Hyjnitë kishin të drejtë, Léon Rey, përkthyer nga Luan Rama, Botimet “Dituria”

 
Hyjnitë kishin të drejtë, Léon Rey, përkthyer nga L. Rama, Botimet “Dituria”.
 
(Një nga kapitujt e librit)
 
 
Një eksperiencë që duhet provuar
 
Zbulimi i vazos me emrin e Eufronios, sigurisht që nuk do të kishte ngjallur emocione më shumë sesa një tablo e Picasso-s që do të gjëndej rastësisht në një kosh plehrash. Mjeshtri im i vjetër, profesor Pottier dhe kolegët e tij të Institutit u habitën vërtet kur lexuan raportin tim. Duke më bërë përgëzimet më të ngrohta, profesor Pottier më tha:
 
– Miku im i ri, pas një zbulimi të tillë ju jeni më tepër se një studjues i shkëlqyer.
 
Dhe ai më dërgoi një raport të botuar një vit më parë nga Margaret Bernstein në Revistën e Studimeve Helenike. Aty mësova se midis shumë qeramikave që i atribuoheshin Eufronios, të rralla ishin ato që mbanin emrin e tij. Autori citonte një «olpe» të bukur në British Museum, dy vazo të bukura të tij në Louvre, një tjetër në kështjellën e Chantilly-së si dhe një «aryballe» e vogël që i përkiste koleksionit privat të zotit Lebureau në Paris. Në studimin e saj, Margaret Bernstein shënonte se dekoret e këtyre qeramikeve rikrijonin me realizëm skena të frymëzuara nga jeta e përditshme në Greqi, skena sportive apo të kohës së lirë si, dy vajza mbi një lisharse, një adoleshent që hidhte një gur, një banket, një peshkatar, etj. Megjithatë, edhe pse vizatimi i artistit ishte shpesh me një virtuozitet dhe siguri të spikatur në trajtimin e detajit më të vogël, duke u përpjekur për të dhënë në maksimum përsosmërinë e detajeve anatomike të personazheve të paraqitur, shpesh nudo, nganjëherë Eufronios distancohej nga realiteti duke e lënë të lirë frymëzimin e tij, i çliruar nga interpretimi shumë rigoroz. Kështu, në një vazo të muzeut të Louvre, kuajt «quadrige» shkonin galop me njëzet këmbë në vënd të gjashtëmbëdhjetë këmbëve. Autorja e studimit theksonte se këtu nuk bëhej fjalë për një gabim të artistit, por përkundrazi, për dëshirën e tij që me katër këmbë më shumë të jepte efektin e lëvizjes, çka e bënte skenën më realiste. Në të njëjtën frymë, ajo theksonte si të tillë dhe volumin e jashtëzakonshëm të torsit të hedhësit të gurit, (Muzeu i Vatikanit). Konkluzioni i saj ishte se Eufronios ishte një artist që i përkiste shkollës së parë të piktorëve realistë athinas, ku ai ishte padyshim prekursor i saj. Vazo e Apolonisë dukej se e përforconte tezën e zonjës Bernstein. Bëhej fjalë për një skenë erotike që paraqiste një djalosh duke bërë seks me një vajzë në një pozicion tepër të veçantë. Kjo për mua krijoi një pikëpyetje reale për të mësuar nëse një pozicion i tillë ishte pasqyruar apo jo më parë në artin grek ose romak dhe për më tepër, nëse fizikisht kjo mënyrë ishte e mundshme apo jo.
 
E dija që shumë vazo me vizatime erotike si dhe objekte bronzi apo statueta të të njëjtin karakter ishin ato të gjetura në Herculaneum apo Pompei, të cilat ishin grumbulluar në Muzeun e Fshehtë të Napolit. Kështu, kur u ktheva në Paris, pa u vonuar shkova të konsultoja Bibliotekën Kombëtare në Rue Richelieu, veprën e Francin Piktura, vepra bronzi dhe statueta erotike që përbëjnë koleksionin e kabinetit të Fshehtë të Muzeut Mbretëror të Napolit, i cili ka shumë botime me ngjyra. Më kishin lajmëruar se kjo vepër, meqë ishte e një karakteri të veçantë, nuk mund të konsultohej në sallën e madhe dhe për këtë qëllim duhej të shkoja në kabinetin e leximeve të veçanta, e quajtur «Rezerva»: shkalla A, kati parë, porta e parë, majtas. Kur shkova atje, duhej të plotësoja një formular: emri, mbiemri, kombësia, seksi, mosha, profesioni, adresa apo vendbanimi, përse doja ta studioja, LUTEMI SHKRUANI ME GERMA TE MEDHA, firma, etj.
 
