Rusishtja dhe Rashizmi. A është vërtet gjuha dhr letërsia ruse kaq e madhe? – Nga: Tomasz Kamusella, Universiteti i Shën Andresë (Skoci) / Përktheu: Bardhyl Selimi

 
Tomasz Kamusella
 
Universiteti i Shën Andresë, Skoci
 
 
Rusishtja dhe Rashizmi
A është vërtet gjuha dhr letërsia ruse kaq e madhe?
 
Pas sulmit rus mbi Ukrainën, në fillim të vitit 2022, termi i ri, rashizmi, u përdor për referencë negative ndaj ideologjisë së neo-imperializmit, që Kremlini shtron për të justifikuar dhe promovuar veprimet e veta.(1)
Por në Perëndim i është kushtuar pak vëmëndje rolit të gjuhës ruse në këtë ideologji. Në vendet anglisht-folëse, qeveritë ua lënë gjuhën ta përdorin qytetarët sipas dëshirës së tyre. Politika gjuhësore nuk e trajton atë aktivisht si një objektiv në vetvete apo si instrument për të shpënë përpara ndonjë politikë të veçantë.
Përkundrazi, kjo është normë dhe madje themel i politikës së Europës Qendrore dhe Lindore, ku kombi- në vijën e nacionalizmit etno-linguistik, përkufizohet si të gjithë folësit e një gjuhe (apo një bashkësi gjuhësore). (1)
 
Duke mos i kushtuar vëmëndje këtij aspekti të spikatur të rashizmit dhe qysh gjuha dhe kultura ruse mësohen dhe studiohen në universitetet me mjedis anglishteje, i jep Kremlinit një dorë të ngritur në luftën e tij mediatike në mbarë botën që shoqëron luftën brutale dhe të pajustifikuar në Ukrainë. Moskuptimi i tillë është një dobësi taktike që faktikisht e privilegjon Rusinë në stilin e vet irredentist të ndërtimit të perandorisë për “t’i mbledhur të gjitha vendet rusisht-folëse” brenda kufijve të Rusisë.
Dhe përsëri, ukrainasit dhe kombet e tjera kufitare me Rusinë duhet të paguajnë çmimin për këtë gabim të Perëndimit, që e ndihmon padashur Kremlinin ta aktualizojë ëndërrën e vet të Rusisë së Madhe.
 
Paralajmërim
 
Më 24 shkurt 2022, kur me ndihmën e Bjellorusisë ushtria ruse e pushtoi Ukrainën, (1) Perëndimi u zgjua përfundimisht nga ky ndryshim drastik në Europën e pas – Helsinkit. (2)
Parimet e mira të vjetra që u vendosën në vitin 1975 ndërmjet Bllokut Sovjetik dhe botës demokratike në Mbledhje në kryeqytetin finlandez shkuan kot. Nuk po vlen më moscënimi i kufijve shtetërorë në Europë. Bashkimi Europian dhe NATO i përmbahen parimit të barazisë ndërmjet shteteve anëtare, pavarësisht madhësisë së popullsisë dhe territorit të tyre, apo madhësisë së ushtrive dhe ekonomive të tyre. Në Europë shtetet e mëdhenj dhe të vegjël janë të barabartë.
Por Rusia e Putinit kurrë nuk do ta zbatojë këtë rregull, që Kremlini e shikon një kufizim të bezdisshëm. për më tepër Moska dhe Pekini janë të mendimit që “një vend i dobët duhet t’i bindet një vendi të fortë”, (1), prandaj Ukraina duhet t’i bindet Rusisë dhe Taivani Kinës Popullore.
 
Fati i Europës dhe i demokracisë po vendoset tani në Ukrainë: nëse e ardhmja do jetë me liri dhe demokratike, apo rashizmi do fitojë. Rashizmi- krahas parullës “socializëm me trajta kineze” të Pekinit, “ideologjisë së Koresë Veriore të Juche-s”, “demokracisë sovrane” të Moskës, “demokracisë iliberale “ të Hungarisë, apo “të ndryshimit të mirë” të Polonisë (1), të gjitha këto janë një emër i ri për autoritarizmin. Në kohën e luftës dhe të grindjes së brendëshme për pushtet, sikurse po vërehet tani në Rusi, ky system po del duke marrë formën e plotë të totalitarizmit. Si rezultat, rashizmi duket se po u bashkohet radhëve të fashizmit musolinian, nazizmit hitlerian dhe stalinizmit moskovit.
 
