Poezi nga Lumo Kolleshi
MOS MË TEJ, IMZOT!
Në Mançën time,në Mançën tënde
S’po ngrihemi dot nga gjumi i vrerosur,
Të njëjtët kalorës na ftojnë në kuvende,
Betejat absurde nuk paskan të sosur.
Ju përgjërohem me shpirt e me dhimbje:
Don Alonso s’do të ishte kaq Don Kishot,
Veç një herë troç Sanço të fliste,
Do hingëllinte dhe kali:”Mos më tej, imzot!”
ETYD
Në Bogë të Rugovës jam
Dhe,pas çdo ahu të rrëzuar,
Kërkoj varrin e Omerit të ri,
Lotin e Ajkunës kërkoj,
Poshtë këmbëve fillon të burojë Drini.
THINJA E NDERSHME
Ç’mund t’i jepja më tepër një zogu,
Që blerimit të lisit i çonte fije bari?
Një thinjë të ndershme i dhashë nga floku,
Folezën ta ndërtonte për së mbari.
U gëzuan bashkë zog e qiell
Dhe mjalti ra atë çast në lis.
Lamtumirën i dhashë thinjës tek ndrinte në diell:
Të mbarë e paç vdekjen, në jetë pra vdis!
MËRI ME DETIN NË KSAMIL
Para syve në paqe e kam detin,
Para syve valët e bardha me shkumë.
A thua dhe dashuritë e mëdha një ditë shterrin?
Ç’mëri ka rrëmbyer pushtetin tek unë?
Këtu rrotull nuk ka asnjë pulëbardhë,
Një dorë të më zbërthejë këmishën,nuk ka,
Veç tre ishuj të vegjël si murgj rrinë përballë
Dhe unë si prift meshoj për ta.
S’u gjendka diku në shkëmbinj një dorë,
Të bëjë të pamundurën,qoftë dhe hata,
Të më shtyjë,të më hedhë mbi valë,
Një bir të Kereontit si Poseidoni, nuk ka.
Dhe unë pi raki me detin përballë,
Tym cigari bëhem nën tendën me kallam.
Eh,e dashur,tani s’më mbeten as fjalë,
Teksa përballë detit nuk të kam.