Poezi nga Sokrat Habilaj

 
Poezi nga Sokrat Habilaj
 
 
BISEDË MES NESH
 
Dhe tani që njerëz pa fund ke në krah,
E me ta tymos, a me ta troket një gotë.
Kam një ndrojtje se të mungon diçka,
A ndoshta ky është dhe trilli imi i kot.
 
Tani që ndoshta të duket se ke çdo gjë,
Bëj diçka që të ma heqësh mua frikën.
Thjesht nga meraku im kujto dhe dikë,
Dikë që as e mban pranë, po as të ikën.
 
Unë që i njoh dhe çastet e tua të trishta,
E di se më do edhe nëse më hedhë baltë.
Po kurrë s’të lëndoj njëmijë jetë të kisha,
Njëmijë jetë të kisha, s’thosha:-Mjaftë!
 
Nëse ndihesh keq, dil një çast tek dera,
Do më gjesh në shkallë, harkuar si mall.
Unë s’të lë vetëm edhe në kohë të tjera,
Si mund të të braktis tani që jam gjallë!?
 
 
FLOKËT
 
Ti fle pranë meje dhe ashtu, pa dashje,
Flokët në jastëk, i shpërndan si shkumë.
Mbase ndihesh mirë, kur të kam nën faqe,
Mbase dashuri, do të bësh në gjumë.
 
Mbase dhe kur fle, s’duron dot për mua,
Dhe aty në flokë, e lë puthjen tënde.
Mbase do të kthesh dhe ëndrrën, në grua,
Të më pëshpëritë:-Ty të kam në mendje!
 
Mbase do të shohësh dhe kur mbyllë sytë,
Dhe flokët gjithë sy, bën me djallëzi.
Mbase do të thuash:-Me ta, do të mbytë,
Nëse edhe në gjumë, mendon tradhti.
 
Mbase dhe më tepër, kur fle ti më do,
Mua të pagjumin, që flas kot s’koti.
Kur të zgjohesh nesër, mos m’u trishto,
Nëse mes flokëve, do gjesh pika loti.
 
 
DASHURITË TONA
 
Dashuri të magjishme si çdo dashuri,
Ca vijnë shumë herët, ca vijnë më pas.
Ca dashuri të tjera që s’i përfill njeri,
Sa lindin, ikin e mbulohen nën rrasë.
 
Dashuri që tek ne grinden në heshtje,
Për vendin që secila do të mbajë aty.
Dashuri që harrojnë një marrëveshje,
Që renditjen ta fillojnë me numrin dy.
 
Dashuri që s’duan t’ia dinë se shpesh,
Ne dhe për renditjen e tyre jemi zënë.
Derisa the:-S’jam më as dysh as tresh,
Kaq ishte marrëveshja. U bëra nënë!

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s