Nuk është për t’u çuditur, që kjo botë – portmanto e thurrur nga “Rusia” dhe “fashizmi” është sajuar, aktualisht, me aneksimin nga Rusia më 2014 të Krimesë ukrainase.(1). Atë kohë, ajo u modelua në një neologjizmë më të hershme, nashizmin, duke iu referuar praktikave politike të partisë pro qeverisë së Kremlinit “Rusia e Bashkuar” që mundësonte dhe promovonte “demokracinë sovrane” apo diktaturën e Putinit gjatë dy dhjetëvjeçarëve, që vijon ende. Nga ana tjetër, termi nashizëm vjen nga emri i krahut rinor të kësaj partie “Nashi” (Tonët, ose populli ynë), që është themeluar më 2005. Logjika e termit nazhizëm reflekton opoziten dypolëshe të zymtë ku Putini mbështet politikën e vet të brendëshme dhe të jashtëme. Jemi ne kundër atyre, “vlerave tradicionale të Rusisë së Krishterë” kundër “Perëndimit të degjeneruar” (2), i autokracisë kundër demokracisë.
 
Ultranacionalizmi rus, që “justifikon” përndjekjen e demokratëve dhe liberalëve, që bëri asimilimin e jo-rusëve etnikë të Rusisë dhe ekspansionizmi i tërbuar për rindërtimin e Rusisë së Madhe janë një kopje e fashizmit Italian dhe e nazizmit gjerman. (1). Ndryshimi thjesht retorik ndërmjet këtyre të dyve dhe rashizmit është që ithtarët e ideologjisë shtetërore të sotme të Rusisë, aktualisht, i denigrojnë kundërshtarët demokratë duke i etiketuar ata si “nazistë” dhe “fashistë”. (1). Për më tëpër, rashistët ndjehen të fyer kur dikush i dyshon ata si nazistë dhe fashistë. Pra, programi dhe veprimet e tyre janë antisemitë, (2) ksenofobë (3) dhe përçohen nga një mision qytetërimi i stilit neokolonial, që ka si përfundim genocidin aktual dhe kulturor në popujt e kolonizuar. (4)
Rashizmi është një skizo-fashizëm, sepse rashistët rrejnë si derri duke mohuar karakterin fashist te ideologjisë dhe politikës së tyre (2). Por nuk ka as një dyshim sot për vëzhguesit e jashtëm se tani Rusia është një vend fashist. (3)
 
Bota ruse
 
Që në vitin 1995, çeçenët, në atë kohë nën sulmin gjenocidal të Moskës, flisnin për rusizmin. (1) Me këtë term ata e etiketonin politikën e Kremlinit të shkatërrimit të planifikuar të kombit të tyre, krahas gjuhës dhe kulturës çeçene. Asnjë shkollë e vetme me çeçenishten si gjuhë mësimore nuk i mbijetoi fitores ushtarake ruse në Ҫeçeni, (2)
Në vitin 2007, qeveria ruse, zyrtarisht, e shtoi nacionalizmin etno-linguistik në armaturën e vet ideologjike. Putini instaloi Fondacionin Bota Ruse. Kinse kjo organizatë kishte për detyrë promovimin e gjuhës dhe kulturës ruse nëpër botë. (1) Por në vendet pas – sovjetike dhe shtetet me një numër të konsiderueshëm rusisht – folësish (si Izraeli apo Gjermania), fondacioni përpiqet të sigurojë një status zyrtar për gjuhën ruse, madje deri në një zëvëndësim faktik të vetë gjuhës kombëtare të vet, si në rastin e bjellorusishtes në Bjellorusinë e sotme. (2)
 
Nga ana tjetër, ky institucion qeveritar de facto siguron gjithashtu që askush tjetër, përveç Akademisë Ruse të Shkencave, të ushtrojë kontrollin normativ për parimet “e përdorimit të drejtë” të gjuhës ruse. (1)
Si rezultat, “pronësia” e politizuar e Moskës për rusishten parandalon de-etnizimin e kësaj gjuhe, që ka qenë normë në rastin e gjuhëve të tjera pas-koloniale me përdorim më të gjerë (sikurse anglishtja, frëngjishtja apo spanjishtja) që janë punësuar me kapacitet zyrtar në shumë shtete. Në vend të kësaj, mbi bazën e kontrollit normativ nga Moska mbi rusishten në vendet pas – sovjetike, Kremlini mëton që të gjithë folësit e rusishtes janë anëtarë të vetëm një kombi rus.(1) Atyre u thuhet se janë borxhlij për një besnikëri ndaj Rusisë dhe Putini pretendon se “i mbron” ata me Rusinë në zgjerim, kështu, më në fund, territori i vendit duhet të mbivendoset brenda “Botës Ruse” ose sipërfaqet ku rusishtja është një gjuhë me ndikim në komunikimin e përditshëm.
 
