Poezi nga Edmond Shallvari
Prandaj ju lë të thënën
Kam qenë fajtor pa faj
Në fajin e pafajshëm
Nuk them më vjen inat
E çdo fitoj inatshëm?
Nuk bëj, jo, disidentin
Si ca servilë sistemesh
Unë roja të vërtetin
Besimit të vetvetes
Ç’të bëja në një sferë
Prej xhami akullnaje
Kur jashtë, thon’, ësht’ skëterrë
E brenda jetë parajse?
Të ishte vetëm kaq
Do ish’ gjysm’ e së keqes
Por kish’ ca përralltar’
Hipnotizues të penës
Që brenda asaj sfere
Mes dimrit minusgrad’
Të ngrohtën e një vere
Ta sillnin ditë e nat’
Dhe ti idealisti
I mirëbesuari, ti
Pas fjalësh si prej Krishti
Besoje mrekullin’
Dhe kur kjo mrekulli
Të racionoi ajrin
Tallonash në ushqim
Ku s’gjeje dot as barin
As barin e një lope
Premtuar nga i madhi
Parimet dhënë për ngopje
“Ta dimë s’e hamë dhe barin!”
Mos bëj më historira
Ato janë tash të bëra
Nga një e keqe ika
Por kurrë nga e tëra
Prandaj ju lë të thënën:
-Mos shkulni degët, por rrënjën!
Jam dashuria jote
S’kam frikë, jo, se tjetër mund të duash
Më shumë besoj që Toka të gjejë tjetër Diell
Që Hëna diku tjetër të shkojë rrotulluar
Dhe stinët të stinojnë, secila mijra vjet.
Jo, s’ja bëj qejfin vetes, besimin s’e krijoj
Besimi i krijuar është thjesht një ngushëllim
S’kërkova dashurinë, i verbër ta pranoj
Vetë dashuria lindi, binjaken shpirtit tim..
Aty ku ti je vetëm, rrethuar mes shikimesh
Joshur përmes vargjesh poetësh romantikë
Aty ku sot çdo femër lëkundet prej ngacmimesh
Ti shndrohesh Penelopë, që tallën dhjetra princër.
Kam fat prej Odiseje, ke fat prej Penelope
Larg-afër qofsh prej meje, jam dashuria jote.
PA KUFIJ
Nuk e di më parë sa të kam dashur
Sa të dua, edhe sot nuk e di
Dashuria s’paska masë për ta matur
Etalonin nuk e njeh një dashuri
Me sa duket të kam dashur pa kufij
Të kam dashur kapërcyer horizontesh
Edhe sot vazhdoj dashjen infinit
Kurse nesër, tejkaluar dhe të sotmes
@Edmond Shallvari