Prita disa kohë gjersa dikush më solli jo librin e kërkuar, por një bordero, duke më ftuar të shkoja në byronë fqinje, ku një funksionar i bibliotekës më pa nga koka në këmbë, duke më pyetur nëse isha mbi 18 vjeç. Ky njeri dukej si ata «minjtë e bibliotekave». Kishte një palë dhëmbë të ngrëna, faqe më të verdha se ftoi dhe mbante një qafore celuloidi nga ku varej një kollaro e vjetëruar. Ai këmbënguli në faktin se libri i Francin nuk ishte nga ato libra që mund të lihej në duart e kujdo dhe kështu, duke u ngjitur në kthinën «Rezerva», dikush që u shfaq i dha një dorëshkrim fetar të shekullit XV një murgu mjekrosh që po e priste me padurim. Duke nxituar jashtë zyrës, punonjësi u kthye dhe ndërkohë që e pyesja me një ton gjysmë të qeshur se ç’duhej të bëja, si përgjigje, ai më tregoi me gisht një tavolinë në fund të cepit të sallës, ku e ndjeva veten larg të tjerëve sikur të kisha sëmundjen e zgjebes.
 
Në veprën e Francin kishte riprodhime shumë të bukura, por asnjëra prej tyre nuk afrohej me pikturën e Eufronios. Atë mbrëmje po kthehesha në shtëpi duke iu ngjitur rrugës «Rivoli» të përmbytur nga turistët e ku përpara më doli dikush që tinëz shiste në rrugë: «Shkëlqesi, – më pëshpëriti ai, – tridhjetë e dy pozicione në një koleksion të mrekullueshëm fotografik të marra drejtpërdrejtë».
 
Ai album ndoshta do më kishte ndihmuar në kërkimet e mia, por sigurisht nuk doja që gruaja të ma zbulonte rastësisht në xhepat e mij.
 
Pas kërkimeve të tjera po aq të pafrytshme, isha gati t’i lija këto kërkime, kur takova Marcel de la Maisonnière, një shokun tim të dikurshëm të klasës dhe që ishte një nga lexuesit e përhershëm në bibliotekë. Dentist shumë i njohur, ai ishte gjithshtu dhe një bibliofil i pasionuar, me një karakter original dhe me prirje liberale. I tregova fotografinë e vazos, duke ditur se në këtë fushë ai kishte një lloj eksperience:
 
– A mendon se diçka e tillë është e mundshme në këtë lloj pozicioni? Në fakt po kërkoj të di nëse përmes pikturës së tij, Eufronios ka reflektuar realitetin apo jo? Kjo është e rëndësishme për studimin tim, të cilin duhet ta paraqes në Institut.
 
Marcel-i kruajti kokën dhe tërhoqi zinxhirin përpara pantallonave, siç bënte zakonisht në çaste refleksioni dhe duke dalë nga salla, ai më tha:
 
– Qënka një çështje e rëndësishme!»
 
U habita kur e pashë të rivinte një orë më vonë, duke përshkuar sallën e leximit me hapa të mëdha dhe me një buzëqeshje në buzë. Një karafil i shquhej në cepin e jakës së xhaketës.
 
– Tani mund të pohoj me siguri, – më pëshpëriti ai duke më futur krahun, – se piktori yt është një fantazist, por megjithatë, për mua ishte një eksperiencë e lezetshme.
 
Pikërisht në këtë çast ra zilja e mbylljes së bibliotekës. Ishte pothuaj ora gjashtë pasdite dhe ne dolëm sëbashku nga biblioteka.
 
Në këtë periudhë jeta në Paris nuk ishte e shtrenjtë. Nuk ishte një jetë e vështirë, por një jetë e gëzueshme. Dy hapa larg Bibliotekës Kombëtare, kishte dy «Shtëpi» prostitucioni mjaft të njohura, njëra në numrin 12 të Rue de Chabanais dhe tjetra në 8, Rue Colbert.
 