Ky neo-imperializëm dhe irrendentizëm i stilit perandorak ujdiset i mbështetur me nacionalizmin etno-linguistik dhe me misionin ortodoks civilisatrice (qytetërues), që rikthehet te profecia moderne e hershme që Rusia (atëhere Moskovi) është e paracaktuar të bëhet Roma e Tretë. Në sytë e Putinit, Perandoria Ruse e fillim – shekullit 20 ishte afërsisht një mjedis i përsosur i kësaj shporte të përzier idealesh, pas “humbjes” më 1867 të Alaskës në favor të SHBA. Nuk është për t’u habitur, rashizmi, për kureshti, duket si një fotokopje e ideologjisë cariste më 1833 të ortodoksisë, autokracisë dhe nacionalitetit (dmth të rusifikimit), të cilën e sajoi ministri rus i arsimit Sergei Uvarov. (1)
 
Një e pesta e banorëve të Rusisë nuk janë rusë etnikë, ndërsa 60 përqind u përkasin feve jo të krishtera ortodokse ose janë ateistë. (1). Kjo mospërputhje ideologjike brenda Rusisë vetë, zbutet nga vendosja e “alfabetit rus” të cirilikeve për të mbrojtur unitetin “mbar rus”. Nga 2002, secila nga 30 gjuhët zyrtare në republikat autonome të vendit duhet shkruar përjashtimisht në cirilike.(2)
Në praktikë, jo vetëm rusishtja por edhe ciriliket barazohen me botën ruse. Prandaj në shtetet pas – sovjetike të Azerbajxhanit, Moldavisë, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit ciriliket janë zëvëndësuar me shkronja latine për t’i shkruar gjuhët zyrtare të vendit. Azerët, moldovët, turkmenët dhe uzbekët po bëjnë çmos të largohen nga Rusia e ringjallur, kështu Kremlini mos ta përdori ciriliken ose ndonjë “argument” tjetër për t’u përpjekur të pushtojë dhe të “rithithë” vendet e tyre. Kazakistani aspiron të ecë në po këtë shteg, por Moska po bën çmos të parandalojë një ndryshim të alfabetit për ta shkruar kazakishten. (1)
 
Qysh e sheh bota rusishten
 
Në Perëndim, më tepër padashur, përceptimi i gjuhës dhe i kulturës ruse ndjek gjerësisht dëshirat e propagandës dhe ideologjisë së Kremlinit për botën ruse.
Askush nuk pyet për faktin që rusishtja është një gjuhë e rëndësishme për komunikimin global. Veç të tjerash, ajo është një ndër gjashtë gjuhët zyrtare të OKB. Lufta e Ftohtë e bëri Perëndimin të pavëmëndëshëm për faktin mjaft të çuditshëm- në krahasim me arabishten, anglishten, frengjishten, spanjishten dhe madje kinezishten- rusishtja ishte zyrtare vetëm në një vend të vetëm, pikërisht në Bashkimin Sovjetik. Kjo mungesë vëmendjeje për politikat gjuhësore i parandaloi vëzhguesit perëndimorë nga të menduarit për atë si u shkatërrua ky shtet komunist pas 1991, që Moska mund të pretendonte për pronësinë ekskluzive të gjuhës ruse. Veçanërisht, që një pretendim i tillë drejtohej nga frymëzimi për sovranitetin e shteteve pas – sovjetike.
Ashtu si në Europën Qendrore, shtetet pas – sovjetike janë legjitimizuar përmes nacionalizmit etno-gjuhësor. Në praktikë kjo do të thotë që një shtet ” vetiak” duhet të shënohet si komb i vetëm kur flet gjuhën e vet të veçantë, qoftë ajo estoneze, gjeorgjiane apo ukrainase.
 
Në fillim të 1991, kur ndodhi shkatërrimi i Bashkimit Sovjetik, gjuha dhe kultura ende shikoheshin si element i një fuqie të butë. Gjithçka ndryshoi kur Kremlini e armatosi gjuhën dhe kulturën për përdorimin e një fuqie të fortë, duke ndjekur aneksimin e Krimesë ukrainase në 2014. (1) Edhe pas kësaj kthese të madhe, shumica e komentatorëve perëndimorë dështuan të vërenin qysh kontrolli i Moskës mbi rusishten përkthehej në ndikim kulturor dhe politik dhe kontroll mbi të gjitha bashkësitë rusisht – folëse jashtë Rusisë. Nga ana tjetër, ekzistenca e këtyre bashkësive rusofone u përdor nga ideologët e Kremlinit për të propozuar që Bjellorusia ose Ukraina janë pseudo-shtete, sepse bjellorusishtja dhe ukrainishtja nuk janë “gjuhë të vërteta”. Pranda, në “logjikën” e njëanshme neo-perandorake të Moskës, as kombet bjellorusë, as ukrainas nuk ekzistojnë. Ekzistenca e tyre është një fyerje për rashistët dhe vizionin e tyre të një Perandorie të Rilindur Ruse. Veç kësaj, Bjellorusia dhe Ukraina duhet të përbëjnë zemrën etnike të Rusisë më të Madhe. (1)
 
