Poezi nga Agron Shele

 
Poezi nga Agron Shele
 
 
Pavdekësi
(Memorium për Nikos Kazantzakis)
 
Vijmë nga një humnerë e errët, prehemi në një humnerë të errët, hapësirën e ndritshme midis tyre e quajmë Jetë” – Kazantzakis
 
Erdhi kthimi
erdhi dhe ikja
humbasim në të njëjtën kohë
përpjekjes së vetme,
për një gjurmë mes dunave të rërës,
që sërish do rrotullohen erës së fatit
dhe së fundmi, një diell që do përvëlojë.
 
E morëm përfytyrimin me vete
dhe ndërtuam botën që vjen,
si kalimtarë të përgjakur hoveve të gremisura,
si shpresë të vobekët, që e mbollëm shpirtit tonë!
 
 
Kambana ime
 
Fillimisht shikoja rrotullat e gurit,
për të tjerët qe legjendë,
për mua një mijë metër larg;
një gur i bardhë
që fekste më shumë se Dielli
dhe ndriçonte shumë më tepër se Hëna.
Pastaj uturima të largëta, më të frikshme se ulërimat e ujqve
që përshkonin luginën e
lumit të kristaltë
dhe vorbulla që errëtonin qiejt nga stuhitë,
mes vetëtimave që tronditnin dhenë
rrafshonin jetë e dru.
Ndërsa kambana ime
nuk mund të binte,
ishte memece
me tinguj të heshur, që shponin gjer në vertebër,
ngulej si gjilpërë
dhe gjithë trupi dridhmë;
në një dhimbje që lindte me vuajtjen
dhe një vuajtje që shkonte gjer në dhimbje.
 
 
Cathedral of Leuven
 
Një gjuhë flake nis marshin e përtëritjes
qiririt të ndezur dhe tymit të kthyer në smog,
hirnajës së mbledhur ndriçimit të vobektë
çastit magjik;
në vijat e gjakut të Krishtit
dhe Shenjtores në falje
për birin e vetëm të gozhduar nga Judat
dhe rikthimin,
si triumf i shpëtimit të shpirtit të njeriut !
 
 
Dashuria ime
 
Toka ngrihet në mendjen time
fërgëllon
si një kafshë që shuan urinë pyjeve të pashkeluara
tek shtrin humusin dhe ushqehet me gjethen e vet,
ndërsa kapërcimit të shtegut
sjell ndëmend humnerat e lindjes
që u formësuan si maja të thjeshta
kreshta të plakura
dhe thinja që do zbardhnin borës së parë
në copëza çastesh
dhe vështrim i mbetur ajrit drithërimë.
 
Shkuan të parët e mi
ndoshta në një rrasë emrin e shënuan
dritës së besimit
erozionit të shuar,
ndoshta atje mund të ketë mbetur një skalitje
e atij që erdhi pas jush,
por brejtja e viteve s’ ka mëshirë
brinjës, ku asgjë më nuk gumëzhin
 
Të gjithë në ardhje
të gjithë në ikje
mbetëm atje, plang i qemerit që shkruan dinastitë
rrugëve të çelura e mbyllur mesnatës në përvuajtje zogjsh të frikësuar
dhe pse asnjë shenjë mbetet përmbi dhe,
e kështu trishtimi im
avitu agut të bardhë
beje shall dhimbjen e shpirtit
shquaj gjurmët e vetme
të atyre që besuan tek dashuritë.
 
 
Paris
 
Parisin mund ta shikoni në katedralen A
formën e emrit të një gruaje
që u ngjit qiellit përfund
kapërcyer çdo lartësi të kohës
tek shndrit sot si kulla më e bukur
porta hyrëse e qytetërimit
krenari e flokëve nëpër erë
shpërndarë qiellit blu
si mendim i pikturës në trajtë metalike
dhe një buzëqeshje e paarritshme
 
Mund ta shikoni dhe si formë e eleve E
me sy nga Sena
urave të pambarimta
tek shëtisin pëditësinë rrugëve të qytetit
mbetur magjisë *Notredam
bestytnisë së parashikimit nën thinja
tek vdiste një mbret
e një princeshë shkëlqente edhe më shumë.
 
Mud ta ndieni dhe parfumin
në trupin *barok të përthithjes së kurmit
aromë që mblidhte turmat për gijotinë
dhe kurtizaneve që vraponin egërsisht për çdo kafshim!
 
