Në vend të epilogut / Shkëputur nga romani “Hiri Hyjnor” të autores Hasije Selishta Kryeziu

 
Në vend të epilogut
 
Me hapa të qetë, ecja në heshtje. Pas shpine dëgjoja zërat:
– Erdhën ëngjëjt, erdhën, vraponi t’i shohim!
Një drithmë e fortë më përshkoi trupin. Frikshëm po lëkundeshin degët e lisit të palëkundshëm.
Ndalova në vend dhe pyeta një kalimtar.
– A do të jesh edhe ti me engjëjt?
Në vend të përgjigjes mora një shkundje supesh. Pastaj si në mërmërimë tha:
– Nuk i njoh.
– Por askush nuk i njeh ata – argumentova unë. – Vijnë për herë të parë në Kosovë.
Nga kërshëria që kisha e pyeta sërish:
– Po ku janë ëngjëjt?
– Prit! – tha me ton urdhërues. – Tani po vijnë.
Faleminderit – i thashë – dhe u mata të largohesha.
Vrazhdësia e fytyrës së tij nuk më pëlqeu dhe mendova t’i qëndroja larg.
– Ndal! – tha sërish me ton urdhërues. – Po vijnë ëngjëjt! Po vijnë! – u dëgjua sërish zëri i tij.
– S’kam kohë – ia preva shkurt – dhe vazhdova rrugën time në heshtje.
Si u shkëputa disa metra nga ai, ktheva kokën pas që të shihja se ç’ farë po ndodhte.
Papritmas para meje pashë një hije të ngrysur. U tmerrova dhe desha të vazhdoja përpara, por hija më preu rrugën dhe nuk më la të ecja. Më vështroi me sy të trishtuar dhe diç kërkonte. Përnjëherë filloi të bënte zhurmë…
“Grindavecët kurrë nuk i kam dashur” – thashë me vete. Pastaj u mendova pak :
“Eh! Po ç’më duhej kjo grindje e gjorë?”
Hija rrinte para meje dhe bënte pyetje gati të pakuptimta dhe abstrakte. Aq shumë më pyeti saqë e ndjeva veten, sikur isha para policëve serbë, të cilët më merrnin në pyetje pa kurrfarë arsyeje dhe më torturonin. Isha adoleshent atëherë…
Unë qëndroja i heshtur dhe shikoja reagimet e këtij pështjellimi, që sillej rrotull pakuptimësisë së vet. Ndjeva ankth në ato momente. M’u duk sikurse një tjetër fantazmë filloi të më ndiqte pas.
Një zë femre u dëgjua, ngjante si e nënshtruar. Nuk munda ta deshifroja nëse ishte zë administratoreje apo zë i ardhur nga rruga.
Përfytyrimi im filloi të luhatej mes valëzave turbulluese që lëkundeshin edhe puhisë më të lehtë. Shtrëngova fort duart dhe e kuptova që krenarinë time nuk mund ta lëkundëte asgjë.
Nga larg shihja se si nga një trup zhvisheshin të tjera hije. Dukej sikur sundonin hapësirën e mjerueshme e plot mëkate, por sakaq treteshin dhe zhdukeshin nga vagëllimi i shpërfilljes së kohës së re që kishte ardhur.
Nga shpërfillja që i bëra hijes së ngrysur, ajo u drodh dhe filloi të çirrej aq shumë, sa m’u drodh trupi.
– Ti djalosh, mos u merr me punë që s’të takojnë – shprehu ankimin – dhe vazhdoi:
– Në fund të fundit kot e ke. Askush nuk ka triumfuar mbi fuqinë time – dhe nënqeshi me sarkazëm.
Mendova se kishte shprehur mllefin e fundit dhe po largohej, por çuditërisht filloi të bëhej më kërcënuese.
– Do të të vras – tha më pas – dhe shtrembëroi fytyrën.
Qesha me të madhe. Kjo mostër e mbetur nga urrejtja e pjellave djallëzore, mendonte se kishte fuqi dhe do të vazhdonte të bënte krime pa fund. U tërbua edhe më tepër dhe urdhëroi:
– Eja pas meje!
– Jo! Kurrë nuk do të ndjek pas një pjellë mallkimi sikurse je ti – i thashë me vendosmëri.
– Ti nuk e njeh urrejtjen time – ulëriti me gjithë fuqinë e zërit si një bishë.
– Ja ku jam! S’ke ç’të më bësh, unë kam shpirt binjak.
Ajo u tjetërsua, pastaj ndërroi disa forma dhe duke u djegur nga flakët e ferrit mori me vete edhe piskamën e fundit.
 
Me hapa të qetë vazhdova të eci përpara. Duke pëshpëritur thashë:
 
“Vila më more zemrën, merr edhe pjesën tjetër të mbetur. Në dhomën e kristaltë merre dhe shpirtin ëngjëll. Ndjej praninë tënde kudo, po të thërras emrin. Asnjë çast nuk dua të jetoj pa ty. Vila të dua shumë ! Ti je shpirti im. Je frymë e frymës time. Je gjithçka për mua… Çdo moment mendoj vetëm për ty. Edhe kur kam qarë me Jehonën, kur kam vuajtur për Yllkën, Elizabetën…. kur jam grindur me hijen e ngrysur, kam pasur dashuri të madhe për ty. Ta fala zemrën, shpirtin, vetën time, gjithçka. Më fal që nuk mund të shpreh dot ndjenjat e mia. Nuk mundem as të shkruaj! Ah! Vila, drita ime, dielli im, që më ngroh e më përvëlon…”
Dielli kapërceu horizontin dhe e veshi perëndimin me kuqërremtësinë e tij. Mbrëmja po zbriste me krahët e saj të ngadaltë dhe të errët dhe filloi të fshehte gjithçka. Hyra në shtëpi dhe hapa ditarin. Sytë vetëtimthi u fokusuan tek data 16 Nëntor 1998.
Fillova të lexoja :
“Atë ditë bora binte fjolla-fjolla. Bënte ftohtë. Dimri i egër dhe acartë kishte zbardhur gjithçka. Bashkë me natyrën kishte ngrirë dhe shpirti çnjerëzor i mercenarëve serbë, të cilët po bënin krime masive mbi popullsinë e pafajshme. U vranë burra, gra, fëmijë, pleq. Midis tyre edhe Fjolla. Ata u varrosën… “
Nuk munda më shumë të lexoj. Mbylla ditarin dhe u shkreha në lotë. Arrita të thoja:
“Lamtumirë, Fjolla ime e dashur! ”
 
 
hasije
 
Hasije Selishta Kryeziu
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s