Vetëm në fillim në 2022, kur ndodhi invazioni i Ukrainës, ritransmetimet nga televizioni rus dhe stacionet e radios ruse u ndaluan në shtetet pas – sovjetike të BE dhe NATO-s, pikërisht në Estoni, Letoni dhe Lituani. (1) Në mars 2022, një muaj pasi Rusia e sulmoi Ukrainën, BE vetë nisi të mbyllë të gjitha mediat ruse që transmetonin në rusisht dhe në gjuhët perëndimore. (1) Por, disi, Moska ende është e aftë t’i përballë këto ndalesa dhe të pompojë propagandën ruse nëpër Bashkimin Europian.(2) Njëkohësisht, kontrolli i afërt totalitar i masmedias në Rusi, i parandalon mediat perëndimore të transmetojnë për publikun rus, (3) që është i mashtruar dhe i kushtëzuar nga propaganda. (4). Mbi të gjitha, Rusia duket se po fiton luftën e propagandës (5) në Jugun e botës, ku lufta e Kremlinit në Ukrainë shihet gjerësisht si e justifikuar. (6)
 
Pozita zyrtare e Moskës është që as gjuha ukrainase, as kombi ukrainas nuk ekzistojnë; (1), prandaj Ukraina duhet të “denazifikohet” (2). Ҫfarë do të thotë në praktikë ky “denazifikim”? Në kohën e tashme, në Ukrainë invaduesit rusë synojnë dhe shkatërrojnë muzeumet, (3), monumentet (4), arkivat (5), shkollat (6) dhe spitalet, (7) Qindra mijëra fëmijë ukrainas janë deportuar në thellësi të Rusisë, për të siguruar një rusifikim të shpejtë. (8). Në zonat nën okupimin rus bibliotekat dhe shkollat janë “pastruar” duke shkatërruar librat ukrainisht. (10) Rusishtja ka zëvëndësuar ukrainishten si gjuhë mësimdhënie dhe programet mësimore rusë kanë zëvëndësuar ato ukrainase.. (11) Ka plane për t’i mbledhuar fëmijët e këtyre zonave në kampe verore me qëllim që t’u mësojnë atyre “rusishten vetë” para se të nisë viti i ri shkollor në shtator. (1) Operatorët e lëvizëshëm rusë i zëvëndësojnë homologët e tyre ukrainas në zonat e pushtuara. (2), rubla ruse zëvëndëson hryvninë ukrainase atje, (3) dhe në qytete dhe fshatrat e rrafshuar ukrainase nën kontrollin rus vinë me shumicë furgona me altoparlantë të stërmëdhenj anash për të përhapur propagandën ruse në rrugë. (4)
“Denazifikimi” nga Kremlini është një emër i ri për politikën e vjetër perandorake të rusifikimit që përfshin likuidimin me forcë të gjuhëve dhe kulturave dshe kombeve të tjera. (5)
 
Dhe sërish, fiksimi i Kremlinit për bëma të tilla monumentale të ingjinierisë së gjuhës si mjet i saj kryesor për të arritur objektivat e neoimperializmit rus ka shmangur shqyrtimin e Perëndimit. Eventualisht, komentatorët perëndimorë janë zgjuar për realitetin e shëmtuar të krimeve rusë të luftës, (1) vetëm kur janë ballafaquar me rastet e përhapur gjerësisht të përdhunimeve si mjet lufte (2) nga trupat ruse dhe me masakrat gjenocidale të shumënumurta, të kryera metodikisht nga ushtria ruse. (3) Vija e hollë e kuqe është kapërcyer. Është e padenjë që rashizmi kriminal i Kremlinit kërkon të ngrejë nazizmin e Rajhut të Tretë në metodë, justifikim dhe qëllim, duke përfshirë kampet e përqendrimit (2) dhe Forcat Speciale ( Einsatzgruppen) për të vrarë (3) anëtarët e kapur të elitës ukrainase dhe të forcave ushtarake. (1) Ëndërra naziste e pastërtisë raciale dhe Gjermania e Madhë homogjene gjermanisht – folëse i ka dhënë vizionit të Putinit një projekt të gatshëm të një Rusie të Madhe rusisht – folëse të shëndetshme (jo LGTBQ), tradicionale (totalitare) dhe homogjene.
Ka dalë sërish shovinizmi rusomadh. Aleanca totalitare Stalin- Hitler (1939-1941) duket se është në kulm duke dhënë një frut të vonë.
 