Paris, Paris, Paris
i Bodlerit dhe Hygoit po ashtu,
rrëfe magjinë e kësaj bote,
krelat e *Madam Bovari gjithsesi,
në buzë shter puthjen madhështi!
 
 
Poseidon
 
Poseidon është aty
shkumë dhe valë thinjur detit tërbim,
ngritur tallaze gjer në tokën e shkrumbuar
thjesht mërisë së të nemiturve mëshirë,
kohëve që zjarrin ndezin gjer në hi
hidhërim i skeptrit të thyer përsëri.
 
Vërshoi uji të fikë zjarrin
por ishte më shumë se një mallkim,
atje ku *Kasandra shkulte flokët,
atje dhe heroi binte në gjunjë.
 
Anijet, në udhët më të largëta
ndihin fatin e e botës së pafaj
ashtu vozitur nën shiun e mermertë
qiejve të kthyer dhimbjes së pa skaj.
 
Lundrim i heshtur syrit të nimfave
kredhur thellë, detit të Zi,
falje që përkon çastit të vetëm
pastaj nënqeshje gjer në harrim.
 
Fundoset jeta këmbëve të Hyut
e tjetër ëndërr endet në tokë
një lirë që dikur se dëgjoi Zotin
kumbon sot, fort e më fort.
 
Oshëtin mendja, vizioneve të shkuara
atje ku lind
atje ku vdes
një tingull i rrëmbyer regëtimës pulëbardhë
gjegjie e klithmës, si i fundit shpes!
 
 
Kalipso
 
Të thuash dritë
është si të prekesh të gjitha ngjyrat e kohës
të shohësh kuptimin e pafundësisë
me sy të kthjellët
mbi të gjitha errësirat.
 
Si në një ishull
ku dallgët e trazuara mbajnë anijet larg
dhe palmat përkulen gjer në tokë gjatë stuhisë
fërshërijnë muzikën e sirenave,
sa të largët
aq dhe të paprekshme,
thjesht një mit i hyjnizuar
mes kufijve të udhëtimit të munguar
dhe rrymave të egra në mendjen e detarit
i humburi përjetshëm turfullimit të ujërave.
 
Dalngadalë mëngjesi feks
mbi karthicat e një *Kalipso që mbjell shiritin e zjarrtë të diellit
deri në pafundësinë e imagjinatës
atij bregu,
që afron strehëzën e fundit
dhe mbron dashuritë e kësaj bote!
 
 
Zambaku në liqen
 
Çuditem më the:
si nuk e ndjen pëhere të njëjtën aromë parfurmi
*Miss Dior
në vjeshtë dhe në dimër,
kur natyra zhvishet dhe pemët ndjejënë të ftohtin në asht
në shpirt dhe trup
me dëshira të fshehura
dhe shpresës se lulëzimi do të vijë tjetër stinë.
 
Çuditem dhe më shumë
kur kaloj fare pranë teje e ti s’ më shikon,
por harron se murgu ka kohë që shikon vetëm manastirin
dhe tek qiparisi i tij sytë i gozhdon.
 
E ç’ duhet me shumë
se një pejgamber i hapur
dhe një plegrin që kohën e pakohë zbulon
në fshikulla të fshehta dhimbje
dhe shenja që me trupin në dhe’ do i çojë..
 
Pastaj s’ mund të harroj
se si koketën e mbledhur e lëshove përfund,
si një sharm të ethes së mëkatit
dhe një drithme që përshkon marrëzisht.
 
Ti arrite gjer tek mua
shelg u bëre dhe u përkule gjer në dhe,
ndërsa parfumi ndiqte bukurinë e trazuar bordurave të njohura
në një fluturim të bardhë që ngjitej përmbi re.
 
Ti fole shumë e më shumë
për Orkidet gjithësesi
lule të çelura në sytë e një gruaje
dhe zambakë të prehur kaq qetë mbi një liqen.
 
 
Ekuinoks
 
Stinët ndërrohen
koha bashkon lindjen me përëndimin
në akrepin 12
baraspeshë e deteve që kontrollojnë zbaticën
hënës që duket e plotë
mbi liqenet e reflektuara të legjendave të heshtura
ujërave ku avitet një shpirt
barkës së vjetër pa vela, tek largohet trillit të tokës
dhe pëndjekjes së fatit
në një zjarr që përfklak kozmosin
zjarr që djeg virgjëreshën
fytyrën ungjillore
psalt i bukurisë së fanitur
dhe thirrjes makabre për triumfin e vdekjes.
 
