Poezi nga Shazim Mehmeti

 
Poezi nga Shazim Mehmeti
 
 
FLUTUR E ZËNË NË NATËN E BARKUT…
 
Flutur e zënë
në natën e barkut.
 
Kaçurrelja floknajë
e ëndrrës së fjetur,
që zgjohet
nga prekja më ndijore
e gishtave purpur.
 
Ajo tulatje flakërimash
në pusinë e natës.
Ajo magji rinimi.
 
Më e vërteta parajsë
e gjuhës afshake.
 
Ama më e njënjëshme
e vetëtimave të zemrës,
në qetësinë mitike
t’shpirtit.
 
Ajo ç’e bën,
rrjedhën të jetë,
më se e vërtetë.
 
Ujëpika më e shprishshme
e errësirës së trupit,
ku drita shkrep
jetën.
 
I vetmi mish,
i vetmi ujë,
e vetmja njomështi,
që lëngështinë e njelmësht
ma jep të ëmbël…
 
 
ZOG
 
As dita s’është më
ajo lypsarja e ndrojtur
me shami të larme
e me sy jeshilë
që s’hamendej
kur trokiste n’derë.
 
Ti tashmë flatron
përtej shikimit, mendimit.
Në lartësitë e tejanshme
të afrikës së qiejve,
si rẻ e vogël lodron.
 
Këtej poshtë është kopshti
dhe kjo pranverë,
dhe lulet ngjyrëgjaku,
që, të mërdhira disi,
ma kujtojnë ujitjen e trëndafilave,
duart e mëndafshta,
dridhjen e gishtave
të hollë e ëndërrorë,
stolisur majash
me thonj t’guacktë.
 
Se si u përnjësove
me shkretëtitë e qiejve,
dhe e le pas krahësh,
kurmin, kujtimin –
piklat e djersës
mbi bardhësinë e shkëlqimtë të ballit,
buzëqeshjen e jargavantë,
muzikën e mezidëgjimtë
të hapave prej ajri,
flladin e flokut,
hundën që xhelozisht ta donte
secila grimcë drite,
secila sekondë…
 
Kjo ditë,
që ka hedhur shikimin n’anëpërtej,
hiret e trupit tënd erë
m’i vë ndër buzë,
oh zemër,
ç’u bëre zog!…
 
 
TË BARKUT, FLUTURAT…
 
Se si t’u zgjuan lulet e gjinjve,
se si t’u zgjuan edhe fluturat e barkut,
dhe fluturuan drejt meje,
dhe piva ujin e barkut tënd.
 
Oh, ti ishe aq e re,
dhe e hëna ishte aq e hënë,
dhe mëngjesi ishte aq mëngjes,
dhe sapozgjuar isha
me shijen e një ëndrre ndër gjuhë.
 
Trupi im i lodhur,
që kishte qenë veç dhẻ, bleroi.
Hovoi gjithë errësira e barkut,
këndoi gjaku ndër damarë.
Mbi trollin e moshës,
gjithë lulet e botës,
gjithë mimozat e trupit luluan.
 
Qiejt, mbi kokën time,
që u bë qerthull
fluturash jargavane,
vizatuan ylberë.
 
Dielli
shpëlau fytyrën
në shira gëzimi…
 
 
TË VERBËR SYTË E MI,
E PAPREKSHME DRITA…
 
Të verbër sytë e mi,
e paprekshme drita.
 
Por,
hapet dera –
zë bën ti, afrohesh,
dhe n’pëllëmbë e n’gishta
m’shpërthen drita
dhe trupi yt.
 
Oh,
shoh si t’bien
veshjet, mbathjet, lëkura,
mishi si t’ndrit, si t’ndizet,
flakë si t’merr
flakë e shpirtit…
 
 
 
 

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out /  Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out /  Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out /  Change )

Connecting to %s