Ndërkohë në masmedian perëndimore dhe zyrat e kryeqyteteve po dëgjohet se çfarë raportojnë gazetarët nga Ukraina ndën një sulm të pamëshirshëm, sepse nuk njëjtësohet me gjuhën dhe kulturën ruse. (1) Pse jo? Ky qendrim i pashpirt i fyen drejt për drejt ukrainasit, sepse nuk janë gjë tjetër veç ushtarët dhe oficerët rusë të edukuar dhe ushqyer me “letërsinë e madhe ruse” ata që kryejnë krime të urryera në Ukrainë. (2)
Pas 2014 disa intelektualë me mende të ndritur ukrainas besonin që përpjekjet e Kievit për të kufizuar furnizimin me libra rusë në Ukrainë, përfshi ato haptazi anti – ukrinase, ishte e dëmshme për lirinë e fjalës dhe të mendimit. (1) Tani ata nuk dyshojnë për këtë. Pas masakrave gjenocidale në Bucha (2) apo në Borodyanka (3) dhe më se 22000 vrasje në Mariupolin krejt të rrafshuar (4), çështja e lidhjes midis imperializmit rus dhe kulturës ruse ka nevojë të shtrohet urgjentisht dhe seriozisht. (5)
A nuk është e vërtetë që në romanin epokal të Tolstoit, në skenën e vetëvrasjes së Anna Kareninës, i dashuri i saj, oficeri i kavalerisë sulmuese, Konti Aleksei Kirilovioç Vronski, në kërkim të ngushëllimit, iu bashkua ushtrisë ruse? Ai e bëri këtë pikërisht për të marrë pjesë në Luftën Ruso- Turke të 1977-1878. Trupat ruse, ku bënte pjesë Vronski, masakruan dhe bënë copë copë qindra mijëra turq dhe myslimanë në Bullgarinë e sotme. Ҫfarë kalimi kohe i përshtatshëm në stilin imperial për një fisnik rus të frustuar, që ëndërron ta rifitojë dashurinë e humbur përmes vrasjes masive të “jobesimtarëve jobesnikë, orientalëve dhe kolonialëve, ndënnjerëzorë”, eh?
Tolstoi e dinte mirë se për çfarë po shkruante. Mbi të gjitha, gjatë viteve 1850, ai ka qenë vetë oficer, në fillim në Kaukaz, duke luftuar çeçenët dhe myslimanët e tjerë dhe më pas në Luftën e Krimesë, kur rusët luftuan kundër tatarëve të Perandorisë Otomane dhe turqëve, të cilëve u erdhën në ndihmë fuqitë e mëdha europiane. As Tolstoi, as shumë i dashuri për rusët, Pushkini, nuk e kanë dënuar imperializmin rus. (1) Përkundrazi, të dy shkrimtarët aktivisht e kanë reklamuar këtë ideologji dhe e kanë promovuar ekspansionin kolonialist që vazhdonte atëhere të Perandorisë Ruse. (2)
Njëfarësoj, asnjë roman i madh rus nuk i është kushtuar gjenocidit të parë “modern” në shkallë të madhe kundër Cirkazianëve, që ushtria ruse e bëri në vitin fatal 1864,(2) Në ditët e sotme, në Cirkazi (Adiga Xəku) të zhveshur nga cirkazianët, rusët shijojnë rrezet e diellit në Rivierën e Kaukazit të veriut, që ndodhet në brigjet e Detit të Zi, me resort kryesor Soçin, që dikur quhej Şâçə në gjuhën cirkaziane.
 
I verbër në njërin sy
 
Qysh e menaxhoi Perëndimi, që dështoi të vërente se si e shndërroi në armë Moska kulturën dhe gjuhën? Për dhjetëra vjeçarë të ballafaqimit gjatë Luftës së Ftohtë, “kultura e madhe ruse” ofronte ngushëllimin, (1) madje një shpresë që një Rusi e lirë e së ardhmes do jetë e mundur, që ajo nuk mund të bëhet një vend “europian normal”. (2) Njëkohësisht, sovietologët perëndimorë dhe profesorët e studimeve letrare nuk e shtruan çështjen e praktikës sovjetike për të mos botuar romane të shkruara në gjuhët e tjera sovjetike veç rusishtes, para se të bëhej përkthimi i tyre në rusisht. Vetëm paskëtaj një përkthim i një vepre jo në rusisht mund të botohej edhe në një gjuhë perëndimore.
Kjo përcillej vetëm nga përkthimi i miratuar në rusisht, jo nga ukrainishtja, azerbajxhanishtja apo origjinali në gjeorgjisht.
 