Pamje që shkon me kujtesën
si e vetmja sakrificë e dhimbjes së njeriut,
derdhur kurmeve të tjera
dhe e bën hi
për t’ u shpërndarë horizonit pa fund
në pluhur gri
thjesht një mjegullnajë që shtrin krahët e saj gjigande në qiell
në re të zeza që pikojnë në shi,
zbutur egërsisë së kafshës që sundon tokën,
për të pranuar fatkeqësinë dhe dhimbjen.
 
Akrepat lëvizin
dy stinë ndajnë përjetëisht
e para me lulet e sjellura
tjetra përulur pragut të dimrit
e para me blerim, tek shëtisin ujrave të shkrira të borës
tjetra vjeshtës ardhur kaq dhimshëm
gjethe të rrëzuara
hapa që shkelin pemëve të zhveshura
qiparisëve të vetëm
që mbledhin zogjtë e fundit
për ti dërguar në tjetër Ekuinoks.
 
S’ ka përshfaqje më drithëruare,
se bashkimi i trupit me shpirtin
sfurkut që i shtyn me poshtë ngjirizeve të Hadit
dhe udhëtimit mes ngjyrave yje,
e verdha në mesnatën rrëfim
një përrallë e rrëfyer nga dishepujt tanë
mes lindjes së ditës prarim
fat i egzistenës së shekujve që s’ dinë të ndalojnë
fat i vdekjes së trishtë!
 
Po flasim për Lindjen
atje ku Dielli zë fill
rikthim i magjisë së ditës për njërëzit që i çon përditësisë
sakrificës së ardhur
si foshnjë e piskamës
dashurisë së lindur ripërtëritjes
dhe urrejtjes për dhimbjen e trupit.
 
Orët bashkohen
det dhe qiell
toka ngre plorin e ardhmërisë
me sy nga Lindja
vegimit të çelur në sythë pranvere
lastarëve të rinj
rendjes në rrugët e qiellit;
dhe ne të mbijetuarit e përhumbjes së shekujve
lutemi për atë që nuk e shikojmë me sy,
lutemi për atë që na rrëmben pa kthim.
 
Panteonët janë aty
me skluptura dhe sheshe foltores që mbledhin fatin tonë
ithtarët flasim me zell
e turmat e ndjekin verbëri,
ndërsa vasha e ngratë
bijë e jetës që do sjellë
çelet si Zambak i bardhë
lulakëve harruar së nesërmes.
 
Akrepi shënon 12
dita është si një fli
tek shkon mes përpjekjes jetë
tek dergjet sërish si një shpirt!
 
 
Vajza e Veriut
 
Atje në tokat e largëta
skajet prekin akullnajat e fundit
hapësirave pa pakufi
refleksion i mbetur në shpirt,
me lulet e mbrujtura nga ngrohtësia e jetës
dhe frymës avull veshur xhamave blu,
ku jeta kthehet në tjetër frymë
e bota në përshpirtjen gëzim.
 
Është luhatje e një çasti të largët
mes pikturës dhe luleve prarim
vallëzim i harruar nëpër borë
dhe vajzës që pret pa kthim,
zbritjen e shpirtrave me të gjitha ngjyrat
polit më të largët të Veriut
krahëhapur, kërcimit të vetëm
linkthit të çmendur nëpër lëndinë,
jetës që ngre dëshirat në kupë të qiellit
e muzgut zbritur vështrimit të syrit
mërmërimës fëshfërimë të një pylli lisash
dhe çeljes së pranverës thëllimit të dimrit!
 
Ngjyrat e botës janë aty
vajza e veriut gjithësesi
një vikinge në ujëra të trazuara
apo një vështrim që shkon tokës së zhuritur
syrin pishë dhe vdekur modernizmit
si pasuese e britmave dhe qëndismës pendë,
goditjes në kraharorin e pambrojtur
dhe një shtize që humbet frymës së fundit
shpirtit kristal
përflakjes mbrëmje, ku takohen hijet
murmurimës falje dhe pranim i besimit të lashtë
dy, një, terr i pafund, memories përjetësi
në një akrelik të stampuar
radhitjes pikturë
energji e ditës që lind
beftësisë, që tretet madhështisë.
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s