Poezi nga Dorothy Parker (1893-1967) – USA
FUSTANI I KUQ
Gjithmonë kam parë, gjithmonë kam thënë
Nëse do të isha e lirë dhe rritur,
Do të kisha një fustan të kuq, të kuq,
Që ju kurrë s’e kishit parë më të ndritur,
Ta veshja në shëtitje, e hijshme dhe e qetë,
Në një ditë vere të ngrohtë,
Do të kishte ndonjë që do të më pëlqente kështu
E fluturim do iknim nëpër botë.
Ai do të ishte një fisnik i rrallë,
Me yje që shkëlqejnë në sytë e zi,
Me flokët e artë si metal në diell,
Buzët e nxehta për gënjeshtra në dashuri.
Kam njohur plot, të këqij dhe të mirë,
Njerëz të nderuar në këtë qytet pashë.
Tani që jam e rritur, e lirë, mesogrua…
Mbaj veshur një fustan të trashë.
WORLD POETICA, Washington DC, maj 2022
World Poetica 1 & 2 gjenden në Artkancelari Sako, Rruga Him Kolli, Tiranë. Cel: 068 215 5277.

Shqipëroi: Kolec P. Traboini