Është e qartë, që kjo praktikë e ideologjizuar e përkthimit të përkthimeve në rusisht e bënte letërsinë jo ruse sovjetike të zinte një pozitë të mjerë në lidhje me “letërsinë e madhe ruse”.
Edhe në ditët e sotme, në Perëndim, besohet se ukrainishtja me 40 milionë folës, apo uzbekishtja me 35 milionë folës janë “gjuhë të vogla”. Prandaj një roman në ukrainisht apo uzbekisht mund të përkthehet në gjuhët perëndimore- psh në suedisht me 10 milionë folës- vetëm pasi ajo ka dalë në fillim në përkthimin në rusisht. Bashkimi Sovjetik është prishur tre dhjetëvjeçarë më parë, por praktika të tilla të imperializmit kulturor dhe gjuhësor sovjetik ende vazhdojnë. Gjithashtu, mbi këtë bazë,Kremlini mëton “të drejtën” e vet ndaj vendeve pas – sovjetike si pjesë të botës ruse, sepse ata “nuk kanë kulturë të denjë fjale” në krahasim me rusishten. Ideologët rusë mëtojnë që letërsitë pas – sovjetike jo ruse janë të varfëra dhe të prejardhura, janë vetëm një hije e zbehtë e “letërsisë së madhe ruse”.
 
Kjo pikëpamje e dëmshme ka qenë prej kohësh dhe përsëritet nga autorët rusë, duke përfshirë edhe disidentin e njohur dhe poetin rus Josef Brodski, (1,2) që ka gjetur strehim në Perëndim. Në mënyrë të pamendueshme dhe pa i pasë lexuar këto letërsi jo ruse, ekspertët perëndimorë vazhdojnë të tundin kokën në diskutim. Si rezultat ata pranojnë ofertën e Kremlinit, dhe miratojnë imperializmin rus. Disa e kuptojnë se çfarë po bëjnë dhe si shpërblim presin lavdërime, ndihmë dhe para nga Moska.(3)
 
Tolstoi dhe Brodski, përveç që janë përfaqësues të “letërsisë së madhe ruse”, janë gjithashtu imperialistë rusë të papenduar. Jo shumë vite më parë, më 1998, Brodski de facto e mohoi të drejtën e ekzistencës së pavarur për vendet e ish bllokut sovjetik. Duke kundërshtuar përkufizimin e Milan Kunderës më 1984 për Europën Qendrore si pjesë e perëndimit, që Moska e kish marrë peng, (1), Brodski në mënyrë famëkeqe e quante këtë rajon “Azia Perëndimore”.(2) Ai nuk u pengua kur barazoi Bashkimin Sovjetik dhe Rusinë pas – sovjetike me Azinë, për sa kohë Europa Qendrore do mbetej nën sovranitetin e Moskës. Vullneti dhe opinionet e kombeve përkatës nuk kishin rëndësi për Brodskin. Përse duhet një imperialist të kujdesej për “kombës të paqytetëruar?”
 
Aleksander Solzhenicini parimor, që në shkrimet e tij shqeu vellon e harresës së tmerrit gjenocidal të kampeve – gulagë sovjetikë dhe kampeve të vdekjes, (1) më në fund provoi se ishte edhe ai një imperialist i bindur rus. Putini e kooptoi shkrimtarin për sistemin e vet politik, dhe Solzhenicini ishte i lumtur t’i shërbente atij. (2)
Që të dy e urrejnë Perëndimin dhe ndajnë vizionin për një “Rusi të madhe të pastër ortodokse dhe imperialiste” (2).
Në vitin 2007, duke marrë në Kremlin Ҫmimin Shtetëror të Federatës Ruse nga dora e Putinit vetë, Solzhenicini reflektoi për të ardhmen e Rusisë. Ai tha: “Në se do më pyesnin mua a është Perëndimi i sotëm një model për vendin tim, unë do të përgjigjesha negativisht. [….] Lufta e ardhëshme (që mund të jetë jo domosdo atomike, nuk besoj) mund ta varrosë përgjithmonë qytetërimin perëndimor.” (1)
Kjo luftë në profetizimin e Solzhenicinit po ndodh tani në Ukrainë. Demokracia, të drejtat e njeriut dhe liritë politike bazë janë në rrezik. (1) Disa intelektualë perëndimorë po e ndjejnë që “letërsia e madhe ruse” është pjesë dhe madje një armë e këtij ballafaqimi. Që bukuria e artit letrar rus nuk mund të shijohet në mënyrë të përgjegjëshme në shkëputje nga reflektimi i vetëdijshëm në kontekstin më të gjerë të kolonializmit dhe imperializmit rus dhe sovjetik.
Pavarësisht disa kritikave cilësore por të shurdhëta, shumica e autorëve rusë, mjaft të lumtur, kanë mbështetur ekspansionin imperialist të Rusisë Cariste, të Bashkimit Sovjetik dhe tani të Federatës Ruse. (1) Cilido emër i radhës në momentin e dhënë, shpreh Nënën Rusi, Botën Ruse ose pikërisht perandorinë që mbetet ylli i tyre.
Lexuesit perëndimorë duhet të kenë kujdes se çfarë po bëjnë. Që duke shqyrtuar romanet ruse shpesh ata thithin vetëm imperializëm rus dhe antiokcidentalizëm. Prandaj t’i lexojmë me sy kritik.
Mbase në këto momente kur tanket ruse po shkelin anëembanë Ukrainën është koha të fokusohemi në veprat e këtyre autorëve të gjuhës ruse, që janë të vetëdijshëm dhe e dënojnë imperializmin rus, sikurse Maxhim Kantor (1) apo Mikhail Shishkin.(2) Nuk është për t’u befasuar që të dy e kanë lënë Rusinë e Putinit, i pari për Gjermaninë dhe i dyti për Zvicrën.
 
