Poezi nga Ilir Paja
Hije
Muzgu ngrihet herë mantel
Karrocieri e herë zotërie.
Pas pemëve hijet fshehin thinjat
E mplakjes së ditës.
Vetë dita kullon djersë
Rrëshire kur dielli
U tret lëngshëm brenda syve.
Toka hesht dre i plagosur.
Nata ngjan me tytën e pushkës.
Që vret dhe pa gjahtarin…
Muzgu nis sheh kopsitjen
E natës me yje.
Harron përskuqjen e pasdites.
Si një pëlhurë e një gruaje në festë.
Pasditja shtrihet horizont.
Ku toka dhe qielli si kavalierë
E joshin jo në amshim…
Muzgu ngrihet mall…
Për të fshehur dhe vetë
Moshën që premton
Përjetësia e hijeve…
10.06.2022.