Gemma Gorga
Kalendari poetik: Gemma Gorga 10 qershor 1968
Sot, më 10 qershor, mbush 54 vjeç Gemma Gorga i López, poete dhe profesore universiteti. Studioi filologji spanjolle në universitetin e Barcelonës, ku mori doktoraturën dhe vazhdon të punojë po atje. Është specializuar për letërsinë e Mesjetës, të Rilindjes dhe atë barok. Ka botuar disa përmbledhje poetike, ja një poezi prej poetes katalanase:
LIBRI I ORËVE: DHJETOR
Prej dritares një sy hedh nga sheshi: te rrapi
katër gjethe të lodhura kanë mbetur
që s’kanë vendosur fluturimin
e fundit të marrin. Katër janë
edhe ditët që lëkunden në kalendar,
gati për të rënë kur nuk i sheh kush.
Gjithçka kështu merr fund, duke u shkëputur
e duke rënë përdhé
me erën e ftohtë të kësaj
stine të vështirë. Procesi është i ngadalshëm,
gati s’vihet re. Vetëm po ndënje netë të tëra
të mësosh sytë me qetësinë
para se ta ndjesh si jeta gjethet humb,
humb ditët, oksigjenin humb, zogjtë humb,
trupat humb, humbasin edhe përgjigjet.
Festojnë edhe të vdekurit Krishtlindjet,
përqark lodrave ulur. Mbështetur në dritare
edhe për ta mendoj, është një mënyrë të mendoj për vete.
Dhe jeta gjethe humb, mospërfillëse
ndaj gjithçkaje, si një pemë e madhe që i bien gjethet.

© shqipëroi Maksim Rakipaj