Femrat e atij klubi të klasës së lartë ishin vajza shumë të bukura dhe të zgjedhura. Midis tyre mund të gjeje një numër të madh femrash franceze, italiane, ruse, jugosllave madje dhe vajza ezmere mjaft të bukura të ardhura nga ishujt Antilles. Nëse fasadat e këtyre «shtëpive» nuk binin shumë në sy, kjo gjë nuk ndodhte brënda tyre, ku një dekor tepër i veçantë dhe pasqyra plot shkëlqim i tërhiqnin menjëherë sytë e çdo vizitori, (madje pasqyra kishte dhe në tavanet e dhomave). Binin në sy zbukurimet e shandanet e mëdhenj, mobiljet e kromuara që flakërinin, sofatet e gjëra dhe moketet e trasha. Gjithçka të linte përshtypjen e një lluksi të rafinuar.
 
Kur hyje në këtë «Shtëpi», patronia thërriste vajzat e lira që të zbrisnin në sallon, ku ato viheshin në rresht ashtu të heshtura, nudo e të qeshura, veshur me papuçe të thjeshta ngjyrë rozë. Patronia ishte një grua e thekur dhe elegante, veshur me një fustan mëndafshi të zi. Në qafë kishte një gjerdan të mrekullueshëm perlash dhe në gisht i shkëlqente një diamant i jashtëzakonshëm.
 
– I thashë se nuk ishte e nevojshme të na tregonte të gjitha vajzat, – më tha Marcel, kur ende po ngjiteshim. “S’ka rëndësi fiziku, na duhet një vajzë e shkathët dhe e zhdërvjelltë”. Ajo e kuptoi mesazhin dhe pas pak bëri të zbriste një kuqse me një trup të përsosur, por me një shprehje timide dhe të rezervuar, plot pika të kuqe në fytyrë si një vezë gjeldeti.
 
– Ju do të jini tepër të kënaqur, – tha patronia, – ajo punon shumë mirë dhe për më tepër ka qënë një akrobate cirku”.
 
Kur ne ngjitëm shkallët, unë i tregova asaj fotografinë e vazos me vizatimet erotike.
 
– Sa e bukur është? Vallë ju e keni vizatuar? – tha ajo.
 
Unë i premtova një bakshish të mirë, me kusht që ajo të na demostronte të njëjtën gjë. Kjo kërkesë e bëri të qeshë dhe ajo pranoi menjëherë, «OK»!
 
Duhet ta pohoj që si njëri dhe tjetri, ne bëmë sa mundëm, por pa ndonjë rezultat, sepse ai pozicion ishte i pamundur të arrihej. Duke zbritur, pashë patronen që ishte ulur qetësisht në hyrjen e bordellos, ku një buqetë e mrekullueshme lulesh ishte vendosur në një komodinë të stilit Louis XV. Ajo zgjodhi një karafil të kuq në tone të errët dhe duke ma vendosur në një nga kopsat e xhaketës më tha me përkujdesje:
 
– Shpresoj të keni mbetur i kënaqur dhe mos hezitoni të vini përsëri». Dhe me një buzëqeshje djallëzore shtoi: Ç’rëndësi kanë fantazitë që ju shkojnë në mëndje… s’ka pse të kesh turp, vogëlushi im!
 
E shoqërova Marcel-in në një bar pranë Teatrit të Komedisë Franceze, ku ne patëm një diskutim të gjatë rreth Eufronios. Ai mbeti me bindjen se piktori e kishte idealizuar atë skenë duke shtuar diçka nga përfytyrimet e tij.
 
– Padyshim që ke të drejtë dhe më vjen keq se meqë u përpoqa kaq shumë, s’mund tu shpjegoj anëtarëve të nderuar të Akademisë metodën time të kërkimit… ose më mirë tënden. Kjo sigurisht do t’i nxirrte ata nga letargjia e tyre.
 
Marcel-i ngriti supet.
 
– Shko në djall me atë vazon tënde, por eja të pijmë nga një “amerikano”.
 
 
luan-rama1
 
Përktheu në shqip Luan Rama
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s