cicërimave.”
 
Mbi udhën-oboe: muzikë ethesh.
 
Të jap krahët hidhi supeve
Mbi oboen e udhës luaj deri sa mëngjesi të vij.
 
“Oboet trishtohen nën vesë
Tingujt bëhen të shurdhët
Është mirë një zjarr me shpirtra të ndezësh
Të ngrohim gjakun e ndriçojmë udhët.”
 
Nën hapa Vdekja na mbledh gjurmët…
sikur mbledh fatura të çuditshme.
 
Udha: oboe e shndritshme.
 
 
Testament
 
Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merri muret, po jo dritaret
Merre kopshtin po jo zogun e kuq mbi kumbullën e lulëzuar
Veç tyre asgjë nuk dua.
 
Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merre sixhadenë me sfinks
Orën e madhe me lavjerrësin joshës si grua
Veç kohën kur të desha, ma lë mua.
 
Me murin merre dhe tablonë e Pikasos
Merre dhe pianon me tastierat si krua
Veç lotët në faqe lërmi mua.
 
Merre pishinën, “Jaguarin” e ri
Dhe rrugën me mozaik të shtruar
Veç kantinën me verë ma lë mua.
 
Merri të gjitha dhe pyllin e vogël
Lëndinën e ëndërrt mbështetur në panja
Lermë veç hënën që kërcen sa herë hapet shampanja.
 
Mos harro të më lësh dhe hapat e tua
Gishtërinjtë e dritës mbi tastierë
Dhe zemrën dhe zemrën patjetër e dua…
 
Veç kështu Testamenti ka vlerë…
 
Shkëputur nga vëllimi poetik “Unë quhem Dje”
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s