Poezi nga Alisa Velaj
PASQYRIM
Çdo gjë e qiellit pasqyrohet
në det dhe në tokë.
Nata, dita, ndryshimet në mot.
Veç kur horizonti përskuqet gjak,
pasqyrimi më shumë ndodh në tokë.
DRITËSIM HIJESH
Në dritë-hijen e jetë-vdekjes
drita hijëzohet
për të goditur
agoninë vjeshtake.
Në hije-dritën e vdekje-jetës
hijet dritësohen
për të goditur si vetëtima
greminat e paqena të Errësirës.
LUTJE
Lëshoje erën prej duarsh imzot
dhe le të bymehen erërat
në zjarrin e vatrës.
Ata lëkunden si kallama
në kufijtë e askujt, imzot.
Tremben si fëmija
prej ushtrisë së hijeve!
QIRINJ
Mbaj qiej më të ftohtë se të tutë mbi supe
e plot qirinj të ndezur
për torta që s’di ku i humba.
Ti më thua të hesht sonte
në performancën e yjeve
e të vështroj rënien e tyre
me të njëjtën uri
që lakmoja dikur
shkumëzime dallgësh.
Po tash qirinjtë më shkrinë ndër duar
dhe unë s’po di ku t’i vë…
Shkëputur nga vëllimi poetik “Këngë e verdhë zogu në mesnatë”