Poezi nga Bilall M. Maliqi
NUK DUA…
Nuk dua të (më) përsëritet
E njëjta ëndërr
Se më futë brenda lodhësisë
Djersitet edhe skena
Nuk dua të (më) përsëritet
E njëjta ndjenjë
Se më zgjohen ofshamat
Dhe psherëtimat plasin
Nuk dua të (më) përsëritet
E njëjta kujtesë (për ty)
Se koka më bëhet lëmsh
Dhe më ligështohet shpirti
Nuk dua të (më) përsëritet
I njëjti mall i lagur
Se m’u ka shpërthyer
Diga e unit qëndrestar
NUK VDES BURRI
(Presidentit Bujar Nishani|)
Nuk vdes fjala e burrit
(Ajo) ngelet e madhe
Në ballë të Fronit
Fjalë që i mundi ndasitë
Dhe e lidhi nyje
Bashkimin e djersitur
Buzëqeshja (e tij)
Ishte e dielltë
Që rrezatonte mirësi
Çdo fjalë i shkëlqente
Si vizëllimë floriri
Në ballore të kohës
Ajo (fjalë) ngelet e futur
Diku thellë në lëfytin
E amanetit të pashkruar
Veç kënga për urtakun
(Tani) këndohet
Dhembshëm nga engjëjt
Si një baladë përjetësie
NË FAQEN TËNDE
(Ende) nuk dola nga faqja jote
Tek po lexoja kujtimet e shprishura
Në një çast dola nga vetja
Tek ti (para)mendoja
Flokët e shpupurishura të çmendisë
Dhe ca sumbulla djersësh
Pushtuan ballin tim të rudhur
Pastaj u lodh kujtesa
Iu shtri gjumit të rëndë dehës
Si ajo gota e idhët e ndarjes
Kur ëndrra hapi perden e hirtë
Prapë të pashë aty
Me ca gjëmime derdhëse
Në atë çast
Pingul m’u zgjuan ndjenjat
Se deri më tani lexoja
Tregime me tekste vuajtjesh
Dhe… prapëseprapë
Faqja jote ngelet e hapur
Për lexim e shikim të pikturave
Që (më) nxisin afshin e fjetur
KUR TË PLAKEM
Kur të plakem të lutem më duro
Mos më shiko me bisht syri
As mos m’i vër në peshore fjalët
Kur të plakem horizontalisht futem
Brenda hullive të lëkurës së varur
Ti mos u frikëso nga goja e zbrazur
Kur të plakem i ngarkuar me lodhësi
Dukem si të eci me këmbë të huaja
Mos u trishto se puthitem me tokën
Kur të plakem e të peshoj si fëmijë
Mos më lër në një kthinë të errët
Të më tremben kujtimet atërore
Kur të plakem më fal buzëqeshje
Se me to përdit ngapak shërohem
Deri në kufirin e jetës së perënduar