Poezi nga Grigor Jovani

 
Poezi nga Grigor Jovani
 
 
METAFIZIKA E “PO!”-së
 
Më mirë mos të të shoh përsëri! T’u
shmangem rrudhave të tua të reja – rrënojat
e parajsës së dikurshme të ëndrrave,
ku, për dreq,
në hyrje nuk shkruhej:
“Kush hyn këtu, humb!”
 
Të vazhdoj të digjem mes pasionit të ndezur
mbi gëzhojat – asaj kaldaje,
që më bëri shkrumb.
 
Bëj fajtore fantazinë time të çmendur,
metafizikën e “po!”-së, gjersa ti
u fshehe mes flakësh
dhe ndodhi gjëma e madhe:
të humba…
 
Nuk i mësuam kur duhej ngushticat mistike
të fatit,
rramë në shkëmbinjtë me sirina
dhe na shkatëroi
lukunia e egër
me sorra dhe pëllumba.
 
Pastaj deti volli në breg atë çka mbeti
prej nesh:
ca kocka ëndrrash,
buzët tona të sfilitura nga puthjet,
copëza gjinjsh
dhe katër thëngjinj të ndezur – sytë tanë
që shkrumbëzonin akoma
zjarrin përbrenda…
 
Fluturonte në eter edhe ajo “po!”- ja jonë
e dikurshme. Domethënë,
ekzistonte materia…
për të tjera legjenda.
 
 
TË JETOSH NJË VJERSHË
 
Nuk mjafton të bësh një vjershë
të bukur,
gjë kaq e vështirë
dhe kaq e madhe,
ndonëse vjershëtorët
s’janë dhe pak…
 
Më e mrekullueshme është
të rrosh një vjershë,
ashtu thjesht,
siç përjeton një puthje,
që gozhere bletësh
zgjon në gjak.
 
Ai mjalt pastaj… Që rrjedh ndër deje,
për të mbushur zemrën,
pak nga pak…
S’mund të jesh vetëm poet, atëhere,
je paksa si Shenjt,
Homeri plak.
 
 
DITA E SHENJTËRIMIT
 
Ajo ka ditëlindjen çdo 29-të në maj,
kur pranvera bëhet gati të na lërë lamtumirën…
Si të mos jetë e sigurtë,
që ka çelur një lule t’i ngjaj,
më lë në vazo të fundmen e saj:
më të mirën.
 
Ka tre dekada e ca, e mbaj në shpirt llahtarishëm,
më vdes e rilind, si të isha një Krisht…
Lindi vërtet një dite të vetme, por mua magjishëm,
më lind përditë,
si Shënmëri,
duke më prekur me gisht…
 
Çdo fundmaji, kur ndjej erëlulen tek gjaku,
pyes pranverën: “Para se të ikësh,
do të më çlirosh nga kjo magji, si gjithë të tjerët?”
Kthen e më përgjigjet me njerën këmbë tek pragu:
“Të kam shenjtëruar tani!
Të ishe kujtuar më herët…”
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s