Mascha Kaléko
Kalendari poetik: Mascha Kaléko (1907-1975)
U lind si sot 115 vite më parë, poetja Mascha Kaléko, si bijë jashtë martese e tregtarit ruso-hebre Fischel Engel dhe një vajze hebreje austriake, Rozalia Chaja Reisel Aufen. Pas lindjes së vajzës ata u martuan dhe u vendosën në Gjermani. Në Berlin, Mascha u njoh me poeten Else Lasker-Schüler dhe poetë të tjerë të dëgjuar. Në vitin 1938 Mascha me të shoqin, u vendosën në SHBA. Ja një poezi prej saj:
VDEKJA (E NDJENJËS)
Më kujtohet kur vdiqa të parën herë,
e mbaj mend si tani si qe.
Vdiq gjithçka për mua, pa u ndjerë.
Në Hamburg ndodhi, ishte prill,
tetëmbëdhjetë vjeçe isha.
Kur vdiqa herën e dytë,
më dhëmbi shumë vdekja.
Pak gjëra munda t’i le:
zemrën që regëtinte para derës së tij
dhe gjurmët e kuqe mbi dëborë.
Por kur vdiqa për herë të tretë,
thuajse fare s’e ndjeva.
Më qe e afërt tashmë, si shtrati, si buka,
si këpucët, si teshat më ishte vdekja.
Dhe tani nuk vdes më.

© shqipëroi Maksim Rakipaj