Një rrugë përpara
 
Propozimi i paradokohe që botuesit perëndimorë duhet të ndriçojnë letërsinë ukrainase, të qasëshme në lexim, me cilësi të lartë përkthimi, drejtpërdrejt nga origjinalet në ukrainisht është një nisje e mbarë. (1) Por është me vonesë. Ҫfarë mund të thuhet për arritjet e letërsisë armene, bjelloruse apo taxhike? Pse të mos e shtrijmë këtë program përkthimi të kryeveprave të krijuara në gjuhët zyrtare të republikave autonome të Rusisë, për shëmbull në bashkirisht, ҪeҪenisht, kalmikisht, Sakhaisht (jakutisht), apo tatarisht? Një kontinent i tërë i letërsive sovjetike dhe pas – sovjetike në rreth 50 gjuhë mbetet i fshehur ndaj pikëpamjes së lexuesit perëndimor përmes perdes së papërshkueshme të hekurt të “letërsisë së madhe ruse”.
Madje edhe në se një program i tillë i zgjeruar realizohet, kufizimi kryesor mbetet mungesa e përkthyesve të kualifikuar dhe e studiuesve në këto gjuhë. Një ngushticë tjetër vjen në formën qysh Bashkimi Sovjetik dhe shtetet pas – sovjetike nuk janë të pasqyruara në universitetet perëndimore. Vëmendja, më së shumti, i është kushtuar përjashtimisht gjuhës dhe letërsisë ruse. Në shumicën e rasteve, në universitetet në Britani dhe në Amerikën e Veriut, departamentet e studimeve sllave janë “sllave” vetëm në emër. Në të vërtetë, studentëve u kërkohet të magjistrojnë në rusisht detyrimisht për të hyrë në portën e botës sllave. Kjo mendjengushtësi metodologjike i lë ata të bindur se Brodski kishte të drejtë, sepse nuk mund të ketë letërsi të madhe në bullgarisht, çekisht, polonisht, jo më në bjellorusisht apo ukrainisht.
 
Disi, një student aspirant i gjuhëve dhe i kulturave gjermanike nuk është i detyruar të magjistrojë në gjermanisht në fillim, para se të lejohet të fokusohet në hollandisht, anglisht apo suedisht. Përse të mos e shtrijmë pëtë qasje mendjehapur edhe për studimet sllave, në mënyrë që të paktën dy të tretat e studentëve të ardhur të kurajohen për t’u fokusuar në gjuhët dhe kulturat e tjera sllave veç rusishtes. Po, për kohën që kalojmë, gjuha dhe kultura ukrainase duhet të jetë përparësia kryesore! Po kështu, më shumë vëmendje nevojitet për gjuhët dhe kulturat jo ruse në Federatën e sotme të Rusisë. Për kohën që kalojmë dikush mund t’i studiojë këto vetëm pasi është aftësuar të lexojë tekste në rusisht të këtyre gjuhëve.
Rrallë folësit etnikë të këtyre gjuhëve janë punësuar në universitetet perëndimore Imperialistët rusë janë dakord. Po ne? A duhet të bëhemi bashkëfajtorë duke lehtësuar dhe duke i bërë qejfin imperializmit rus, dmth rashizmit?
Është jo thjesht një propozim bosh i ndryshimit për hir të ndryshimit, por një përgjigje ndaj pranimit të verbër perëndimor të imperializmit rus në kulturë, sikurse është trupëzuar nga adhurimi i pamendueshëm i gjuhës dhe i letërsisë ruse.Mbi të gjitha është ky pranim i padiskutueshëm, që ka garantuar mosdënimin e Putinit kur ai e sulmoi Gjeorgjinë dhe grabiti Abkhazinë dhe Osetinë Veriore, aneksoi Krimenë dhe kapi Ukrainën lindore, ose kur ai rrafshoi Sirinë demokratike. Kremlini e ka ëmbëlsuar këtë “punë” të helmët duke furnizuar Perëndimin me gaz dhe naftë, përfshirë edhe pagesa për politikanë të pensionuar gjermanë dhe francezë dhe duke korruptuar me para bankierët e Londrës në Qytetin e pangopur.
Tani me mbivartësinë e Europës nga karbohidratet ruse dhe paratë ruse, Putini i gëzohet çarjes së unitetit brenda BE dhe NATO-s lidhur me luftën e Moskës në Ukrainë, dmth, për sankcionet dhe furnizimet e armatimit për ushtrinë e Ukrainës. Në të vërtetë, është koha që Perëndimi të mos tërhiqet më prej hunde nga Rusia, para se të jetë tepër vonë.
 
Në këtë situatë, a duhet të vazhdojmë ta lexojmë “letërsinë e madhe ruse”? Po, sigurisht, por le ta shohim atë me syrin kritik, si prodhim i imperializmit carist, i totalitarizmit sovjetik dhe i rashizmit putinian. Dhe ka rëndësi, para së gjithash, ne kemi nevojë të fitojmë kohën e humbur dhe të njihemi me kryeveprat e letërsisë në bjellorusisht, çeçenisht, tatarisht, apo ukrainisht të cilat imperializmi rus dhe sovjetik i ka mbajtur të fshehta nga vëmendja e botës.
Duhet të anashkalojmë veprat letrare ruse derisa të dalë një Viktor Klemperer, Primo Levi dhe nje rus Thomas Bernhard në letërsi dhe në horizontin intelektual. Në letërsinë ruse nuk është dukur ndonjë prirje e brishtë kritike për imperializmin dhe totalitarizmin rus dhe sovjetik deri tani. Autorët rusë parapëlqejnë të mos flasin për këtë. Ata ia lënë politikën politikanëve dhe atëhere, privatisht, kur nuk i përgjon njeri, ata pëshpërijnë për humbjen e lirisë. Një mbirrjedhje ndjenjash dhe emocionesh zëvëndëson një analizë esëll të shkaqeve të gjendjes shumëvjeçare të moslirisë ruse. Është më lehtë të qash bukur dhe të dorëzohesh për të evokuar trupin e lodhur të “shpirtit rus” të panjohur, se sa të investosh kohë dhe forca të nevojshme për të analizuar situatën e arritur në formën e një artikulli ose romzni të shkëlqyer.
 
Proza e drejtpërdrejtë dhe e pakursyer e tregimeve të Varlam Shalamovit për kampet sovjetike të përqendrimit dhe të vdekjes ka qenë një fillim i mbarë. Ai u provua si një pasardhës i denjë i Anton Ҫehovit, që e vlerësoi studimin e tij për koloninë ndëshkuese cariste në ishullin Sakhalin si një ndihmesë kryesore për letërsinë.
Por, gjerësisht, shkrimtarët rusë në mënyrë të turpëshme, qendrojnë larg kritikës së të shkuarës imperiale, totatlitare dhe gjenocidale të Rusisë dhe Bashkimit Sovjetik. Një nga shkaqet është fakti që regjimi rashist i Putinit tani po e reabiliton stalinizmin, KGB, imperializmin rus, totalitarizmin sovjetik dhe rusifikimin si shtylla të Rusisë së ardhme të madhe.
Për shumicën e rusëve dhe intelektualëve rusë, që kanë ardhë në adhurim të urrejtëshëm të fuqisë dhe të dhunës së hapur, si shenjë e madhështisë së shtetit të tyre, programi ëhtë tërheqës, kureshtar. Ata nuk dinë asgjë tjetër, madje edhe kur vizitojnë perëndimin. Zgjedhja e tyre është Rusia imperiale, shkurt rashizmi.
 
Një shpresë është që letërsia ukrainase, bjelloruse, tatare apo çeçene mund të bëhet një farë vakcinimi jo vetëm për nderimin e verbër të Perëndimit për letërsinë ruse, kulturën dhe gjuhën ruse, por edhe për dahurinë mazohike të totalitarizmit dhe moslirisë. Le të nisë shërimi tani. Është rruga që duhet ndjekur. Unë shoh përpara drejt të paktën një rryme të qendrushme romanesh, novelash dramash dhe poemash të përkthyera në gjuhët perëndimore nga ukrainishtja, tatarishtja, buriatishtja, sakhishtja, tuvanishtja, uzbekishtja… Sidoqoftë, ne kemi nevojë vërtet për një ortek që të përballojë rrënimet që rashizmi- imperializmi rus dhe totalitarizmi- ka lënë si në krerët e popullit në botën mbarë ashtu edhe në truallin e Ukrainës . Pra, kam frikë, që ajo që do mbesë nga të gjitha këto premtime mendjelarta do jetë vetëm fjalë, fjalë, fjalë.
 
Maj 2022
 
 
Bardhyl Selimi
 
Përktheu Bardhyl Selimi, 2 qershor 2022
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s